“Theatre of the day” në bashkëpunim me Teatrin Kombëtar dhe Cirkun Kombëtar do të prezantojnë në datën 10 – 11 Dhjetor shfaqjen “Qejfharami” me autor dhe regji nga Armand Bora. Kjo shfaqje teatrore është ndërtuar duke u mbështetur mbi parimet e Teatrit Polifonik. Ky teatër dallon për mënyrën se si aktori përdor trupin e tij, xhestet dhe lëvizjet skenike.
Drama satirike “Qejfharami” është një ritrajtim modern i mitit të Edipit. Personazhi i Edipit është çmitizuar dhe është vendosur në situata dhe rrethana që zbulojnë anë komike dhe groteske të tij. Historia e këtij Edipi mbivendoset me situata dhe rrethana që kanë jetuar personazhe të tjerë të rëndësishëm në historinë e njerëzimit. Portretet e perandorit Kaligula, Makbethit, Stalinit apo e diktatorëve të tjerë modernë bashkohen bashkë për të sjellë në një polifoni ngjyrash dhe tingujsh, portretin e vërtetë të një pushtetari. Në dramë ka edhe një linjë lirike ku marrëdhënia midis Djalit dhe Vajzës në prag të martesës merr një kthesë dramatike si rrjedhojë e vendosjes së ligjit të Qejfharamit. Sipas këtij ligji, në një situatë kur të gjithë meshkujt janë të infektuar nga murtaja e kuqe, detyrohet çdo femër e martuar që fëmijët t’i bëj me mbretin Edip si i vetmi mashkull i pastër dhe i pa prekur nga murtaja. Për të bërë të mundur ndalimin e këtij ligji, Djali vendos të hyjë në guvën e Qorrit duke lexuar sekretet e Tebës dhe duke zbuluar prejardhjen e infektuar të mbretit Edip. Pas leximit të sekreteve Djali humbet shikimin dhe i verbër i rrëfen të vërtetën Edipit duke i kërkuar largimin nga pushteti. Teksti tenton të shpjegojë dhe t’u japë përgjigje disa prej problemeve që vuajnë shoqëritë postdiktatoriale.
Shfaqja është punuar dhe do të prezantohet për publikun në arenën e Cirkut Kombëtar. Një element tjetër që e bën të veçantë këtë produksion është edhe vendimi për të dhuruar një pjesë nga të ardhurat e shitjes së biletave në ndihmë të disa familjeve në nevojë duke bashkëpunuar dhe bashkëvepruar me organizata dhe shoqata që veprojnë në këtë fushë. Kostumet e realizuara nga Anila Zajmi Katanolli janë të konceptuara mbi të njëjtat parime estetike dhe filozofike që është ndërtuar shfaqja.
Për realizimin e shfaqjes është punuar duke u ushtruar me teknikat e arteve marciale dhe teknika të artit të cirkut. Përdorimi i maskave dhe kukullës i jep shfaqjes, njëkohësisht edhe dimensionin antik dhe atë modern. Edhe përdorimi i imazheve filmike vjen si rezultat i nevojës për të theksuar pikat e takimit të personazheve të veprës me personazhe të tjerë artistik apo historik.
Në rolin e Edipit është Aleks Seitaj, në rolin e Djalit është Edvin Mustafa, në rolin e Shefit është Shegushe Bebeti, në rolin e Shitësit është Suela Bako, në rolin e Oborrtarit ësht Anila Muçaj, në rolin e Vajzës është Jorida Meta, në rolin e Nënës mbretëreshe ështe Rexhina Mollaymeri’ ndërsa formulimi muzikor është i Sokol Marsit, lëvizja skenike e Fatjon Sulstarovës, mjeshtër i artit marcial Shihan Enver Cakiqi, mjeshtër i cirkut Kujtim Dumi; maskat janë realizuar nga Merita Spahiu.