Ka sajuar ndonjë mashtrues anonim njëfarë “datëlindje” të Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, dhe mekanizmi majmunëror i mediave vihet në punë për ta përtypur dhe ripërtypur si kafshët ripërtypëse, pa kurrfarë referimi në histori.
Nga Aurel Plasari
Për fatin e keq të historisë sonë kombëtare datëlindja e Gjergj Kastriotit nuk është regjistruar. Jo muaji, jo data, por as edhe viti. Bukur fort do të ishte ta kishim, por ja që nuk e kemi. Nuk e kanë pas ditur, dhe si rrjedhojë nuk kanë guxuar ta sajojnë, as jetëshkruesit e tij parësorë Barleti dhe Franku, pothuaj bashkëkohës të heroit. Për të mos e lënë heroin, së paku, pa një vit lindjeje historianët e Kohës së Re kanë punuar për ta nxjerrë vitin nëpërmjet deduksionesh. Nga njëra anë duke zbritur moshën e dhënies së çunakut “peng” te sulltani nga viti i mundshëm përkatës dhe duke nxjerrë mbas njehsimit si vit të lindjes 1404 ose 1405. Nga ana tjetër duke përdorur për njehsimet vitin e vdekjes së heroit. Për Barletin Gjergj Kastrioti vdiq në moshën 63-vjeçare; po aq e ka dhënë moshën e tij në vdekje edhe Franku. Aq edhe Muzaka, por të cilit – po si Barletit – heroi i ka vdekur ndër duar dy vjet më herët, pra më 1466. Nëpërmjet njehsimi të tillë Noli në monografinë e vitit 1921 e ka pas vendosur vitin e lindjes së heroit “afro më 1412”, me një argumentim që e ka pas pranuar edhe Francisc Palli, çfarë do të thotë që heroi të ketë vdekur jo më shumë se 56 vjeç. Në monografinë e vitit 1947 Noli ka ndërruar njehsim duke e bërë heroin e tij të lindur “rreth vitit 1405”, ndërsa në një leksion të tij të fundit të 1960-s e ka qortuar edhe këtë datim duke përfunduar që Gjergj Kastrioti ishte lindur më parë, rreth vitit 1400, dhe duke dhënë po aty argumentet përkatëse për këtë datim të ri. Kujtohet, për ç’i përket moshës së tij, edhe përshkrimi i ambasadorit Giovanni Pierro Arrivabene me rastin e mbërritjes së Skënderbeut në Romë dy vjet para vdekjes (1466): “Është burrë shumë i moshuar, kaluar të 60-at…”.
Ndërkaq aventurës për të caktuar datë dhe muaj të asaj lindjeje, kur edhe viti i lindjes nuk është veçse një deduksion, nuk ia ka hyrë askush deri më sot ngaqë orvatja do të delte përtej mjeteve të historiografisë.
Fatmirësisht historia ka datën e saktë të vdekjes së tij, sepse vetëkuptohet që ajo nuk mund të mos regjistrohej mbasi Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, ishte bërë një figurë kombëtare dhe ndërkombëtare si ushtarak dhe politikan. Megjithëkëtë edhe saktësimi i saj nuk ka qenë pa probleme. Datën e vdekjes e kemi prej Barletit, i cili ndërkaq ka dhënë gabim vitin: “Si bëri pendimin e shenjtë të rrëfimit dhe mori me nderimin e duhur sakramentet e tjera kishtare, ia dorëzoi shpirtin e tij më të madhit Perëndi më 16-n kalendë të shkurtit të Vitit të Zotit 1466…”. (Datimi latin i “së 16-s kalendë të shkurtit” konvertohet në kalendarin tonë me “17 janar”.) Franku ka dhënë, pakashumë, të njëjtën skenë, por pa datë dhe me vitin 1467: “Duke e ndier mandej veten të rëndohej çdo orë më shumë dhe duke e ditur që nuk e kishte fort të gjatë, thirri me gojën e vet t’i jepej vajimi i mbramë dhe, si i ndreqi kësisoj punët e shpirtit të vet me Zotin tonë Perëndi, si edhe punët e kësaj bote, ia dha shpirtin e tij Krijuesit dhe kaloi këso jete në vitin e Shpëtimtarit tonë 1467 dhe në moshën 63-vjeçare”. Por, po të kihet parasysh ndryshimi kalendarik – ai i kalendarit “veneto more” për të cilin viti fillonte më 1 mars – atëherë viti i Frankut rezulton i saktë: 1468 me kalendarin tonë. Muzaka e ka gabuar edhe ai vitin në 1466: ja ai mbas Barletit, ja Barleti mbas tij. Në një shënim përfund faqeje në “Gjenealogjinë” e Muzakës ka qenë Hopfi që ka qortuar vitin e vdekjes me “17 janar 1468”. Saktësimin e vitit duket ta ketë bërë i pari gjermani Fallmerayer duke u mbështetur te një kalesë e pavënë re deri atëherë e kronografit bizantin Sfranca, i cili në kohën e vdekjes së heroit jetonte pranë brigjeve epirote (Korfuz) si ministër shteti i oborrit të Paleologëve në arrati dhe mbante “Shënimet e përditshme”: “Dhe në janar të po këtij viti [’76, d.m.th. 6976=1468] vdiq prej vdekjeje të mirë princi i arbërve Skënder”. I njëjti vit për vdekjen konfirmohet edhe prej burimesh të tjera, kryesisht dokumentare të arkivave perëndimore. Mund të shtohet edhe e dhëna “Vdiq arbëri Skënderbe”, që nga dy prej dorëshkrimeve të “Analeve” serbe del në vitin 6976, d.m.th. 1468 të kalendarit tonë. Ndërsa 17 janari mbetet i saktë prej Barletit.
Ka qenë albanologu Selman Riza ai që ka formuluar njërën prej tezave thelbësore të historiografisë kombëtare: Ata që sajojnë dhe trillojnë në shkrimin e historisë i bëjnë dëmin më të madh çështjes kombëtare, sepse të huajt që janë të mirinformuar, duke i dalluar sajimet dhe trillimet, nuk do të na i besonin mandej as të vërtetat tona historike. Po shtoj: Sidomos kur një dëm të tillë e shumëfishojnë në kohën e teknologjive elektronike mediat ripërtypëse.
fb a.p.