“E urrej dritën e mekur…”O. Mandelshtam

E urrej dritën e mekur
Të yjeve të rralla…
Ngjatjeta o jermi im i vjetër, –
O kulla brinjëdala.

Dantellë, gur, të jesh,
Të jesh dhe merimangë:
Parzmën e qiellit ta kesh
Gjilpërë të hollë për plagë.

Dhe rradha ime do vijë –
Ndjej, flatrat gatiten flatrimit.
Po për ku vallë merr arrati
Shigjeta e gjallë e mendimit?

Apo udhën dhe shortin që pata
E shterr teksa kthehem vërtik;
Atje të dashuroj nuk munda,
Këtu të dashuroj – kam frikë…

_________
“E urrej dritën e mekur /Të yjeve të rralla…”. Poeti hyn në betejë me yjet, ndërton kambanoren me shtizë, që të shpojë vetë qiellin (Shih. Manifestin e O. Mandelshtamit “Mëngjesi akmeist” “Aleph” 2, 1997: “Shtiza e mirë e kambanores gotike është e keqe, sepse gjithë kuptimi i saj është – të shpojë qiellin, në shenjë qortime ngase ai është i zbrazët) – porse beteja është e pashpresë, bota e këtushme për poetin është shumë e rëndë, e Epërmja është tepër e paskajtë. Imazhi i Yjeve identifikohet prej Mandelshtamit me imazhin shtypës të përjetësisë.

Perkthim dhe komente A. TUFA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *