Një shtëpi e veçantë, në qytetin e gurtë të Gjirokastrës, ka hapur dyert si muze në fillim të këtij viti. Në lagjen “Palorto”, fare pranë “Sokakut të të marrëve”, mirëpret vizitorët “Shtëpia Kadare”, ku ka lindur edhe ka jetuar pjesën e parë të jetës shkrimtari i njohur shqiptar. Ky përurim u bë me rastin e 80-vjetorit të lindjes së Ismail Kadaresë dhe nisjes së aktiviteteve kulturore në kuadër të vitit 2016, që është shpallur nga Ministria e Kulturës “Vit i Ismail Kadaresë”.
Rrugët e Gjirokastrës, për të cilin qytet Kadare shkruan: “Ky është një qytet i pjerrët, ndoshta më i pjerrëti në botë, që i kishte thyer të gjitha ligjet e urbanistikës”, kanë plotë tabela që të drejtojnë për tek kjo shtëpi, sepse muzeu “Shtëpia Kadare” po shërben për gjallërimin e jetës kulturore të qytetit, për të tërhequr më shumë përkthyes dhe shkrimtarë të njohur ndërkombëtarisht, por edhe të rinj të talentuar në fushën e letrave dhe turistë tjerë kureshtarë.
Siç tregon ciceronia e këtij muzeu, kjo shtëpi ka pasur jashtëzakonisht shumë vizitorë, sidomos gjatë verës, përfshirë këtu vendas, shqiptarë nga gjitha vendet shqipfolëse, mërgimtarë, por edhe vizitorë të huaj nga shumë vende të botës që e njohin krijimtarinë letrare të Ismail Kadaresë.
“Nuk mendonim as ne se do vinin kaq shumë njerëz, meqë shtëpia u inaugurua në fillim të janarit dhe guidat turistike nuk kanë arritur ta shikojnë në nëntor dhe në dhjetor, sepse s’ishte hapur ende, megjithatë vizitorë ka pasur plotë dhe kjo na bën shumë të lumtur”, thotë ajo, duke shtuar se ky vend tashmë është adresa e gjitha aktiviteteve tjera artistike, kulturore e letrare të qytetit të Gjirokastrës.
Druri dhe guri janë kryefjala e kësaj shtëpie që përshkruhet aq mirë në romanin “Kronikë në gurë”. Shtëpia është tre kate dhe ka edhe një pjesë nën dhe. Nën tokë, afër qilarit të vogël, gjendet një galeri e fshehtë me qemere guri, ku hyrja bëhet përmes një vrime të fshehët. Në këtë vend janë ruajtur gjërat e çmuara si armët, por që në raste nevoje këtu janë strehuar edhe njerëzit.
Nënmesorja, siç e quan Kadare, në katin përdhes, ka tri harqe, nga ku është edhe një dalje për në oborr, ku gjendet një pus i thellë uji. Kati i dytë i shtëpisë përdorej për banim dhe ka një odë të mysafirëve, që është një dhomë e madhe, si në çdo shtëpi tjetër tipike shqiptare.
Me kujdes është ruajtur dhe restauruar edhe dhoma ku ka ardhur në jetë shkrimtari Ismail Kadare. Shtëpia ka edhe djepin ku janë përkundur fëmijët e familjes Kadare, përfshirë edhe Ismailin. Në katin e tretë dhe të fundit gjenden dhomat dimërore, siç i quajnë në Gjirokastër, apo dhomat e zjarrit. Projekti i restaurimit është kryer nën vëzhgimin e arkitektit Agron Doraci, që njëherësh është edhe fqinj i shkrimtarit.
Ajo që duhet t’i ketë rënë në sy secilit vizitorë të kësaj shtëpie është mungesa e kompletit të veprave të shkrimtarit, fillimisht në gjuhën shqipe, e pastaj edhe botimet në gjuhë të ndryshme të botës të veprave të tij, apo edhe dorëshkrimet. Por menaxhuesit e këtij muzeu na bënë me dije se kjo është një çështje kohe dhe se tashmë janë angazhuar një grup arkitektësh ndërkombëtarë për të dizajnuar planin e një biblioteke që do të sistemohet në këtë shtëpi, me krijimtarinë e plotë të Kadaresë, por edhe me disa libra të shkrimtarëve të tij të preferuar. Në anën tjetër, në dhomat që janë dekoruar me dru, vizitorët mund të shohin fotografi nga fëmijëria e hershme e shkrimtarit dhe libra që të tjerët kanë shkruar për të dhe piktura të shumta.
Gjirokastra është qytet që i ka dhënë shqiptarëve figura të rëndësishme, siç janë Eqrem Çabej e Musine Kokalari, e në anën tjetër nga po ky qytet vjen edhe ish-diktatori shqiptar, Enver Hoxha, por Kadareja është simbol unik i këtij qyteti që çmohet dhe nderohet lartë nga gjirokastritët. Bashkia e qytetit pritet t’i ngre një shtatore shkrimtarit në një nga sheshet qendrore të qytetit. Kështu ka deklaruar muaj më parë kryetarja e Gjirokastrës, Zamira Rami.
Ismail Kadare është autor i shumë veprave në poezi e prozë, laureat i shumë çmimeve kombëtare, kandidat i çmimit Nobel për shumë vite me radhë, anëtar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë dhe anëtar i Akademisë Franceze të Shkencave Morale. Vepra e Kadaresë është përkthyer në mbi 40 gjuhë të huaja.
Që nga viti 1994 ai ka vënë shtëpinë e tij në shërbim të qytetit përmes një letre publike drejtuar kryetarit të atëhershëm të Gjirokastrës, Bashkim Finos. (Argjenda Selmani-Zeri)