Dalin letërkëmbimet e Pjetër Bogdanit

Shoqëria jonë me kohë të përshpejtë dhe me kujtesë të dobët, prej disa vitesh ka shpikur shijen e përkujtimoreve. Ditëlindje të çdo lloji; nga muzika tek letërsia, nga fitoret luftarake tek qytetërimet e harruara, nga figurat politike tek zërat e shkencës, të gjitha, ndjekin njëra tjetrën dhe herë pas here asnjanësohen. Kujtesa jonë, shpesh e zbrazur, vuan nga ngarkesa e tepërt dhe nuk dallojmë dot më kush dhe çfarë meriton nderimet e vërteta.
Figura e Bogdanit është tipike e kësaj situate. Megjithëse studiuesit dhe shkrimtarët shqiptarë nuk e kanë injoruar kurrë Bogdanin, për shumë vite për të është folur rrallë dhe ndonjëherë me gjysmë zëri, ndërkohë që, katër shekuj pas vdekjes së tij, struktura e mendimit që ndërtoi, gjuha që ai përpunoi, hapja me të cilën ushqeu qytetërimin shqiptar, vijnë ndërherë si dëshmitarët më të çmuar dhe ndoshta të vetëm të një kulture, letërsie dhe qytetërimi të përbashkët me Evropën ku përkojmë sot. Dhe si një paradoks, ndërtohet kontrasti midis pamohueshmërisë së veprës së tij prej të mëdhenjve të Gjuhës dhe të Letërsisë shqipe, gati si drita që nuk e fshehim dot, dhe mosnjohjes që gëzon ajo dhe autori i saj, gati si verbim që na pengon të shohim nga vijmë e ku po shkojmë. Ndoshta, është ende i pashteruar ai që shërbeu, zhvilloi e përhapi Fjalën, duke sjellë Frymën dhe Idetë. Dhe megjithëse, sot, pavarësisht se ç’thuhet, ai duket se e ka humbur në të vërtetë luftën për një shëmbëllim më të arsyeshëm të botës shoqërore dhe shpirtërore shqiptare, e më tej të asaj ballkanase, fati tragjik që pësoi, si litar i trashëguar prej shekujve, na bashkon vllazërisht me të, ashtu siç përbashkoi ai gjuhën shqipe me Burimin e gjallë e të pashtershëm. Duke e njohur këtë lidhje, ne njihemi më mirë me veten, duke mos e mohuar atë bëhemi shqiptarë, duke e trashëguar mbetemi të tillë; rreziku i verbimit, në këtë rast, ai i mosnjohjes së trashëgimisë sonë, nuk qëndron tek të ligët, siç jemi mësuar ta qëndrojmë gjithmonë, edhe kur tregtojnë rëndomtë, ndonjëherë nën petkun e eruditëve, vlerat dhe versionet zanafillore të kombit shqiptar, por tek heshtja e dashamirësve.

Sot, Bogdani duhet rilexuar; por cili Bogdan? Sepse ka shumë personazhe; secili i rëndë, sovran, por i ndërthurur brenda të njëjtit person. Është Bogdani i gjuhës dhe letërsisë shqipe; ai, që zbulojmë me vrap e tërthorazi në shkollë si një fillim të largët e të fjetur të poetikës shqipe; është ai që megjithëse prift, me krenari e shpallim si Shqiptarin e madh në mbrojtje të idealit humanist Evropian; Bogdani poliglot e përkthyes, Bogdani teolog e filozof.

Cili prej këtyre personazheve, që shfaqen si shumësi hiresh dhe dhuratash brenda shpirtit të Bogdanit do të mund të rilexonim sot? Në një kohë përkimesh e përkujtimesh, imponohet natyrshëm leximi i letrave të shkruara gjatë periudhës së shërbimit të tij si Ipeshkëv i Shkodrës dhe i Tivarit, që prej emërimit nga Propaganda Fide në tetor të vitit 1965. Falë punës së përkushtuar dhe të heshtur të motrës së vogël Odette Louise de Jésus, këtu do të zbulojmë Bogdanin që dëshmon epilogun e historisë së gjatë me Perandorinë osmane nëpërmjet një pjese të jetës së tij personale, një jetë e shprehur me shërbim për të afërmit, me besim, me përkushtim e bindje deri në martirizim. Martirët tregojnë, dëshmojnë dhe Bogdani sot e ka përmbushur dëshirën e tij. Ai dëshmon besimin dhe trashëgon përjetësinë. Në këto letra, ku Bogdani ndjente pasqyrën zmadhuese të qytetërimit të ardhshëm shqiptar, do të njohim lutjen, përshpirtësinë, shqetësimin e tij për mënyrën se si ky qytetërim po ndërtohej, me gurët e themelit në intrigat e botës orientale, të cilën pa faj e quan disa herë barbareske… Ai nuk urren asgjë më shumë se fanatizmin, intrigën dhe barbarinë dhe këndon si një paraardhës i Iluminizmit:

… kaq madhështore është,
Begatia e gjuhës së ditur
Mendja e etur për dije…

Letërkëmbimet zbulojnë edukatorin intelektual, por në të njëjtin plan edhe bariun besnik. Në krah të kishës dhe fesë së tij ngrihet shkenca dhe dëshira për arsyen. Dokumentat na tregojnë sesi me Bogdanin, në këtë pjesë të errët dhe persekutuese të historisë së shqiptarëve lind edhe një frymë e re, ku krahas rezistencës ndaj turkut, shprehet kërshëria për kërkime, libra e meditime. Ku besëtytnitë dhe fanatizmat ia lënë vendin dijes dhe besimit të lirë. Por përveç dashamirësve të librit, historianëve dhe letrarëve, leximi i letërkëmbimeve të Bogdanit, sikurse edhe përvjetori e përkujtimi i kthimit të tij në shërbim të kishës shqiptare, na fton të gjithëve të meditojmë, dhe të kthehemi në njerëz shpirtëror, sepse siç do të profetizonte edhe një francez i madh, André Malraux, sikur ta kishte profetizuar për shqiptarët sot, bota e këtij shekulli do të jetë shpirtërore ose nuk do të jetë fare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *