Deti Adriatik si lidhës dhe përshkues i kulturave të vendeve në brigje të tij: “Deti epet për t’u përshkuar” është emërtuar nisma e Rajonit të Puglia-s, Fondacionit Gramsci në Puglia, Shtëpisë Botuese Besa (pjesë e Salento Books) në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë, Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Itali, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Konsullatës shqiptare në Milano, Ministrisë së Kulturës së Malit të Zi për prezantimin e promovimin e letërsisë shqipe dhe asaj malazeze në Itali, si dhe intensifikimin e bashkëpunimit ndërterritorial mes këtyre vendeve në fushën e kulturës.
Promovimi i kësaj nisme do të bëhet në Panairin e botuesve italianë në Milano – Tempo di Libri – që do të zhvillohet nga data 19 deri me 23 prill. Përveç ekspozimit të librave nga letërsia shqipe pranë stendës së Rajonit të Puglia-s, më datë 21 prill do të zhvillohen edhe tre takime të rëndësishme për letërsinë shqipe dhe bashkëpunimin kulturor mes Shqipërisë, Italisë dhe Malit të Zi.
Takimi i parë “Afërsia dhe letërsia. Promovimi i letërsisë shqipe në Itali” ku do të jenë të ftuar për të diskutuar Ambasadorja e Republikës së Shqipërisë në Itali, zj. Anila Bitri Lani, profesori i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Universitetin e Kalabrisë, Francesco Altimari, drejtuesi i shtëpisë botuese “Besa” Livio Muci, shkrimtari Arben Dedja nën moderimin e bashkëpunëtores së Albania Neës dhe presidentes së shoqatës MIGRA unlus, Sonila Alushi, do të zhvillohet në orën 12:00 në pavijonin 4, N 24 / O 23. Të ftuarit do të diskutojnë rreth mundësisë së përkthimit dhe promovimit të letërsisë shqipe në gjuhën italiane: ndihmesa e komunitetit arbëresh si rrugë lidhëse mes kulturës shqiptare dhe asaj italiane, politikat shtetërore në mbështetje të promovimit të letrave shqipe, nismat private të botuesve italianë në bashkëpunim me botuesit shqiptarë, si dhe aftësisë dhe mundësitë e autorëve shqiptarë për promovimin e letërsisë së tyre jashtë vendit.
Takimi i dytë, i iniciuar nga Ministria e Kulturës dhe Biblioteka Kombëtare, në vijim të projektit vjetor të këtyre dy insitucioneve mbi promovimin e figurës dhe veprës së Musine Kokalarit në përvjetorin e 100 të lindjes së saj, ku do të jenë të ftuar profesori i asociuar i Antropologjisë në Universitetin e Mesinas, Mauro Geraci, hartues i botimit në gjuhën italiane të librit “Musine Kokalari, jeta ime universitare. Kujtimet e një shkrimtareje shqiptare në Romën fashiste”, si dhe profesori i Filozofisë moderne në Universitetin Urbanian në Romë, Adrian Ndreca, në bisedë me Mimoza Hysën, drejtore e Drejtorisë së Krijimtarisë së Fjalës dhe Përkthimit në Ministrinë e Kulturës, do të zhvillohet në orën 14.00 në po në njëjtën stendë.
Takimi do të zhvillohet nën siglën D si Disidenca, në përshtatje me hartën e tematikave sipas shkronjave të alfabetit të hartuar nga organizatorët e panairit të librit në Milano. “Musine Kokalari – vetëdija e shkrimit dhe qëndresës” është dhe tema për të cilën do të diskutohet duke u përqëndruar tek figura e Musine Kokalarit si shkrimtarja e parë në letrat shqipe, me një vetëdije të qartë për shkrimin e letërsisë, si intelektuale e shquar e aktive në jetën sociale e kulturore të vendin, si politikane bashkëthemeluese e Partisë Social-Demokrate, dhe si një prej figurave më dinjitoze të qëndresës kundër diktaturës komuniste. Në fokus të bisedës do të jetë libri i Musine Kokalarit me kujtimet e viteve të shkollimit të saj në Romë, i shkruar në gjuhën italiane, duke dëshmuar kështu një ndër të parat përpjekje të autorëve shqiptarë për të kapërcyer pengesat gjuhësore në promovimin e krijimtarisë së tyre jashtë vendit.
Takimi i tretë për bashkëpunimin ndërterritorial kulturor ku do të jenë të ftuar për të diskutuar znj. Elira Kokona, Sekretare e Përgjithshme në Ministrinë e Kulturës, znj. Dragica Miliç, Drejtor i Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës së Malit të Zi, znj. Ledia Mirakaj, Sekretar i Parë në Ambasadën e Shqipërisë në Itali, z. Aldo Patruno, Drejtor i Departamentit të Turizmit, Ekonomisë së kulturën dhe zhvillimin të rajonit të Puglia-s, do të zhvillohet në orën 16.00 po në të njëjtën stendë. Të ftuarit do të diskutojnë rreth hapësirave të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë, Malit të Zi dhe Italisë e në veçanti të promovimit të letërsisë së këtyre vendeve në gjuhën italiane.