Nga Emirjon Senja
Përveç se xhelozi, pasuria e dikujt vazhdon të shkaktojë edhe skepticizëm tek të tjerët në Shqipëri prej shumë kohësh.
Një shoqëri e kultivuar me thëniet se “kulaku është armik” dhe “beu është gjakpirës” nuk ka se si të shpëtojë kaq shpejt dhe lehtë nga një mentalitet i tillë edhe pse për hir të së vërtetës, mënyra se si është shfrytëzuar pasuria kombëtare gjatë viteve të të ashtuquajturës demokraci krijon një shtrat të mirë për vijimin e kësaj mendësie.
Ka një alergji ndaj të pasurit në këtë vend, edhe pse në shumë raste kjo alergji nuk është e pajustifikuar.
Kjo qasje shfaqet në formën më të plotë të saj sa herë që publikohet pasuria e deputetëve apo personazheve të njohur të bizneseve në Shqipëri.
Sëfundmi në media kanë dalë pasuritë e deputetëve më të pasur nga PD dhe PS, ku nuk mungojnë komentet agresive prej qytetarëve me pyetjen standarde: Ku i gjeten lekët këta?!
Shembulli nga e djathta është deputeti Agron Shehaj, ndërsa sëfundmi ka dalë në skenë edhe deputetja e PS-së për qarkun e Fierit, Tatiana Piro.
Piro dhe Shehaj fshikullohen në publik për pasurinë e tyre, ndërkohë që nuk ka asnjë akuzë të faktuar apo jo se ata janë bërë të pasur në mënyra të paligjshme.
Shehaj është një sipërmarrës i njohur në vend, po ashtu edhe Tatiana Piro.
Atë mund t’a kritikosh për faktin se i merr shumë seriozisht debatet me Braçen duke mos marrë parasysh se gjithçka është spektakël në atë sallë, por s’mund t’i thuaj “deputeti kriminel” apo “deputeti trafikant” siç është dha ka qenë mbushur salla e Kuvendit këto vitet e fundit.
Të pasurit dhe biznesmenët nuk janë e keqja e këtij vendi, përkundrazi, ata janë punëdhënësit më të mëdhenj sepse ashtu siç thotë edhe Kryeministri Rama: Nuk do të punojnë të gjithë në shtet.
E keqja janë ata që blejnë mandatin dhe përmes mandatit marrin peng qeverinë dhe vendin.
A ka deputetë që janë pasuruar në kurriz të pasurisë së përbashkët? Sigurisht që ka, por në këtë listë nuk mund të fusim Shehajn, Piron dhe deputetë pasanikë të ngjashëm me ta.
Boll shkatërruam çdo vlerë në këtë vend!