Diktatorët janë gra! Diktatura është forma më e plotë e xhelozisë!

Curzio Malaparte (1898-1957)

Ç’është e vërteta, shpirti i Hitleri është shpirt thellësisht femëror: zgjuarsia e tij, ambiciet e tij, vetë vullneti i tij, s’kanë asgjë burrërore. Ai është një burrë i dobët që gjen strehë te brutaliteti për të fshehur mungesën e energjisë, dobësitë e tij befasuese, egoizmin e tij të sëmurë, krenarinë e tij pa rrugëdalje. Diçka që ndeshet te të gjithë diktatorët, diçka që është një prej tipareve karakteristike të mënyrës së tyre të të konceptuarit të marrëdhënieve mes njerëzve dhe ngjarjeve, është xhelozia e tyre: diktatura nuk është vetëm një formë qeverisjeje, është forma më e plotë e xhelozisë, në anët e saj politike, morale dhe intelektuale. Si të gjithë diktatorët, Hitleri udhëhiqet më fort prej pasioneve se prej ideve. Sjellja e tij ndaj partizanëve të vet më të vjetër, – atyre trupave sulmuese që e kanë ndjekur qysh prej çastit të parë, që i qëndruan besnike në fatkeqësi, që ndanë me të poshtërimet, rreziqet dhe burgun, dhe që patën qenë fuqia e tij dhe lavdia e tij, – sjellja e tij ndaj tyre nuk mund të përligjet veçse prej një ndjenje për të cilën bëjnë habi tërë ata që nuk e njohin natyrën e veçantë të diktatorëve, psikologjinë e tyre të dhunshme dhe njëherësh frikaçe. Hitleri është xheloz ndaj atyre që e kanë ndihmuar të bëhet figurë rrafshi të parë në jetën politike gjermane: ia ka frikën krenarisë së tyre, energjisë së tyre, shpirtit të tyre luftarak, atij vullneti trimëror dhe të çinteresuar që i bën trupat sulmuese hitleriane një instrument të mrekullueshëm për marrjen e shtetit. Ai shtie në punë tërë egërsinë e tij për të poshtëruar krenarinë e tyre, për të mbytur lirinë e tyre të ndërgjegjes, për të errësuar meritat e tyre vetjake, për t’i bërë partizanët e tij shërbëtorë pa farë dinjiteti. Si të gjithë diktatorët, Hitleri do vetëm ata që mund t’i poshtërojë. Ambicia e tij është që, një ditë, të mund e të zvetënojë, poshtërojë, skllavërojë mbarë popullin gjerman: në emër të lirisë, të lavdisë dhe të fuqisë së Gjermanisë.

Ka diçka të turbullt, të dyshimtë, seksualisht të sëmurë në taktikën oportuniste të Hitlerit, në atë zëtin e tij për dhunën revolucionare, në urrejtjen e tij për çdo formë të lirisë e të dinjitetit individual. Në jetën e popujve, në zezonat e mëdha, mbas luftërave, pushtimeve, zive të bukës, ka gjithmonë një njeri që del nga turma, që vendos vullnetin e tij, ambiciet e tij, mllefet e tij, dhe që “hakmerret si grua” mbi tërë popullin e tij, për lirinë, për lumturinë dhe për fuqinë e humbur. Në historinë e Europës është radha e Gjermanisë. Hitleri është diktatori, gruaja që Gjermania meriton. Arritjet e Hitlerit, magjia e tij mbi turmën, ngazëllimi që ai ngjall te rinia gjermane, shpjegohen pikërisht me elementin e tij femëror. Në sytë e masave nacionaliste Hitleri është një evlià, një asket, një mistik i aksionit, një biçim shenjtori. “Il ne court sur son compte aucune histoire de femme” (“Nuk qarkullon për të asnjë histori gruaje”) pohon njëri prej jetëshkruesve të tij. Më sak do të duhej thënë, për diktatorët, se për ta nuk qarkullon “aucune histoire d’homme” (“asnjë histori burri”).

Ka nganjëherë, në jetën e një diktatori, çaste që ndriçojnë fundin e turbullt, të sëmurë, seksual, të fuqisë së tij. Janë kriza që zbulojnë gjithë elementin femëror të karakterit të tij. Në marrëdhëniet mes një diktatori dhe partizanëve të tij ato kriza shfaqen më së shpeshti me rebelimin. I kërcënuar që edhe atë ta vënë poshtë ata që ai i ka poshtëruar e robëruar, diktatori mbrohet me energji të jashtëzakonshme ndaj rebelimit të partizanëve të tij: është gruaja që mbrohet brenda tij. Cromwelli, Lenini, Mussolini, i kanë njohur të gjithë këto kriza. Cromwelli s’ka ngurruar të përdorë hekurin dhe zjarrin për të shtypur rebelimin e “niveluesve”, atë takëm komunistësh anglezë të shek. XVII. Lenini nuk pati farë mëshire për marinarët kryengritës të Kronshtadtit. Mussolini u dëftua i ashpër fort ndaj këmishëzinjve të Firences, rebelimi i të cilëve zgjati një vit, deri në vigjilje të tetorit 1922. Çudi për t’u çuditur që Hitlerit të mos i jetë dashur ende të luftojë kundër një rebelimi të përgjithshëm të trupave të tij sulmuese. Revoltat e pjesshme që prej disa kohësh ndjekin njëra-tjetrën gjithandej nga pak në Gjermani, në radhët e trupave sulmuese hitleriane, janë ndoshta shejnitë e para të krizës së pashmangshme. Oportunizmi, në një revolucion, është tradhti që paguhet. Mjerë diktatorët që vihen në krye të një ushtrie revolucionare dhe zbythen para përgjegjësisë së një grushti shteti. Ka të ngjarë që ata, me dinakëri dhe kompromis, t’ia dalin në anë dhe ta marrin pushtetin në mënyrë legale, por diktaturat që janë rezultat i një kombinimi nuk janë veçse gjysmëdiktatura. Ato nuk e kanë jetën të gjatë. Legjitimiteti i një diktature nuk qëndron veçse në dhunën revolucionare: pikërisht grushti i shtetit ia jep forcën për t’u instauruar fort dhe në mënyrë të qëndrueshme. Hitleri ndoshta e ka të thënë të mbërrijë në pushtet me një kompromis të llojit parlamentar: për t’i dalë përpara rebelimit të trupave të tij sulmuese nuk i mbetet veçse t’i shmangë ato nga marrja e shtetit, duke e zhbartur detyrën e tyre revolucionare nga rrafshi i politikës së brendshme në atë të politikës së jashtme. A nuk është bërë, prej disa kohe, argument kryesor i gojëtarisë së Hitlerit problemi i kufijve të Lindjes? Nuk është pa rëndësi që e ardhmja e Gjermanisë të varet nga një kompromis parlamentar më fort se nga një grusht shteti. Një diktator që s’guxon të fusë në dorë pushtetin me dhunën revolucionare nuk do të duhej t’i shtinte frikë një Europe të Perëndimit, të vendosur për të mbrojtur lirinë e saj deri në fund, deri më një.

SHËNIM PËR BOTIMIN E VITIT 1948

Nuk kam asgjë për t’i ndryshuar asaj çfarë shkruaja për Hitlerin këtu e tetëmbëdhjetë vjet të shkuar, mes dhjetor 1930 dhe prill 1931, në kreun që lexuesi sapo lexoi. Në janar të 1933-shit Hitleri nuk e mori pushtetin në Gjermani me anë të një grushti shteti, por me anë të një kompromisi parlamentar, falë bashkëfajësisë së Hindenburgut dhe të Von Papenit. Në qershor 1934, ndërsa isha i internuar në ishullin e Liparit, mora vesh nga gazetat që Hitleri, gjatë “spastrimit” të tij të famshëm, kishte shfarosur bashkëpunëtorët e tij më të vjetër, “dorën e fortë”, ekstremistët e partisë nacionalsocialiste. Kisha parashikuar, dhe paralajmëruar, rebelimin dhe përfundimin tragjik të krerëve të trupave sulmuese hitleriane. Gjatë jetës sime nuk e kam parë kurrë, dhe as takuar, Hitlerin: portreti që i kam bërë, këtu e tetëmbëdhjetë vjet më parë, mbetet befasues për nga intuita.
Gjatë zgjedhjeve politike gjermane të vjeshtës 1932 muret e tërë qyteteve dhe të të gjitha lagjeve të Gjermanisë qenë gdhirë të veshura me afishe të Frontit demokratik antinazist, në të cilat, nën titullin: “Si e gjykon Hitlerin dhe nazizmin shkrimtari italian Curzio Malaparte”, qenë shtypur me shkronja të mëdha fjalitë më fyese të kapitullit për Hitlerin. Kopje të atyre manifesteve m’u patën dërguar, si provë për krimin tim, nga Drejtori i Zyrës së Shtypit të Kryeministrit, Lando Ferreti, të shoqëruara me këto fjalë të thjeshta: “Shih se ç’ke bërë!” Se ç’kisha bërë e mora vesh mbas pak kohe, në qelinë nr. 471 të krahut V të burgut “Regina Coeli”.

Nga: “Teknika e grushtit të shtetit” © shqip Aurel Plasari

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *