Edhe Zotin e shpallin shqiptar në Zululand!

Ju pata rrëfyer në kartën time të parë, se jam kthyer në atdhe, pasi më erdhën fjalë se mësimet e mia s’kishin zënë vent ndë ju. E që kur jam kthyer, zë kokën në duar nga ç’shoh, se ajo që gjej është më keq nga ç’e lashë.

Kur Faik bej, shkroi këshillën për gazetarët, nuk kish si ta dinte, se do vinte një ditë që gazetaria do shkonte në nivelet e saj të fundme, e njeriu do bëhej lajm, ndërsa kthente gota në divanin e tij e postonte prej aty në këtë gjënë moderne që e quani rrjete socialë, ca radhë ku ironizonte sivëllezërit e tij shqiptarë. Kësisoj i ndodhi një kolegut tim doktor. Ai quhet Ilaz Hysaj, e një ditë ia tha truri, të çpikte një kartë  duke vënë në qendër të saj një bashkëfshatar të tijin. Kolegu im, me të cilin ngjajmë shumë nga natyra (e kemi ves ironinë) shkroi një letër që Zukenbergu i Facebookut ia dërgonte një shqiptari duke e i rrëfyer së kur makina s’ish shpikur ende, stërgjyshja e tij kish udhëtuar me makinë ndë shqiptarë e aty kish gjetur shërim. Doni ju që kjo satira e doktor Hysajt u mor si kartë e vërtetë?

Meqënëse ne dimë se jemi në cep të botës dhe ndihemi inferiorë, e fusim veten më thellë në dhé, duke i besuar “vlerësimeve” të të jashtëmve. Që thoni ju, lajmi mori dhenë: Zukenbergu iu shkruan shqiptarëve, u thotë se u jam borxhli përjetë, serbët çmenden, e kshtu me radhë.

E dini ç’mu kujtua me këtë rast? Ato letrat tallëse që i dërgonin kancelaritë perëndimore ambasadorit të Zullulandit Denizullu-Serpe në Paris- letra këto, që me të mbërritur në Zulluland, ngaqë nuk e kuptonte njeri gjuhën e frëngut e englezit e as humorin e tyre të hollë, këndoheshin në sheshe me mijëra burra, si suksese të mëdha, për të treguar miqësinë e madhe të zullulandasve me Parisin, Londrën e Berlinin.

Mua e doktor Hysajn na zuri gazi. Aq të vorfën e fresk jemi nga mendja sa këdo e bëjmë shqiptar është a nuk është. Nuk kemi lënë njeri të famshëm pa i nxjerrë ndonjë rrënjë këtej ndë anët tona. Do e kishim bërë edhe Obamën tonin po të kishte ngjyrë tjatër lëkure.

Unë madje bëj çudi që ende s’e kemi bërë Zotin shqiptar. Duhej të kishte dalë ndonjë mendje e ndritur të thoshte që familja e Jezusit para se të shkonte në Nazaret kish jetuar në Ballkan e gjyshja e Marisë ka qenë nga Shqipëria. Ose, që familja e Muhamedit, pat ikur në Mekë nga Ballkani, ku një stërgjysh qe nga Ohri, Arta, a Janina. Ja, kështu edhe Zoti do kish dalë shqiptar e do ishim të lumtur.

Sa ta shkruante njëri, e më pas e merrnin gazepet tona dhe do e shpërndanin. Kush do të dalë ta përgenjeshtrojë? ZOTI nuk merret me këto punë se me këto mend që ka njerëzia, ai ka punë më të mëdha për të bërë.

Si përshembull t’i shtijë në mendje ndonjërit të pyesë veten, ato fotografitë  me UFO në Tiranë, janë të vërteta apo kanë ndihmuar programet e kompjuterit? Para se lajmi të marrë dhenë: erdhnë UFO-t, tmerrohet Tirana, çmenden rrjetet sociale!

Se, këtu hedh njëri një gur në lumë dhe hidhen 100 mijë të tjerë dhe tregojnë si ra ai në fund të lumit, si zuri vent, ç’gurë tjatër kish afër, a zuri vent mirë a munt të lëvizë e kështu me radhë.

Sot e morëm vesh se po na e dha truri e bëjmë Zotin shqiptar, UFO-t po të duam jo vetëm i sjellim në qiellin e Tiranës por edhe u bëjmë një vilë luksoze po aty, ndanë Zotit shqiptar, në qiellnë e ngrysur nga pluhri.

I juaji, i drejti dhe i pacensuruari, Dr.Gjilpëra

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *