Romela Begaj ka reaguar pas publikimit të rezultateve të testit B, që e nxirrnin atë sërish pozitive me doping.
Ajo ka mohuar kategorikisht që të ketë marrë substancën e ndaluar, duke u betuar para mediave edhe mbi Kuran.
Begaj është përlotur teksa betohej dhe tregonte se ka fituar edhe në kushte kur mund të ketë qenë pa bukë.
“Kam marrë librin më të shenjtë e më të fuqishëm në botë sot që është Kurani. Besoj deri në ditën e fundit, betohem para flamurit, popullit tim. Unë kam një emër Romela Begaj.
Duart e mia se kanë prekur kurrë atë lloj substance. Betohem për Kuranin dhe dy njerëzit më të shtrenjtë, se gjithë medaljet i kam marë me gjak, me bukë e pa bukë”, tha Begaj.
Ajo ka akuzuar edhe shtetin që e ka braktisur. Begaj deklaron se “bota e tretë mundi botën e parë”, duke hedhur dyshime se i kanë bërë padrejtësi pasi triumfoi.
“Më vjen keq që kam lindur në një vend që shtet nuk ka. Për një moment, me ditë me shi unë isha krenaria, por sot unë jam harruar e nuk jam më. Unë medaljet Shiqpërisë ja solla. Këtë sakrificë e kam bërë për fmailjen, për këtë flamur që kam ngritur në arenën botërore. Asnjë sportist nuk hidhet poshtë si këtu në Shqipëri, kemi dhënë gjak për këtë flamur”, deklaroi ajo.