Deformimi shqipes nuk duhet toleruar

Nga Artur Ajazi

Kushdo që ka dëgjuar dhe dëgjon folësat publikë (ministra, deputetë, folës lajmesh dhe drejtues emisionesh radiotelevizive) në kontakte apo komunikimet e tyre publike, dhe takimet zyrtare, ka konstatuar me habi (kurse gjuhëtarët me keqardhje) se ata e deformojnë gjuhën shqipe. Gjithkush e ka dëgjuar dhe patjetër e habit fakti se, fjalëve të shumëpërdorura shqipe si “rrethi, rritje, rroga, arra, karrige, karrota, arritje, birra, rreputacion, rregull, rregullator, rrimë, rrini, rrezik, etj” shumica e folësve publikë i shqiptojnë me “ritje, karige, roga, karota, aritje, bira, reputacion, regull, regullatorrini, rime, rezik”, për të mos përmendur përdorimin e fjalëve të huaja. Për gjuhëtarët, ky është deformimi më i keq që i bëhet gjuhës amëtare, nga ata që duhet ta flasin atë detyrimisht me gramatikë, ndaj nuk duhet toleruar. Sipas tyre ,në çdo vend të përparuar europian, mund të gjobitesh, dhe kjo ndodh gjithkund ku respektohet gjuha e një vendi.

Kjo jo nga pikëpamja formale, se sa nga këndvështrimi sintaksor i gjuhës, e cila shtrëmbërohet me dashje nga ata që duan të duken e bëhen interesantë, duke dashur të sjellin risi në fjalime apo edhe nga folësit në televizione. Sipas gjuhëtarëve “të dyja janë bashtingëllore, por rr-ja është vibrante, është e fortë, por absolutisht nuk duhet ngrënë”. Por kjo tashmë është e përhapur si një epidemi në fjalimet e shumicës së ministrave, deputetëve, folësve të radiove dhe televizioneve.

Por kjo gjë varet më shumë edhe nga shkalla e kulturës tyre. Në një shtet të konsoliduar nga pikëpamja gjuhësore, mendoj se asnjë ministër, asnjë deputet, asnjë folës lajmesh dhe drejtues emisionesh që ka arsimin e lartë dhe e njeh mirë mënyrën e përdorimit të gjuhës shqipe, dhe pse jo edhe të bashtingëlloreve, nuk mund të deformojë fjalët dhe fjalimin e tij , sepse fjalët dhe fjalia marrin kuptime të tjera pastaj. Në një simpozium mbi “Gjuhësinë e sotme Shqipe” mbajtur vitin e kaluar u theksua me forcë fakti se, “ngrënia e shkronjave dhe mungesa e përdorimit të tyre, ka sjellë jo pak keqkuptime që kanë deformuar fjalitë dhe kuptimin e tyre”, si psh, “arrat janë një burim i mirë kalorish për njeriun”, shpesh përdoret “arat janë një burim i mirë kalorish për njeriun”, apo “birra një produkt ushqimor tepër i konsumushëm”, në “bira një produkt ushqimor tepër i konsumueshëm” etj.

Përdorimi i shpeshtë i fjalëve me “r” dhe jo me “rr” nga personat publikë, ulin tonacionin dhe rëndësinë e asaj çfarë thonë dhe transmetojnë tek masa e gjerë. Ndërkohë që nga pikëpamja gjuhësore mbetet e gabuar, duket se e tillë mbetet edhe mënyra se si fjalë të tilla, lidhen me kuptimin e fjalive të tjera rendëse. Jo në pak raste gjuhëtarët ngrejnë shqetësimin se, gjuha shqipe deformohet pikërisht nga ata që duhet ta flasin me gramatikë strikte atë, ndërkohë që deformime të këtyre bashtingëlloreve krijojnë shpesh edhe keqkuptime të ndryshme. Çdokush vjen nga një zonë banimi e caktuar, por ky fakt nuk mund ti detyrojë ata, të përdorni dialektin, por edhe as ta deformojnë gjuhën e bukur shqipe.

Cënimi i bashtingëllores “r”, ndodh rëndom edhe tek folësit e televizioneve, tek folësit meshkuj dhe femra, dhe kjo padyshim tregon shkallën e ulët të formimit gjuhësor të tyre, e cila është kriter bazë në pranimin e këtyre personave në mediat vizive. Por ajo që ndodh me bashtingëlloret e gjuhës shqipe, shpesh ka vënë në lëvizje gjuhëtarët. E ndërsa këta të fundit, konstatojnë deformimin e bashtingëlloreve të shqipes, (diçka esenciale tek profesioni i tyre ) duket se edhe masa e gjërë e dëgjuesve ka konstatuar dhe shpesh edhe është keqkuptuar me këtë fenomen. Shpesh kjo ndodh edhe në shkolla, nga ku nxënësit edhe pse e mësojnë të plotë alfabetin, konstatojnë se gjatë shpjegimit mësuesve u “ha” bashtingëlloret, madje edhe në shkresat zyrtare apo titrat e televizioneve. Ndaj mbetet detyrë parësore e çdo institucioni shtetëror, kryesisht edhe ato të informimit publik , e çdo individi që përfaqëson një të tillë, të respektojnë rregullatorin e Gjuhës Shqipe, ku kryesore mbetet përdorimi i rregullt sintaksor i saj, për të mos humbur kuptimin dhe bukurinë e çfo fjale apo fjalie.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *