Zef Zorba
Tërë ditën e lume flakëruese zhbirilove
dihatjen e rrugës nën tym; edhe shpresove.
Por vorbuj ngashërimi pe, foshnje vajtuese
për gjinjtë e shterruar, sy t’ulur përdhe
që zbardhen e thahen po vrejten qiellin,
krijesa shtijake pa buzë, e çatalla
dhëmbët e verdhë. Ngut. Rrotullohen: “Makina!”
Përplasen: “T’i fus thonjët në fyt!…
(Oh, jeta rrokoll e rrokoll !)
Plandoset mbi pluhur muzgu,
pemët hollohen e shtëpitë,
të murrme e të sheshta, ndehem
në plumbin e mugët të qiellit,
përgjumen. E ti? Me syrin e skuqur
çka pret se po gjen?
Ja, faqe të zeshkëta djersa e tharë
kriposë,
e hapa të lodhur fërkojnë kalldrëmin,
në pikëllim të humbjes shuhen
mbrapa dyersh: “Mo-zo më keq!” _
Taverna tash është mbyllë. Të dehurin
hijet e trembin e thërret:
“Nënën…” Te qoshja
dashnorët…por ikin shpejt. Vetëm
ti mbete
me rrugën përposh, vetëm;
ju të vetmuarat!
(Oh, kjo jeta, rrokoll e rrokoll!)
Shkëputur nga vëllimi poetik “Buzë të ngrira në gaz”,