Darvini kundër hyjnive

————-
Debati rreth Darvinit dhe Zotit, Darvinit dhe Gjenezës, Kataklizmës, krijimit të botës dhe njeriut, etj, për më shumë se 150 vjet nuk ka rreshtur së kundërvëni midis tyre «darvinizmin» si shkencë materialiste dhe fenë, e cila në themel të saj ka krijimin e botës dhe të njeriut nga Perëndia. Ky debat duket se mund të jetë akoma më i ashpër, veçanërisht këtë vit që është dhe 150 vjetori i shpalljes së teorisë së tij rreth evolucionit, Teoria e Evolucionit, tekst shkencor që në mënyrë llogjike do të kthehej në një filozofi të re të perceptimit të botës. Në shkurt të vitit 2009, po ashtu do të festohet 200 vjetori i lindjes së Darvinit, i cili nuk ishte thjesht formuluesi i teorisë së evolucionit të specieve, dhe si rrjedhojë dhe të njeriut, por ai ishte njeriu që u vu në qëndër të një prej revolucioneve më të mëdha shkencore dhe filozofike të të gjitha kohrave. Njëqind e pesëdhjetë vjet më parë, para Asamblesë Shkencore të Londrës, ai bëri të njohur teorinë e tij, çka tronditi thellë vizionin e deriatëhershëm mbi natyrën, njeriun dhe ….Zotin. Shpejt emri i Çarls Darvinit, (Charles Darwin), u bë i njohur, edhe pse pse ishin të pakët ata njerëz që e njihnin atë njeri. Cili ishte ai? Si ndodhi që ai zbuloi një nga mekanizmat më vitalë dhe më të qënësishëm të zhvillimit dhe të evolucionit të botës? Ishte ai një até apo çfarë? Ku bazohej teoria e tij dhe çfarë i solli ajo njerëzimit modern? Përse kjo teori nuk është zbehur edhe me zhvillimin e jashtëzakonshëm të shkencës gjatë shekullit XX dhe këtij fillim mijëvjeçari ? Dhe së fundi çfarë do ti shtohet si diçka e re kësaj teorie, bazat e së cilës deri tani nuk kanë ndryshuar dhe siç duket nuk do të ndryshojnë?
Nga Luan Rama 
Çarls Darvini ka lindur në vitin 1809, në një familje në gjëndje të mirë por mjaft humaniste. Gjyshi i tij, Erasme Darwin, ishte një «deist», autor i një libri të quajtur Zoonomia, që ashtu si ateisti Lamarc, në kohë të tij, edhe ai «deist» siç ishte, mendonte se «evolucioni ishte zhvilluar drejt perfeksionit dhe se apogjeu i këtij ishte njeriu» Por atëherë Çarlsi adoleshent nuk ishte i interesuar rreth evolucionit. I ati ishte ….dhe ai kujdesej shumë për të varfërit e vëndit ku jetonin. Në rini të tij Darvini studioi për mjeksi në Edmburg, por gjatë studimeve, seancat e kirugjisë i sillnin të vjella dhe dukej ai ishte i ndjeshëm për ta përballuar këtë anë të mjeksisë. Meqë familja e tyre ishte mkjaft e lidhur me Kishën anglikane, i ati e regjistroi në «Christ’s College» për të studjuar teologji në Kembrixh. Por pikërisht aty ai ra në kontakt me botanistin anglez John Hensow, i cili ishte njëkohësisht dhe gjeolog. Ishte pikërisht ai që do ti hapte dritaret e para të shkencës. Vite më vonë, kur kapiteni anglez, i anijes «Beage», Fitz Roy, i cili do të ndërmerrte një udhëtim shkencor rreth botës, kërkonte dikë për ta shoqëruar, Darvini shkoi menjëherë pranë tij. Kjo anije do të merrej me hartimin e një kartografie të zonës së Amerikës Latine. Gjatë pesë vjetëve, Darvini do të përjetonte një nga periudhat më të lumtura e më frutdhënëse të jetës së tij. 5 vjet plot peripeci, duke zbuluar botra të reja nga Brazili në Falkland, përgjatë bregut kilian, në ishujt Galapagos, në Tahiti, Tasmani, në Kepin e Shpresës së Mirë, në Shën Helena e përsëri në Brazil, duke iu afruar ishujve Açores në mes të oqeanit Paqësor dhe duke u kthyer në Angli. Gjatë këtyre udhëtimeve të jashtëzakonëshme, Darvini zbuloi fosile mamiferësh gjigandë, çka dëshmonte për ndryshime të mëdha klimatike që kishin ndodhur në rruzullin tokësot, në epoka të mëparëshme. Ai analizoi në vënd impaktin e tërmeteve në formacionet gjeologjike, shpjegoi formimin e bazamenteve të koraleve, zbuloi fosile të shumta dhe mori shumë shënime rreth faunës, florës, ndryshimeve midis specieve dhe perfeksionimit të llojeve gjatë seleksionit natyral. Madje siç shkruan ai në kujtimet e tij, një ditë, një skllav, i kishte treguar për histori të çuditëshme që kishin ndodhur dhe ndodhnin në thellësitë e pyjeve tropiakle. Dhe Darvini ishte një njeri kurioz…Një nga zbulimet e tjera të tij, veçanërisht në ishujt Galapagos, ishin breshkat gjigande apo zvarranikë gjigandë me struktura që u përkisnin kohrave të dinosaurëve, specie që jetojnë ende dhe sot. Kur u kthye në Londër, botimet e tij u bënë të njohura dhe koleksionet e tij u panë si gjëra shumë të çmuara për botanistet, natyristët dhe gjeologët. Në vitin 1836, ai ende mendonte se llojet janë të krijuara e të fiksuara njëherësh sipas llojeve të tyre dhe se ato mund të zhdukeshin vetëm si pasojë e transformimit të mjedisit apo ndryshimleve të mëdha. Por një vit më vonë, ai ndryshoi pikëpamje dhe më 1839 u pranua në Akademinë Mbretërore të Shkencave. Ai filloi të punojë me ngulm për formulimin e tezës së tij me ide të panjohura deri në atë kohë. Më 1853 ai u nderua me medaljen mbretërore të Royal Society. Por një ngjarje interesante qël idhet me Darvinin në këtë periudhë, ishte dhe ajo e tre indigjenëve, që ata morrën në Tokën e Zjarrit dhe përmes anijes “Beagle” i sollën në Londër, ku u integruan në një tjetër sistem shoqëror, duke venë në dukej efektin social në transformimin njerëzor.
Një suprizë e çuditshme
Darvini kishte kohë që po përpunonte teorinë e tij të re. Tashmë ai ishte në mes të udhës së formulimit të veprës së tij më madhore, kur papritur, nga miku i tij Alfred Russel Wallace, i erdhi një letër e çuditëshme. Ky biolog, ishte në ato momente në arqipelagun Moluk (Indonezia e sotme), kur papritur ishte sëmurë dhe ishte gozhduar në shtrat për një kohë të gjatë. Në ethe e sipër, ai kishte zbuluar një teori të re që gjer atëherë nuk ishte folur nga asnjë shkencëtar: teorinë e seleksionimit natyror. Brënda tre ditëve ai shkroi teorinë e tij në disa faqe dhe ua dërgoi kolegëve të tij në Londër, dhe pikërisht dhe Darvinit. Darvini u habit që argumentet e tij përputheshin në këtë pikë me formulimet e Wallace, ndërkohë që Darvini vetë i kishte bërë të njohura në një rreth të kufizuar miqsh konkluzionet e para të tij. Meqë kishte një përkim idesh, dhe duke qënë se Darvini e kishte teorinë e tij më të gjërë dhe më të argumentuar, si gjentëllmen që ishte, ai vendosi që këtë «kujtesë» të Wallace dhe botimet e mëparshme si dhe formulimet e fundit të tij, të diskutoheshin në një rreth të gjërë akademikësh. Dhe ashtu do të bëhesh, edhe pse Wallace ishte një biolog i ri, 14 vjeç më i ri se Darvini, dhe jo me atë pasuri zbulimesh e vëzhgimesh shkencore. Ky kolegj i dha prioritet Darvinit, meqë teoria e tij ishte shumë më e hershme dhe më e argumentuar shkencërisht në bazë të vëzhgimeve të tij shkencore, veçanërisht të atyre të bëra me anijen «Beagle».
Teoria e evolucionit
Pas deklarimit të teorisë së tij Teoria e Evolucionit, në vitin 1859, brënda një kohe të shkurtër ai shkroi kryeveprën e tij origjina e llojeve (Mbi origjinën e llojeve përmes seleksionimit natyral, – On the Origine of Species by Means of Natural Selection, që është dhe titulli i plotë). Ai zbuloi kompleksitetin ellojeve për ekzitencë, pra seleksionimin natyral drejt perfomancës dhe këtë jo vetëm tek bimët por edhe tek qëniet. Kjo ishte «lufta për jetën» siç do ta cilësonte atë kohë filozofi Maltus. Kjo teori e luftës brënda llojit arrin deri në atë fazë zhvillimi saqë njëri grup performant nuk arrin më të kryqëzohet me grupin tjetër që më parë i përkiste, duke krijuar kështu një lloj të ri brënda species, që është më e fortë, më rezistente, më perfekte. «Seleksionimi natyror, – shkruante Darvini, – kërkon në çdo çast dhe në të gjithë botën variacionet e tij më të mira brënda llojit; ai largon ato që janë të padobishëm dhe ruan të dobishmit; ky seleksionim bëhet në heshtje dhe me këmbëngulje, kudo e gjithnjë, sapo i paraqitet rasti për të përmirësuar kështu të gjitha qëniet e organizuara relativisht në kushtet e ekzistencës organike dhe inorganike. »
Debati i madh rreth teorisë së Darvinit u bë në Oksoford, në vitin 1860, dhe kjo ka qënë një nga ngjarjet më të mëdha shkencore të asaj epoke, por që analistët dhe filozofët i referohen gjithnjë. Vetë Darvini nuk asistoi në këtë debat rreth veprës së tij, meqë atë ditë ai ishte shumë sëmurë. Debati u zhvillua mes mikut të tij, natyralistit Thomas Huxley, mbrojtës i teorisë darviniane, dhe peshkopit të Oksfordit, që njihej si një radikal i madh. Pas debateve të ashpra, kur peshkopi i tha midis të pranishmëve se çdo të thoshte atëherë po ta pyesnin nëse ai rridhte nga majmuni, Huxley i ishte përgjigjur: «Mendoj se nuk është turp për një njeri që ka patur stërgjysh një majmun. Nëse do të kishte turp kjo do të ishte më tepër ndaj një njeriu, i cili në çështje shlkencore, të huaja për të, ndërhyn duke kërkuar të errësojë përmes paragjykimesh fetare.» Në fakt, Kisha angleze por edhe më shumë ajo skoceze, sundohej nga një rrymë mendimi evolucionist dhe nuk iu kundërvu hapur Darvinit, edhe pse teza e Kishës ishte gjithnjë krijimi i njeriut dhe i botës nga Zoti. Madje dhe kur Darvini vdiq, atij iu bë një nga varrimet më madhështore nga Kisha anglikane dhe u varros në varrezat e Westminster, disa hapa larg varrit të Njutonit, atje ku ishte dhe kryeqëndra e kishës anglikane. Atë ditë, ku kishin ardhur nga akademitë e gjithë Evropës, arkivoli mbahej nga miku i tij Wallace dhe shkencëtari tjetër Hooker. Pra, në këtë paradoks të madh, Darvini ishte bërë një lloj heroi kombëtar i cili tashmë kurorëzohej nga kisha. Vetëm peshkopët e mbledhur në Këln e dënuan menjëherë teorinë e Darvinit. Papa Pie IX foli atëherë për «broçkullat e darvinizmit» por megjithatë Vatikani nuk e dënoi atë zyrtarisht, meqë, sigurisht, evolucioni i botës dhe i specieve egzistonte realisht dhe argumentohej nga fakte të pakundërshtueshme. Natyrisht kryevepra tjetër e Darvinit ishte Prejardhja e njeriut, botuar më 1871, (The descent of Man and Selection in relation to sex), vepra më e diskutuar e tij nga rreth fetare dhe radikale jo vetëm në të gjallë të tij por edhe më vonë dhe deri në ditët tona. Në Prejardhjen e njeriu Darvini shkruan se «objekti i vetëm i kësaj vepre është të konsiderojë së pari që njeriu, si çdo lloj specie, rrjedh nga një lloj tjetër i mëparshëm; së dyti, mbi mënyrën e zhvillimit të tij dhe së treti, për vlerën e ndryshimeve që ekzistojnë midis asaj që quhet racë njerëzore.» Që në të gjallë të tij, Darvinin do ta shoqëronin shumë karikatura që botoheshin në revistat e kohës, ku Darvini kishte një fytyrë majmuni dhe shpesh kacavirej nëpër pemë, çka krijonte të qeshura tek çdo lexues. Pas vdekjes së Darvinit në vitin 1882, interpretime të shumta u bënë rreth «darvinizmit social», pra interpretimin e teorisë darviniane në fushën sociale, me problematikën e madhe të saj, që do të shkonte gjer në revolucionet e para të fillimit tshekullit XX. Si vallë funksiononte seleksionimi natyror ? Vallë a funksionojnë të njëjtat ligje?…
Në vazhdën e zbulimeve të mëdha
Zbulimi i Darvinit, ashtu si dhe zbulimet e mëvonëshme shkencore dhe që i dhanë zhvillimit një interpretim të ri, nuk u bë në një terren djerrë, por në vazhdë të një udhe të pasur me ngjarje shkencore e zbulime të mëdha. Nuk është fjala vetëm për lëmin filozofik dhe zbulimet shkencore të kohës së Antikitetit dhe Mesjetës, por në veçanti të kohës së Kopernikut, Galileut, Xhordano Brunos, etj. Zbulimet e mëdha shkencore kishin sjellë në atë kohë ndarjen e shkencës nga feja. Tepër të rëndësishme ishin dhe veprat e Dekartit dhe Njutonit, studimet e Kopernikut, i cili ishte i pari që mendoi për «heliocentrizmin», (ndërtimin e sistemit diellor dhe diellin si qëndër të botrave), pra që Toka nuk është në qëndër të botës dhe se ajo rrotullohet rreth diellit. Por evolucioni i vërtetë kishte ardhur me Galileun kur në vitin 1609 ai zbuloi teleskopin për të vëzhguar qiellin, planetet, duke zbuluar shkencërisht hipotezën e Kopernikut (i vdekur në vitin 1543). Më 1600 Xhordano Bruno digjej si heretik në sheshin Campi dei Fiori, në Romë, i akuzuar nga Vatikani se ishte partizan i heliocentrizmit. Bruno në fakt kishte qënë një prift domenikan që mbronte idenë se duhej të kishte dhe botra të tjera. Por sigurisht, nën influencën e shekullit të Lumières, (filozofëve dhe shkencëtarëve të mëdhenj të atij shekulli), shkenca do të shkëputej tërësisht nga feja në shekullin e XIX me filozofë si Fojerbah, Marksi, Frojdi e shumë të tjerë. Frojdi botoi veprën e tij të famshme Moisiu dhe monoteizmi, etj.
Edhe pse në enciklikën Humani generis, të vitit 1950, ku Papa Pie XII shpjegon se nuk ka opozitë midis evolucionit dhe doktrinës së besimit të njeriut, edhe pse më 1966, Gjon Pali II, foli në Akademinë pontifikale të shkencave se «Njohuri tëreja na çojnë që të mos e konsiderojmë teorinë e evolucionit si një hipotezë», përsëri, Kisha flet për teori të ndryshme evolucioni, ku disa janë materialiste dhe jo kompatibël me doktrinën katolike dhe të tjera që janë jo kontradiktore me doktrinën. Ky nuancim, është një pozicionim delikat i Kishës sot, kur zhvillimet e shumta shkencore, veçanërisht gjenetika, kanë sjellë deshifrime të habitëshme rreth llojit njerëzor, ndërtimit të itj shkencor, etj. Lufta e hapur është sot në fushën e etikës shkencore, lidhur me embrionet, ku feja lufton dhe e dënon përdorimin e shkencës që mund të shpërfytyrojnë llojin njerëzor.
Kreasinizmi kundër darvinizmit
Që prej një shekulli, fondamentalistët amerikanë kanë kërkuar e vazhdojnë të kërkojnë ndalimin e mësimit nëpër shkolla të Teorisë së Evolucionit të Darvinit. Në fakt kjo luftë është hapur që në fundin e shekullit XIX kur James Woodrow, një nga përkrahësit e flaktë të darvinizmit, u përpoq të bashkonte pikëpamjet e Kishës me ato të Darvinit, ai u akuzua për herezi dhe u përjashtua nga Kisha anglikane. Dihet që debati më themelor është mbi Gjenezën, librin e Moisiut, që siç thuhet nga Kisha është shkruar nën frymëzimin dhe diktimin e drejtpërdrejtë të Zotit. «Neo-kreasionistët», (Young-earth creationists apo të cilësuar shkurtimisht YEC), praktikojnë një lexim litareal të 11 kapitujve të librit të Gjenezës, duke afirmuar se krijimi i botës është bërë brënda 6 ditëve. Kryepeshkopi James Ussler jep si datë të krijimit të botës vitin 4004 p.e.s. të tjerë pohojnë për dhjetë mijë vjet më parë dhe disa të tjerë, njëzet mijë vjet. Pra gjithçka, të gjitha speciet, njeriu dhe kafshët janë krijuar «ex-nihilo», nga hiçi.
Pra për kreacionistët, «evolucioni është veçse një mit», se Bibla tregon qartë dhe me bindje se si u shfaq jeta në tokë: Adami, Eva, arka e Noe-s, etj… Por çdo të thoshte në të kundërtën sot astronauti i famshëm Hubert Reeves, kur ai pohon se krijimi i plantit tonë është bërë në 4,5 miliard vjet? Edhe Shën Agustini në fillimet e kristianizmit e kishte kuptuar se krijimi i botës nuk mund të bëhej brënda gjashtë ditëve, dhe kjo deklarohej kështu sepse mundësitë imagjinative dhe intelektualëve të njerëzve të asaj kohe ishin të kufizuara.
Që të kuptosh thelbin e debatit të kreacionistëve duhet tu referohesh padyshim dhe dy vargjeve të para të librit të Gjenezës: «Në fillim Zoti krijoi qiellin dhe tokën, (1), pastaj, «Por toka ishte bosh dhe e vagët, errësirat mbulonin humbëtirat, një erë e Zotit vërtitej mbi ujra, (2)… Por kur pyet sot ideologë të Klerit, disa prej tyre thonë se sigurisht, nuk janë dashur gjashtë ditë për krijimin e universit, por është dashur kohë më e gjatë, etj, etj. Sigurisht, fusha më e ndjeshme krahas genetikës është dhe paleontologjia, prejardhja e njeriut, origjina e krijimit njerëzor, prejardhja e tij, ku ende në studimet paleontologjike, shfrytëzohen disa boshllëqe për të hedhur poshtë teorinë e Darvinit. Cili është njeriu i parë? Neandertal man I familjes së Homonidëve? Cro-Magnon? Eshtë «homo sapiens”? Eshtë Lucie skeleti i kësaj gruaje që mbahet si njeriu më i vjetër, i zbuluar apo janë specie të tjera të gjetura së fundi në Afrikë dhe Azi?…
Më 1925 u aprovua një ligj në shtetin e Tenesse të Amerikës, i cili ndalonte të mësohej në shkolla çdo «teori që mohonte natyrën hyjnore të krijimit njerëzor, siç shkruhet në Bibël». Po kështu dhe në shtetet e tjera amerikane si në Karolinën e jugut, në Alabama, Texas, Georgie, Florida, Oklahoma, ku darvinizmi cilësohej «subversiv» dhe në shërbim të të «kuqve». Ky ligj qëndroi në Amerikë për një kohë të gjatë deri sa në vitin 1968, Gjykata Supreme e Amerikës e anulloi këtë ligj. Më 1984, “Natinal Academy of Science” e Amerikës krijoi një Komitet Special mbi «kreacionizmin». Tre vjet më vonë, një gjykatë amerikane anulloi vendimin për ndalimin e ligjit të 1968, që u lejonte prefosorëve tu mësonin nxënësve teorinë e evolucionit.
Sipas një ankete të CBS të zhvilluar në vitin 2004, 55% e amerikanëve besojnë ende se Zoti e ka krijuar njeriun kështu siç është sot. Edhe krerë të judaizmit, si Moshe Feinstein, i kanë bërë një luftë të madhe Darvinit, duke ndaluar librat e tij në shkollat hebraike, edhe pse rabinë të tjerë të mëdhenj, si ai i Palestinës, Abraham Isaao Ha-Kohen Kook, (i vdekur në 1935), pohonte se «teoria e evolucionit të Darvinit koinçidon me teorinë e «kabbale»-s së hebrenjve në librin e Shenjtë. Më 1999 në shtetin e Kansas, nga dhjetë anëtarë të Komitetit Shtetëror për Arësimin, gjashtë vendosën me maxhorancë për të zhdukur nga programet dhe tekstet shkollore çdo referencë rreth Darvinit dhe teorisë evolucioniste të tij. Ne këtë fillim mijëvjeçari, «kreacionistë» të rinj kanë shpallur luftën kundër Darvinit në emër të Zotit, dhe kjo në emër të një aleance fetare kundër darvinizmit. Në këtë kuadër ishte së fundi dhe botimi i Atlasit të krijimit, një botim lluksoz i financuar nga radikalë të fuqishëm dhe lobet kreacioniste të Amerikës. Shumë site internet janë krijuar rreth këtij Atlasi të hartuar nga një studjues turk i quajtur Harun Jahja, i cili e akuzon Darvinin si atin shpirtëror të Hitlerit, Stalinit dhe të terrorizmit bashkëkohor, meqë Darvini e konceptonte konfliktin si një koncept natyror dhe njerëzor njëkohësisht. Pra sipas tij, Darvini na qënka një «justifikues i luftrave shfarosëse në emër të seleksionimit» dhe në këtë kuadër ai thërret të treja fetë monoteiste të bashkohen në një kryqëzatë kundër Darvinit. Por ai harron se ti kundërvihesh sot Darvinit, do të thotë ti kundërvihesh shkencës, thelbit të saj. Sot në betejën e «kreacionistëve» dhe Darvinit janë angazhuar dhe genetistë të njohur amerikanë të cilët çuditërisht sot pohojnë se «Të gjitha llojet e qënieve janë krijuar nga aktet direkte të krijimit hyjnor». Pra duket qartë pesha e madhe që ka sot feja mbi shkencën dhe zhvillimet shkencore.
Darvini dhe shpjegimi simbolik i botës
Shumë studjues fetarë, duke parë se argumentet darviniane të seleksionimit natyror dhe origjinës së specieve janë të parefuzueshme, dhe pasazhe të librit të shenjtë bien ndesh me historinë e njerëzimit, pohojnë se Bibla nuk i duhet kundërvënë as Darvinit dhe as të rejave historike të zbuluara së fundi, por Libri i Shenjtë duhet lexuar në mënyrë “simbolike”. Kjo mënyrë e re vështrimi, kërkon të largojë nga ndeshja mes tyre evolucionin shkencor me frymën e shenjtë të krijimit.
Para pak kohësh në Londër, historiani Georges Smith njoftoi botën shkencore se kishte zbuluar një pllakë të vjetër të kryeqytetit të Perandorisë Asiriane, Niniven një tregim mbi «Kataklizmën», që datonte shumë kohë më parë se datimi biblik rreth kataklizmës dhe gjenezës. Ky zbulim shkencor e hidhte poshtë me argumente, tezën e formuluar prej dy mijë vjetësh, (por edhe më parë, sipas Testamentit të vjetër), të krijimit të botës drejtpërdrejt nga Zoti.
Sigurisht, arkeologët dhe historianët vazhduan të verifikojnë tezat e ndryshme biblike, përmes krahasimit të fakteve dhe gjetjeve të ndryshme, punë që vazhdon edhe sot. Po kështu ndodh dhe kur krahason fragmente të Epopesë së Gilgameshit, të kësaj poeme madhështore me 300 strofa, gjetur gjatë zbulimeve arkeologjike në Ninive. Miti i super të mënçurit ka qënë që në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. Kjo histori relaton kataklizmën e shkaktuar nga Perëndia “për të dënuar njeriun që ishte bërë shumë i zhurmshëm”. “Çdo farë të jetës, – këndohet në këtë sagë poetike, – unë e vura në një anije dhe mbylla portën. Sapo agoi, re të zeza filluan të mblidhen. Era dhe kataklizma shkatërruan gjithçka. Kur erdhi dita e shtatë deti u qetësua, po kështu dhe uragani e kataklizma. Dhe gjithë njerëzimi ishte transformuar në baltë.”
Para dy vjetësh, arkeologu Eilat Mazar, zbuloi në Jeruzalem rrënojat e pallatit të Davidit të shekullit X p.e.s., të Davidit fitues mbi Goliatin gjigand, dhe mbreti i dytë i Izraelit. Po kështu, është provuar tashmë se tekste, (pjesë), të Dhjetë Urdhërave, (Porosive), gjënden gati fjalë për fjalë në tekste para epokës së Moisiut, pra të viteve 1200 p.e.s., pra ngjashmëri me tekste të mbretit babilonas Hammurabi, (rreth 1750p.e.s.) Ndërkohë që Bibla thotë se Moisiu i mori porositë nga Mali i Sionit drejtpërdrejtë nga Zoti, tradita mesopotamike bën të njohur se ligjet mbretërore u janë diktuar njerëzve nga Dielli, zoti i Drejtësisë, nga maja e një mali. Po kështu një ngjashmëri e dukëshme janë dhe fragmente të ndryshme midis dy kodeve të vjetra. Në Eksodin e Biblës, thuhet se «nëse një dem godet me brirë një burrë apo një grua, i cili vdes, atëherë demi vritet dhe nuk i hahet mishi.
Pronari i tij konsiderohet i pafajshëm.» Ndërsa në kodin e Hammurabi-së, në pikën 250, shkruhet: “Nëse një dem, duke kaluar në rrugë godet me brirë dikë, i cili vdes, pronari i tij nuk detyrohet të shpaguaj». Në shekullin e VI p.e.s. shumë hebrenj ishin robër në Mesopotami dhe kuptohet se ata e njihnin kodin e Hammurabi-t, i cili ishte shumë më i vjetër se kodi i tyre, Bibla hebraike. Kuptohet që Bibla e sotme, ajo që i është transmetuar njerëzimit, ka huazuar e integruar brënda saj shumë tregime më të vjetra se sa Bibla Hebraike apo Bibla Kristiane (jo vetëm ringjallja e Krishtit p.sh. të kujton ringjalljen e Osiris të Egjiptit të lashtë, por edhe ngjarje historike, siç është dhe ajo e Arkës së Noe-s, për të cilën dëshmon dhe burimi i parë hebraik të kohës së Krishtit, Flavius Josef), etj. Por sidoqoftë, tregimet e ndryshme biblike dhe teoria e evolucionit e shpjegojnë botën, njeriun dhe historinë njerëzore nga kënde diametralisht të kundërta. E megjithatë, ato mund të bashkëjetojnë pa shpallur luftra dhe kryqëzata.
Darvini ishte një shkencëtar që i shërbeu jo ideologjive, por shkencës dhe kuptimit të botës, ashtu si dhe Bibla, (hebraike dhe kristiane), apo Kurani, janë tekste që edhe pse e shpjegojnë botën në një mënyrë të kundërt nga Darvini, përsëri ato i kanë dhënë njerëzimit një referencë që me sa duket ai e ka patur të domosdoshme. Jo më kot shkrimtari francez André Malraux i njohur me letërsinë revolucionare të viteve 30 të shekullit XX (La Condition humaine), deklaroi në fund të jetës së tij se “Njerëzimit të shekullit të ardhshëm do ti duhet të integrojë mitet”. Eshtë fjala për mitet që i kemi harruar…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *