Drejtori i Teatrit Kombëtar Hervin Çuli, ka vendosur të “zhveshë” kostumin e drejtorit pë rtë hedhur krahëve kostumin e regjisorit. Premiera e pjesës “Tri motrat” të autorit Anton Çehov ngjitet në skenën e TK-së, më 15 janar. Me skenografi të Kristo Çalës dhe kostume të Berina Kokonës, në të interpretojnë Bujar Asqeriu, Neritan Liçaj, Elia Zaharia, Anila Bisha, Gert Ferra, Helidon Fino, Gladiola Harizaj. Çuli, që prej ardhjes së tij në krye të TK-së, nuk i ka qëndruar larg skenës. Nëse vitin që shkoi u ngjit në skenë me rolin e Maratit tek “Përndjekja dhe vrasja e Zhan Pol Maratit” me regji të Arben Kumbaros, këtë vit, ai e nis me një pjesë ku regjia është e tija.
Gjatë vitit, në skenë do të vihen pjesë nga Pirandelo, Shepard, Shekspir, Havel, Aristofani; me regji të Driada Dervishit, Kastriot Çipit, Elma Dorezi, Mehmet Xhelili e Spiro Duni.
Ndërkaq, lajmi i mirë është se pas prishjes së kaldajës në kohën që ndërtohej pedonalja, pritet që në premierën e “Tri Motrave”, prblemi të zgjidhet përmes vënies në puën të një kaldaje të re.
Anton Çehov ishte fizikant, dramaturg dhe shkrimtar rus i cili konsiderohet si ndër shkrimtarët më të mirë të tregimeve. Së bashku me Henrik Ibsen dhe August Strindberg, Anton Çehov ishte ndër figurat kryesore që themeloi teatrin modern. Pas shfaqjes “Pulëbardha”në vitin 1896 Çehov vendosi të heq dorë nga Teatri pasi shfaqja nuk u prit mirë nga audienca, por kjo shfaqje u ringjall sërisht në vitin 1898 nga Konstantin Stanislavski i Teatrit Artistik të Moskës i cili vendosi në skenë gjithashtu “Xhaxha Vanja” dhe 2 veprat e tij të fundit “Tri Motrat” dhe “Kopshti i Qershive”. Këto katër vepra konsiderohen si një sfidë për aktrimin në tërësi, po ashtu dhe për publikun sepse në vend të një doktrine të zakonshme të teatrit Çehovi na prezanton me “Teatrin e gjëndjes” dhe me “Zhytjen e jetës në tekst”.