Ditari i Sarandës/ Një parajsë e fshehur kulinarike

Nga Enver Robelli

Në pamjet e vjetra televizive Ksamili është një fshat i vogël, i rrethuar me agrume – domethënë: me portokaj, limonë, mandarina, nerënxa. Atëherë më të rëndësishme ishin plantacionet me fruta se tre ishujt e famshëm, që prej vitesh, gjatë korrikut dhe gushtit, popullohen brutalisht nga turistët dhe – në fakt – nuk duhet preferuar atyre turistëve që duan të pushojnë pa zhurmë dhe me pak stil.

Kur ra komunizmi plantacionet u shkatërruan, njerëzit kërkuan perspektivë ekonomike në Greqi. Ksamili dhe fshatrat përreth mbetën djerrinë. Por gjërat kanë ndryshuar. Në treg dhe në restorante ka gjithnjë e më shumë pemë e perime vendore, me shije të mirë, shpesh të jashtëzakonshme. Njerëzit, aty-këtu, i janë kthyer edhe blegtorisë, por jo sa duhet. Ende importohet tepër (sidomos nga Greqia dhe Italia), ndonëse së paku me pemë, perime, peshk dhe me mish jugu i Shqipërisë do të mund të furnizonte zonat bregdetare të frekuentuara nga turistët. Ku të hamë në Sarandë? Është një pyetje që shpesh ma bëjnë turistë nga Kosova dhe diaspora në Zvicër e Gjermani.

Në vijim disa propozime krejt subjektive, por ndoshta të dobishme.

Adresa e parë mbetet ende «Gërthela»: një restorant në qendër të Sarandës, i cili ofron specialitete të peshkut, verë të mirë (kryesisht të importuar), sallata të freskëta. Personeli është i përkushtuar në punë dhe i gatshëm për sugjerime. «Gërthela» punon gjatë tërë vitit, andaj verës nuk bie në sy ndonjë improvizim, siç shihet në shumë lokale në Sarandë. Por për këtë nuk duhet fajësuar shumë pronarët e restoranteve. Ku të gjejnë ata të shkretë kamerierë të mirë, kur sezoni zgjat dy muaj?)

Befasi pozitive sivjet është restoranti i Bougainville Bay Resort. I menaxhuar nga një grup italianësh lokali ofron gatime – kuptohet – italiane. Personeli shërbyes është shumë i përzemërt, kryesisht profesionist dhe i gatshëm për të plotësuar shumë dëshira kulinarike. Dallimi me vitin e kaluar s’ka si të jetë më i madh: më 2015 restorantin e menaxhonin disa djem të pakujdesshëm, të cilët lëre që s’ofronin ndonjë gjë të hairit për të ngrënë, por e patën shndërruar resortin në një arenë për muzikë tekno, e cila përzinte edhe mysafirët shurdhmemecë. Vera e bardhë që ofrohej vitin e kaluar ishte një kombinim mes naftës dhe uthullës.

Sivjet gjërat kanë ndryshuar. Vera është cilësore. Italiane. Pastaj: të hash këtu një tepsi me midhje – është një festë për jetën. Makarona me karkaleca dhe mendër – pak më shumë se festë për jetën. Çmimet për klientelën perëndimore janë më shumë se të arsyeshme. Kafja (80 centë) është pothuajse falas, sidomos kur kujton çmimet e kafesë në Zürich: mes 4 dhe 6 euro.

Ndër restorantet që duhet vizituar patjetër në Sarandë është «Atlantis Lounge». Natyrisht edhe këtu në meny dominon peshku, për shembull peshku i egër i pjekur në kripë. Një specialitet tjetër: tavë me karkaleca.

Vitin e kaluar për kuzhinën e mirë shquhej restoranti «Harmony». Sivjet s’kishte më karkaleca në uzo dhe në përgjithësi cilësia e gatimeve kishte rënë, ndonëse kamerieri thoshte se «kemi bërë ca përparime». Ndoshta rezultati i këtyre përparimeve do të shihet tek në vitin 2017.

Në fund një propozim më i veçantë: për të mos kaluar kohën vetëm në Sarandë apo te Syri i Kaltër ia vlen të merrni rrugën për në Delvinë dhe të ndaleni sapo të shihni një xhami të re, mjaft futuriste për nga arkitektura. Para faltores myslimane gjendet një restorant i famshëm për mish. Dhe për të gjitha ato pijet me të cilët shtyhet mishi. Impozant është edhe një ashensor me të cilin kamerierët bartin mishin – nga bodrumi në restorant.

Saranda është njëfarë parajse kulinarike që kërkon pak talent për zbulim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *