Drama “Marta” dhe historitë e elitës që duhet të paguante 10 mijë lekë

Nga Anila Basha

Kisha disa ftesa për “Marta”, për të parë dramën që në fakt tregon dramën e femrës shqiptare.

Në sallë, si në premierë, pashë shumë gra dhe vajza që si puna ime, nuk kanë pasur ndonjë dramë madhore mbi veten e tyre. Përkundrazi, vajza e gra që i “llastoheshin” me lezet njëra tjetrës, u buzëqeshnin kamerave, dhe në dukje, ishin pjesë e elitës së pavuajtur, të asaj pjese që personifikon “Marta” në dukje në skenë, e që në realitet është më rëndë se aq. Aq më tepër me synimin që secila prej tyre duhet të paguajë 1000 lekë biletën, dhe në gratë dhe vajzat që ishin present aty, askush nuk e kishte problem këtë shumë parash, që do të shkonte, dhe shumë mirë, për Spitalin Pediatrik. Për “Martën” pata dy perceptime: realizuese dhe organizative.

Drama synonte në kohëra të ndryshme të paraqiste fakte tronditëse të nënshtrimit të gruas. Pati momente, që gruaja nuk m’u duk aq e nënshtruar, përkundrazi, arrogante. Realiteti i kamufluar mes tre personazheve “2 Martave” të kohëve të ndryshme dhe mashkullit të interpretuar nga Kastriot Shehi, nuk më dhanë idenë e përhershme të nënshtrimit. Për ta thënë troç, Marta njëherë ishte superior dhe dhunuese, e një herë e dhunuar. Marta, pra, varej nga mosha, jo nga bota e vuajtur e saj. Ideja ishte e gjetur. Yllka Mujo, Eglantina Cenome dhe Kastriot Shehi e mbajtën publikun “varur” nën idenë se çdo i ndodhte Martës, dhe sa tragjike do të ishte drama e saj për të shkuar, jo vetëm tek vetëflijimi (siç ishte rasti i rifutjes në fuçi) por edhe e nënshtrimit. Ideja e dëshpërimit, dukej se e gjente veten tek Yllka Mujo dhe te shishja e alkoolit herë pas here dhe që duhet thënë, rrallë mund të ndodhë kjo te vuajtja e femrës shqiptare në realitet, e sidomos prej andej nga na vjen subjekti i propozuar.

Në aspektin organizativ të shfaqjes, kishte disa përjetime personale të miat që me zor i kuptova. Aktorët shpeshherë futeshin thellë brenda skenës sa ishte e vështirë t’u dëgjoje zërat dhe batutat që duhet të vinin te publiku, elitar i zgjedhur (duhet thënë se në sallë ishin dy ministra, ajo e Kulturës, dhe ai i drejtësisë). Duke mos i kuptuar, zorshëm arrije të kapje “fillin” e asaj që ndodhte më vonë. Dhe si për dreq, në një moment të caktuar, salla ftohet aq shumë, saqë njerëzit u detyruan të vishnin palltot dhe të mërziteshin nga ajo që po u servirej si elitare. E si për dreq pak më vonë, m’u krijua ideja sikur duhet të shkonin të paktën 1/10 e atyre që ishin ftuar në spital.

Filloi një kollë që nuk pushonte, ku e nisi një nga spektatorët, e deri në fund të shfaqjes na përndoqi të gjithëve me radhë. Me pak fjalë, nuk e di sa e shijuan “Martën” gratë e burgosura në sallë, por në Teatrin Kombëtar, kemi parë edhe më mirë se kaq.

Ky mund të jetë një përjetim emocional dhe askush nuk ia heq të drejtën spektatorëve elitarë që kishin mbushur sallën të mendojnë ndryshe; madje as tre aktorëve që për një orë e gjysëm i mbajtën të gjithë në sallë me një interpretim shumë të mirë. Them, se nëse do kishte kaq investim për një shfaqje, ajo mund të ishte realizuar shumë herë më mirë. / Anila Basha eshte Drejtore e newsbomb.al

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *