Një vështrim për romanin “Darka e gabuar” të Ismail Kadaresë nga Ervin Nezha
Në rrjedhën e gjatë të kohës, historitë përsërisin vetveten. Dy mijë vjet më parë, në një darkë të paqartë, të mbuluar nga mjegulla dhe misteri, një burrë i quajtur Jezus, para dishepujve të tij në Jerusalem, do të parashikonte tradhtarin dhe fundin. Ka pasur shumë polemika, interpretime, mistere për atë darkë ashtu sikurse shumë të fshehta të pazbuluara. Një darkë e tillë do të përsëriste veten rreth dy mijë vjet më vonë, tanimë në Gjirokastër, në një roman të Ismail Kadaresë. ( Faktet historike nuk na hyjnë në punë).
Dhe ja se si: “Dy shokë universiteti, Doktor Gurameto i madh, takohet me kolonelin e tankeve Fritz von Schwabe, ardhur si okupator në Gjirokastër, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ka shumë arsye për të pasur një darkë-takim mes dy miqve të shkollës. Koloneli gjerman ndihet i tradhtuar nga thyerja e kodit zakonor të Kanunit të Lekë Dukagjinit, mbasi mbi ushtrinë e Rajhut, janë shkrepur armë, ndërsa përligjja e darkës për doktorin është shpëtimi i pengjeve të qytetit.
Në njëfarë mënyre kështu zhvillohet një darkë e mbuluar nga misteri, nata dhe paqartësia e asaj që ndodh. Dhe për të nxjerrë një darkë nga mjegulla e misterit duhet gjithmonë një “Judë”, i cili këtë herë qëllon të jetë një oficer i Gestapos, që ka vepruar jashtë syrit të rrëfimtarit, personazheve dhe lexuesit, dhe që bëhet syri dhe veshi i asaj që ndodh aty dhe që do të ngjasë më vonë, përmes shënimeve të tij.
Në pjesën e dytë të romanit mbizotëron “romanthi” brenda romanit i Shaqo Mezinit, një personazhi brilant, simbol i rehabilitimit të figurës së tjetrit në letërsinë shqipe, që jo domosdoshmërisht duhet të paraqitet si “i kithëti” apo i ndryshmi. Përkundrazi Shaqo Mezini është “normali”, një personazh njerëzor, veprimet e të cilit janë plotësisht të justifikuara, nëse kemi parasysh edukimin dhe nivelin e tij të intelektit.
Nëse në pjesën e parë të romanit Gurametoja, është fokusi, ndërsa të tjerët, tipa personazhesh esenciale, pijanecë, karagjozë, derdimenë, thashethemexhinj që lëvizin si hije, në sfondin e romanit, duke shërbyer thjesht si personazhe Gaxhet, që zotërojnë një informacion, e japin dhe më pas treten, në pjesën e dytë, fokusi është Shaqo Mezini, ndërsa Gurametoja, është hija, që përbën sfondin e kësaj pikture dhe dramën e hetuesit.
Të dy këto personazhe i lidh Gjirokastra, por i lidh dhe një personazh i tretë, Fritz von Schwabe dhe trilli i sajuar prej tij, që ngjall një histori të vjetër gjirokastrite. Historinë e të vdekurit që shkon për të bujtur, i ftuar gabimisht nga ftesa që djali i të zotit të shtëpisë e hedh mbi varrezat e qytetit.
Fritz von Schwabe nuk është Fritz von Schwabe, por Klaus Helmpf, ndërsa këmbimi i identitetit me shokun e vërtet të Gurametos e shndërron pa dashje Gjirokastrën në qendrën e globit, ku mendohet se po luhet një komplot i madh, komploti i bluzave të bardha, i udhëhequr nga organizata terroriste hebraike e “Xhonsit”.
Vetëm një mendje brilante si Kadareja mund të ndërtojë një botë të trilluar kaq të besueshme, ndoshta më të besueshme sa mund të ketë ndodhur në të vërtetë, sa pavarësisht dendurisë së rasteve, situatave të koklavitura, intrigave, të ruajë një qartësi të tillë, ku gjithçka të ndihet e përligjur.
- A është historia e “Darkës mistike” vetëm një histori për t’u rrëfyer?
Një subjekt i shkruar keq i ngjan një “fëmije” që lind i vdekur. Romani i Kadaresë ka më së pari, vlera estetike. Është një tekst me aq shumë nënshtresa kuptimore, sa edhe në ato kapituj ku stuhia e intrigës qetësohet, vigjilenca e lexuesit është e pamundur të ulet, sepse mendon se po bie në grackën e një trilli, që sapo ka nisur të thuret. Për ta ilustruar këtë që dua të them, mund të shërbejë kapitulli “ Zi Gratë”, i cili edhe pse duket si i futur mekanikisht brenda romanit jep në mënyrë alegorike dhe groteske ndërtimin e rendit të ri socialist, sidomos farsës së asimilimit gjinor, të proklamuar në emër të barazisë gjinore nga komunistët.
Nga ana tjetër, Kadareja na servir një pamje, se ç’ndodh me individin, kur këmbimi i autoritetit, është i vazhdueshëm. Në një hapësirë relativisht të shkurtër kohore, qyteti kalon nga duart e italianëve, te gjermanët, deri pastaj te komunistët, shto këtu edhe mbetjet e ish-Perandorisë Osmane. Për atë që mund të jesh mik, i dëshirueshëm, i pranueshëm për tjetrin mund të jesh armik, i padëshirueshëm, i papranueshëm, madje i rrezikshëm. Kjo vjen për faktin se askush nuk mund të jetojë si ishull më vete, i pandikuar nga të tjerët dhe pa vepruar me të tjerët.
Fraza dëshpëruese e doktorit “Ah ajo darkë…” mund të orientojë lexuesin drejt leximit të mëkatit të zakonshm njerëzor, të njeriut që nuk zhbën dot gabimet e së shkuarës. Madje nuk do t’i zhbënte dot, edhe sikur të mund të kthehej pas për t’i ndrequr. Është pikërisht ajo që u thotë Jezusi dishepujve ‒ gjërat do të ndodhin kështu se janë të shkruara të ndodhin.
- Këmbimi i identitetit, plotësimi i kushtit ideal nga mungesa e vëzhgimit
Vëzhgimi në roman, si vëzhgim brenda një bote të trilluar që funksionon me ligje të pavarura nga bota e njëmendësisë, ka karakter fragmentar. Si rregull, ngjarjet, personazhet, skenat ekzistojnë për aq kohë sa ne arrijmë t’i vëzhgojmë përmes procesit të leximit.
Kështu është normale që një personazh të qëndrojë në fokus dhe mbasandaj të zhduket për kapituj të tërë. Si rregull, rishfaqja e tij, sidomos gjatë metamorfozave të dallueshme, duhet të shpjegohet nga autori, për të mos kompromentuar besueshmërinë e ngjarjes. Ose personazhi duhet të shpjegojë ndryshimin (çfarë ka ndodhur me të). Në rastin e Klaus Helmpfit që vjen si Fritz won Schbawe, kushti i këmbimit të identiteteve është gati perfekt. Ky këmbim kryhet jashtë vëzhgimit të lexuesit dhe del e qartë vetëm nga të dhënat e paraqitura fillimisht nga hetuesi gjerman e mbasandaj nga ai, rus. E vetmja pikë komprometuese për besueshmërinë e ngjarjes mbetet pyetja e thjeshtë “pse”?
(Pse Klaus Helmpfi prezantohet si Fritz von Schwabe? )
Përligjja vjen nga historia e të vdekurit, që ngrihet nga varri për të bujtur. Ajo është ana tjetër e monedhës, inercia e ngjarjes, ndryshojnë vetëm motivet, diametri është njëlloj.
Për mua, zgjedhja e Klaus Helmpfit nëse është irracionale, pra instiktive, ka mundësi që zanafillën ta ketë te një ndjenjë sentimentale të lindur në spitalin fushor të Ukrahinës, për Prince Von Shwaben e vërtetë, i cili nuk kishte mundësi të takonte më i gjallë mikun e tij shqiptar, sepse do të vdiste. Kështu, vdekja e Gurametos, në leximin tim, është rrjedhojë e një veprimi spontan të Klaus Helmpfit, vjen si mënyra e vetme e bashkimit të dy miqve të vjetër, tashmë në botën e të vdekurve, pasi në botën e të gjallëve do të qe e pamundur. Ndaj ky ribashkim ndodh atëherë kur Gurametoja, në agoninë e fundit, nuk gjen të lidhur pranë vetes Gurameton e Vogël, siç mendonte, por dikë tjetër, një figurë të paqartë.
Dhe nëse zgjedhja e Klaus Helmspfit është racionale, pra e qëllimshme, ka mundësi që historinë e vjetër të “ të vdekurit”, ai ta ketë dëgjuar në spitalin fushor, nga Prince Von Shwabe dhe ka dashur, ta zgjojë këtë histori rrëqethëse nga gjumi, ose më së paku, ka dashur të bëjë të mundurën të pamundur, pra të bashkojë dy miqtë në botën e të gjallëve. Kjo është e mundur, po të kemi parasysh se identitetin, e legjitimon më së pari esenca metafizike dhe më pas prezenca fizike. Prandaj, herë pas here, për të legjitimuar prezencën e Fritz von Shwabe, Klaus Helmpfi, i adreson pyetjen permanente Gurametos,- ti kujton se unë nuk jam ai i atjeshmi? ( pra, ai dyshon nëse e paraqet si duhet identitetin e ri ).
- Cila është viktima e vërtetë e trillit të sajuar nga Klaus Helmpfi?
Kadareja thotë se darka u dënua nga të dyja palët, d.m.th., edhe Fritz von Schwabe i rremë u dënua nga të tijtë për darkën ku mori pjesë, ndërsa fati i tij nuk bëhet i ditur.
Viktima e vërtetë e kësaj dark nuk mbetet të jetë as Gurameto. Vdekja e tij mund të kishte ardhur edhe pa u hetuar fare, duke e dënuar me damkën e tradhtarit që priti armiqtë e kombit për darkë. Hetimi i ngjarjes thjesht shërben jo për të zbuluar të fshehtat e asaj darke, të pëshpëritura vesh më vesh, por për të ncxjerrë në pah viktimën, “të vdekurin” e vërtetë, i cili nuk është tjetër kush përveç Shaqo Mezinit. Një personazh kompleks, siç thamë, tërë kohën në evoluim. Drama e të qënit i “sëmurë” nga deliri si anomali psikologjike. I devotshëm ndaj autoritetit që i shërben, e nis me besimin e plotë se ka në duar rastin që do ta bëjë emrin e tij qendrën e botës, aq sa zbulimi i komplotit të “Xhonsit” do ta ulë në të njëjtën tryezë me “babën shpirtëror” Stalinin. Mendim tipik i një mendjeje prej mediokri. I gjithë procesi i hetimit, Gurameton e shndërron vetëm fizikisht, ndërsa hetuesin e rrënon mendërisht dhe shpirtërisht. Në fillim Shaqo Mezini, kërcënon, ngulmon, provon me të gjitha mënyrat, në fund lutet, derisa përfundon i dërrmuar.
Vdekja e Stalinit e trondit. Tanimë çdo ëndërr e tij ka vdekur bashkë me “babanë e madh” në jetën e tij i ka humbur të gjitha, karrierën, ëndrrat, të dashurën dhe dinjitetin. Sipas tij, fajtori kryesor është Gurameto. Ai Gurametoja shpërfillës, që e simpatizonte që i vogël. Gurametoja që zotëronte gratë e qytetit dhe që i shpërfillte të gjithë.
- Një doktor për të shëruar Stalinin dhe një kronist i verbër për të dëshmuar darkën…
Galeria e personazheve të veprës është e jashtëzakonshme. Çdo personazh lëviz brenda një sfondi të mjegullt, por brenda një perimetri të përcaktuar qartë në kohë dhe hapsirë. Ndoshta mund të ketë arsye biografike, por zgjedhja e një doktori nuk është e rastësishme.
‒ Stalini po vdes, po mbytet, shpëtoje doktor, ‒ klith Shaqo Mezini.
Sigurisht, ironia është therëse, Stalini “i pavdekshëm” pret të shpëtohet nga një doktor i rëndomtë, në skajin më të parëndësishëm të kampit të madh socialist. Sigurisht, nuk bëhet fjalë për një kurim fizik, por metafizik. Gurametoja refuzon. A e shkel betimin e Hipokratit? Ndoshta, po! Cilido doktor duhet t’i shërbejë cilitdo pacienti, pavarësisht rrethanave në të cilat ndodhet dhe pavarësisht mjeteve përmes të cilave mund ta shërojë.
Dhe në fund, personazhi mistik i verbër, Vehib Qorri, që nuk ka parë në jetë as të gjallë, as të vdekur, sepse ka lindur i verbër, mirëpo që është i pari që i shkon irracionalisht më pranë së vërtetës. Ngjarjet e mëdha, për të mbetur në histori, kërkojnë dëshmitarë “të verbër”, që nuk merren me detajet por me thelbin. Nëpërmjet këtij marifeti, këto ngjarje bëhen mitike, kanonizohen dhe bëhen të pavdekshme, njëjtë si te Iliada e Homerit..gazetapasqyre.al