Për mua është jashtëzakonisht e vështirë pranimi se diçka me të cilën hasem dhe hasemi çdo ditë, është diçka e dëmshme në çdo aspekt të njeriut. Nga shpirtërorje, te fizikja. Nga psikologjikia te psikikja. Diçka që të sjell njëkohësisht nëpër dy vorbulla, njëra dashuria e tjetra mospërfillja. Nga besimi te zhgënjimi. Nga kujdesi te dhuna. Nga humbja në një humbje më të madhe.
Është një humbje që të biesh pre e asaj gjëje, por një humbje më e madhe që të mos dalësh prej saj. Është një urrejtje patologjike që ajo gjë të krijon për gjithçka të rrethon. Një urrejtje e cila tutelon tjetrin dhe të vë në mes të gjithçkaje të vë ty. Në çdo aspekt. Qoftë në aspektin teologjik, ashtu edhe në atë seksual. Të bën të frikësoshesh nga të tjerët.
Ky problem, i cili sëbashku me bullizmin përbëjnë sëmundjet e shekullit XXI është pornoja. Një mëkat qoftë fetar, qoftë fizik. Një dëmtim i relatës me vetveten dhe me Hyjin, pa përmendur të tjerët. Një kafaz tek i cili nuk futesh, por i cili të bie sipër dhe të rrethon pa asnjë paralajmërim.
Që është diçka e dëmshme, të gjithë e dimë. Që është një varësi, mjerë kush e kupton. Unë jam njëri nga ato që e kuptuan. Njëri nga ato që në fillim humbi vetveten e më pas pak e nga pak humbi edhe të tjerët, e në fund po humbiste edhe gjërat më të shtrenjta të cilat më herët i imagjinonte si të pahumbshme. Unë jam një i ri, i vetëinfektuar në klasë VI me këtë sëmundje që për thuajse shtatë vjet më bëri të lëngoj. Një sëmundje e pashërueshme nga të tjerët, por vetëm nga unë dhe nga Hyi. U njoha me Hyin pas infektimit. Nuk doja ta pranoja se isha i infektuar, as para vetes e as para Hyit. Shkoja çdo të dielë në Kishë, rrëfehesha dhe Kungohesha, por përsëri vazhdoja dhe i mëshoja mëkatit tim.
Humba veten duke mos i dhënë shansin për të dalë e jetuar një jetë normale si çdo i ri, por duke pritur orën kur të jem vetëm në shtëpi për të duruar me kënaqësi dhimbjet e sëmundjes.
Humba të tjerët duke mos u folur, mos i takuar e duke mos u ndjenjur pranë, sepse e zija kohën me sëmundjen, por ndryshe nga të tjerët jo duke e trajtuar, por duke e thelluar. Vendosja me koshiencë të plotë gishtin në plagë. E kaloja tejpërtej duke e nxjerrë deri në anën tjetër.
Ndjeva se po humbisja gjënë më të shtrenjtë. Mënjanoja atë e cila më bëri të ndryshoj pozitivisht, duke ia dhuruar kohën që ajo meritonte thellimit të kësaj sëmundjeje.
Por ç’po bëja? Po zhbëja ëndrrat e mia? Kur çdo kush në moshëm time i thurte, unë po i shpërbëja? Si po raportohesha me sëmundjen? Po e luftoja, po e pranoja apo po e doja? Ku po shkoja kështu? Në një ferr të brendshëm? Pse, kaq budalla jam krijuar unë? Jo! Unë, si një i thirrur drejt shenjtërisë si mund të vrapoja drejtë mëkatit?
I besova asaj që më ndryshoi në fillim. I thashë çdo gjë, fill e për pe. Mes lotësh, e shpesh rënkimesh i kërkova të lutej me mua që të më falte Hyi e në fund, po të mundte edhe kjo vajzë. Dhe kjo ashtu bëri. U lut për mua. Dhe më fali.
Tani po jetoj në paqe me Hyin (shpresoj) dhe në lumturi me vajzën që më ndryshoi, së cilës i rrëfeva atë që s’munda asnjëherë t’ia rrëfeja as priftit.
Lavdi Zotit sot jam një tjetër njëri. Një tjetër i ri. Një i ri normal i cili do dhe duhet. Një i ri i cili ndjen dhe ndjehet. Një i ri i cili mëshiron dhe mëshirohet. Një i ri me një mëkat më pak mbi shpinë.
*Eshte nje histori e vertete e nje te riu shqiptar qe ia ka besuar redaksise se Peregrinus.al, por qe ka dashur te mbese anonim. A.A. –