Gabimet gramatikore gjatë përdorimit të gjuhës standarde shqipe, sidomos gjatë ndërtimit të fjalisë, si në të shkruar, ashtu edhe në të folur, nga përdoruesit e kësaj gjuhe në Kosovë, studiuesit e gjuhës shqipe i vlerësojnë si çështje mjaft problematike.
Gabimet në të shkruar të gjuhës standarde shqipe dhe në komunikim bëhen që nga qytetarët e rëndomtë e deri te krerët e institucioneve të Kosovës. Këta të fundit, në publikimet e tyre në rrjetet sociale, bëjnë gabime të shumta drejtshkrimore.
Gabime drejtshkrimore mund të gjenden edhe në tekstet shkollore, si dhe në shumë dokumente të tjera, të cilat bëhen publike nga organizatat dhe mekanizmat tjerë në Kosovë.
Rrahman Paçarizi, ligjërues në Fakultetin e Filologjisë, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, thotë se problemi kryesor i gabimeve të shumta drejtshkrimore që bëhen nga përdoruesit e gjuhës shqipe, është cilësia e dobët e arsimimit në shkollën fillore dhe të mesme.
“Një faktor tjetër që ndikon për gabimet e shumta drejtshkrimore, është edhe baza dialektore e gjuhës standarde, e cila është shumë e largët për gegërishten dhe mendoj që iu shkakton telashe shtesë folësve të gegërishtes. Duhet theksuar se probleme me drejtshkrimin nuk kanë vetëm folësit në Kosovë, por edhe ata në Shqipëri. Përveç nivelit të ulët të shkollimit, problemi është edhe te hapja e standardit ndaj varieteteve tjera gjuhësore”, thotë Paçarizi.
Mangësitë gjatë përdorimit të drejtë të gjuhës, sipas Shkumbin Munishit,profesor në Universitetin e Prishtinës, dega e Gjuhës Shqipe, thotë të jenë refleksion i edukimit të mangët gjuhësor që kanë njerëzit në Kosovë.
“Njerëzit në jetën e tyre të përditshme, në komunikimin e përditshëm, të zakonshëm përdorin një varietet të dialektit verior të shqipes. Në anën tjetër, në situatat tjera formale, përdorin gjuhën standarde që e kanë mësuar në shkollë. Por, duket se në këtë pikë ka ngecje sa i përket mësimit të gjuhës standarde, dhe prandaj lindin këto probleme, qoftë në përdorimin e gjuhës shqipe standarde në të shkruar dhe në të folur”, thotë Munishi për Radion Evropa e Lirë.
Vite më parë, Universiteti i Prishtinës e kishte parë të nevojshme përfshirjen e gjuhës shqipe si lëndë të obliguar në të gjitha njësitë akademike. Vendimi për përfshirjen e gjuhës shqipe në të gjithë Fakultetet, ishte bërë pasi që ishin vërejtur se kultura e shprehjes gjuhësor te studentët ishte nën nivelin e dëshiruar.
Këtë vendim të Universitetin të Prishtinës, profesor Rrahman Paçarizi e quan të panevojshëm, pasi, që sipas tij, metodologjitë e mësimit të drejtshkrimit mësohen në ciklin e ulët të shkollimit.
“Ky është një nga vendimet më absurde që janë marrë nga Universiteti i Prishtinës, meqë problemi nuk qëndron tek universiteti, por problemi duhet të zgjidhet në shkollat fillore dhe të mesme, aty duhet të avancohen metodologjitë e mësimit të drejtshkrimit dhe të gjuhës në përgjithësi, por edhe duhet të eliminohen rregullat e shumta të drejtshkrimit të shqipes, të cilat krijojnë shumëkuptimësi, dykuptimësi e të tjera”, vlerëson Paçarizi.
Edhe profesor Shkumbin Munishi, konsideron se për të përmirësuar edukimin gjuhësor, përpjekjet duhet të shtohen në shkollat fillore dhe ato të mesme.
“Na mungon një vetëdijesim i popullatës lidhur me përdorimin e gjuhës sipas situatave dhe funksioneve të caktuara që i kanë gjuhët. Mund të quhet situatë alarmante, sa i përket edukimit gjuhësor dhe këtu konsideroj që ka hapësirë të mjaftueshme për përmirësime sa i përket mësimit të gjuhës shqipe në institucionet arsimore nga ana e nxënësve”, thekson Munishi.
Në anën tjetër, qytetarë të intervistuar nga Radio Evropa e Lirë thonë që nevojitet angazhim më i madh për edukimin gjuhësor të nxënësve.
Gëzim Shabani një qytetar nga Prishtina, thotë se niveli i edukimit gjuhësor në Kosovë është nën nivelin duhur.
“Ne, qytetarët e Kosovës, kemi mjaft probleme në të folurit dhe në të shkruarit e gjuhës sonë amtare. Bëjmë gabime të shumta të gjithë, edhe nga njerëzit intelektualë bëhen gabime drejtshkrimore”, thotë ai
Ngjashëm, shprehet edhe Avdullah Berisha:
“Po, gabime në të folur dhe në të shkruar drejt të gjuhës shqipe ka kudo, në televizion,në radio, e në gazeta, pastaj gabime ka kudo. Kjo është për t’u shqetësuar, gjuha amtare duhet të flitet e shkruhet sipas rregullave gramatikore”.
Ndryshe, në hulumtimet e bëra për çështjen e arsimit në Kosovë nga organizatat vendore dhe ndërkombëtare, vazhdimisht ishte vlerësuar se cilësia e arsimit në Kosovë nuk ishte në nivelin e duhur./REL