Demek patriotizëm dhe sovranitet kombëtar!

Nga Artan Lame

“Patriotism is the last refuge of the scoundrel”.
Ndër letra thuhet se e paskësh thënë për herë të parë britaniku Samuel Johnson.

Nga këto anët tona të siujdhesës Ballkanike, e ka cituar më së pari mbreti Oto (Othon) i grekërve. E pritën grekërit si të ish Mesia princin evropian që u vinte nga Danimarka e ftohtë e racionale. Humbi i shkreti mbi 20 vjet nëpër llogjet e Heladhës, pa ja dalë të kuptonte se ç’donin vërtet nënshtetasit e tij.
Në fund, tek i kish ardhur në majë të hundës me bizantinizmat, gënjeshtrat, mashtrimet, përbetimet e rreme, interesat e koklavitura, patriotët e pazarit, grupazhet politike, deklaroi: “Patriotizmi është streha e fundit e maskarenjve”. Dhe abdikoi nga froni.

Të vijmë këtu ndër viset tona arbërore. Kemi plot një çerek shekulli që, të gjithë bashkë në kor, u kërkojmë me ngulm ndërkombëtarëve t’a lënë mënjanë gjuhën diplomatike dhe të flasin shkoqur. Më në fund atyre u erdhi në majë të hundës dhe e bënë, e lanë mënjanë gjuhën diplomatike dhe folën shkoqur.
Pas kësaj na mbeti veç një udhë shpëtimi. Kujtdo që nuk i pëlqeu e folura e tyre, u kujtua për demek patriotizmën dhe sovranitetin kombëtar.

I ndyeri mbret Oto do jetë kthyer përmbys në varr tek i ka dëgjuar.
A.

ps. S’do harruar që më të shumtit e nënshtetasve të Otos ishin arnautë a arvanitë, se grekerit ishin akoma rajá në ato kohët e para.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *