Kur Kryeministri i sotëm i Shqipërisë, Edi Rama shprehej se, sa i takon korrupsionit, fajin e ka sistemi, kishte të drejtë. Fajin, e ka sistemi. Ai shtonte se shqiptarët jashtë vendit ecin para, pasi sistemet andej funksionojnë. Edhe këtu kishte të drejtë. Megjithatë, ndërsa vitet kalojnë, sistemi ynë vijon të mbetet i njëjtë, ose ecën para me ritmin e një breshke.
Sistemi ynë gati i ngjan asaj historisë së martesës, kur je jashtë me ngulm kërkon të futesh brenda, e kur futesh brenda asaj kështjelle, nis e harron njeriun që ishte jashtë, lirinë e tij.
Këtu nis denatyralizmi i individit.
Ç’domethënë denatyralizim? Do të thotë zhveshje prej natyrës parimore, prej natyrës së vlerave, prej natyrës së meritave, prej natyrës së një sistemi ideal- ku ecën ai që meriton. Në vendin tonë, ecën kush mundet, pasi sistemi i meritokracisë është vlerësuar më së shumti me sistemin e miqësisë.
Më thuaj me kë rri, të të them se ku do shkosh- shërben sot për të përcaktuar sistemin e njohjeve, miqve, qokave, ndereve, që në një formë ose në një tjetër bëhen shkallë ku ngjitesh lehtë: me buzëqeshje, rrahje shpatullash, me mbrojtje nga lart, me tërheqje. Në të kundërt, nëse qëndron jashtë këtij sistemi, të cilit i referohej dikur kryeministri, je i përjashtuar, nëse qëndron jashtë këtij sistemi duhet të qëndrosh edhe pa punë mbase. Jashtë sistemit je jashtë qarkut, jashtë rrethit, jashtë botës. Pa mik je vetëm. Në të kundërt, duhet të bëhesh pjesë e rrymës, i vetëm, kundër saj nuk lufton dot, as nuk ia del dot.
I vetëm, mundesh të jetosh për një “copë buke” , të të kërcënojnë “për një copë buke”, të të kenë në dorë “për një copë buke”, të të sjellin rreth gishtit “për një copë buke”. Shqiptarët e ikur jashtë, kanë mundur të ecin, e të dalin në krye falë punës, pa rrethin e njohjeve, pa ‘bankën e favoreve’, kanë mundur t’ia dalin të vetëm në një botë të madhe, mbasi sistemi matanë nesh, të lejon të ecësh, të ndihmon të ecësh, të kesh sukses. Në Shqipëri ata që ia dalin i ngjajnë Sizifit, i cili mban mbi shpinë një shkëmb të madh, një barrë, e cila rrezikon përherë të të shtyp nëse bën lëvizjen e gabuar.
Në vendin tonë, në këtë dashuri të errët e për çudi të ndritshme, të jesh kundra rrymës, është të jesh i mallkuar- ose, do ecësh me rrymën, si të gjithë, me të gjithë, për të gjithë, të luftosh mes ujqërish, të ecësh krah ujqërish, të duash qeveritë, të duash partitë, të duash minsitritë, tu servilosesh atyre, t’i mbështetësh kur nuk kanë të drejtë, t’i duash kur duhet t’i urresh, t’i përkedhelësh kur duhet tu biesh, tu puthësh këmbët kur duhet “t’u presësh” duart, t’i duartrokasësh kur duhet t’u gjuash me domate, ashtu si filmat e dikurshëm. Duhet të denatyralizohesh nga vlerat e tua, nga besimi, nga e drejta, nga e gabuara; të dalësh nga vetja, të shkelësh veten, të nëpërkëmbësh parimet, gjithë ç’ke besuar, vlerat me të cilat të kanë rritur. Ka gjithnjë dy rrugë: ose derr i kënaqur ose Sokrat i vuajtur./ Pasqyre.al