Dans hungarez i orës shtatë

NDRIÇIM ADEMAJ
Një nga një po ikin njerëzit e mi
me autobusin e orës shtatë…
Sonte paska ikë edhe Hajra
kafexhiu i buzëqeshur i Rrugës së Farkëtarëve
që në hungarisht di vetëm t’ia shajë nënën
këtij vendi të poshtër…
Njerëzit po shkojnë
e ky qytet i ngjan një fushe korbash të uritur
që s’kanë kokën e kujt ta hanë…
Jeta jonë po ikën ditë për ditë
me autobusin e orës shtatë,
unë endem rrugëve
me një biletë në dorë
dhe një brisk rroje në xhep…
Edhe kjo ditë boshe ka marrë udhë
nesër mund të jetë një ditë e mirë për t’i rënë vetes
ose qeverisë
e atëherë vnerin e njerëzve të mi
as Danubi s’do të mund ta lajë…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *