Çmimi letrar “Kadare” që do të shpallet gjatë Ditëve Letrare të Razmës në 26-28 maj, është një nxitje për të folur për letërsinë bashkëkohore shqiptare, për prurjet e saj, tendencat në tematikë dhe shprehje, por edhe mënyrën e komunikimit me publikun shqiptar e të huaj. Kryetari i jurisë së këtij çmimi, shkrimtari dhe përkthyesi Bashkim Shehu, ndalet pikërisht në këto momente.
Sipas Shehut nuk mungojnë talentet, por një lloj ekosistemi që do ta bënte letërsinë shqipe më komunikuese edhe përtej kufijve. Po ashtu, Shehu sqaron lidhjet mes letërsisë dhe kujtesës. Shehu thotë se letërsia nuk i shërben kujtesës.
“Kemi prirjen që letërsinë ta vështrojmë të instrumentalizuar në funksion të shoqërisë apo të kombit apo të ndonjë idealiteti tjetër të këtij kallëpi apo të ndonjë kallëpi tjetër. Dhe, kur është fjala për kujtesën, me një instrumentalizim të tillë, letërsia do të ishte në rastin më të mirë një farë zgjatimi i historiografisë, ndërsa në rastin më të keq do të ishte një farë bishti i sensacionalizmit mediatike”, thotë ndër të tjera Shehu.
Z. Shehu, marrëdhëniet ndërmjet letërsisë dhe kujtesës janë nga më të rëndësishmet për të kuptuar dhe ngritur pyetje mbi zhvillimet letrare por edhe ato shoqërore, kulturore e historike të një vendi. Në fund të muajit maj, ju do të jeni i ftuar nderi në Ditët Letrare të Razmës për dhënien e Çmimit letrar Kadare si kryetar i jurisë dhe si referues mbi temën e letërsisë dhe kujtesës. Vetë emri juaj thërret njëherësh lidhjen si me letërsinë, ashtu edhe me kujtesën në Shqipëri, pasi ju jeni i njohur si shkrimtar dhe si lëvrues i letërsisë së kujtesës. Si e keni ndërtuar por edhe përjetuar ju si shkrimtar të kujtuarit përmes letërsisë?
Për mua, letërsia nuk është në shërbim të kujtesës, ashtu sikurse nuk është në shërbim të asgjëje tjetër. Më e vërtetë në lidhje me kujtesën është e kundërta. Dhe, në këtë kuptim, kujtesa, si përjetim vetjak, por që ndodh të përkojë në më shumë apo më pak raste me përjetime kolektive, është bërë gjithnjë e më e rëndësishme për mua, ndoshta për shkak të moshës. Kujtesën e shoh si një ishull të largët ku imagjinata arrin të shkojë herë pas here dhe, si një magjistar i mbrapshtë, ajo përçudnon gjithçka që i del përpara në atë ishull të largët… Natyrisht, me përjashtim të referencave historike ose të fakteve që kanë rëndësi historike. Por edhe këto të fundit janë gjithsesi në shërbim të imagjinatës, qoftë dhe vetëm ngaqë u japin besueshmëri përçudnimeve të shkaktuara nga loja e saj.
Çmimi që ju do të jepni, mban emrin e shkrimtarit të njohur Ismail Kadare, dhe vlera e tij qoftë simbolike po ashtu edhe monetare është e konsiderueshme (kjo e fundit, përkatësisht 10 mijë euro). Për sa i përket letërsisë shqipe bashkëkohore, a vëreni dukuri, emra ose prurje letrare që meritojnë vëmendje dhe a vlerësohen ato sa dhe si duhet në mjedisin kulturor, social dhe ekonomik të vendit në përgjithësi?
Si dukuri letrare në letërsinë shqipe bashkëkohore, dhe me këtë kuptoj letërsinë shqipe pas rënies së diktaturës, vërej larminë e saj dhe kërkimin e shtigjeve të reja, si në tematikë, ashtu edhe – çka më duket më rëndësishme – në estetikë. Dhe kjo më duket më e rëndësishme ngaqë në letërsi, më tepër se çfarë thuhet, ka vlerë mënyra se si thuhet. Pra, pyetja themelore nuk është “çfarë”, po është pyetja “si” – kjo fjalëz njërrokëshe që shënjon cilësinë. Lidhur me autorët: autorë të talentuar ka jo pak, të rinj ose jo të rinj, sikurse edhe në fusha të tjera të krijimtarisë. Ajo që mungon është klima e përshtatshme, ekosistemi i përshtatshëm, hapësira e komunikimit kulturor. Në këtë mungesë klime apo ekosistemi, talentet që ia dalin të mbijetojnë janë si bimët ngulmuese të rritura rrëzë një shkëmbi apo në shkretëtirë.
Po në letërsinë europiane apo atë ndërkombëtare në përgjithësi, a ka vëmendje apo interes ndaj autorëve apo veprave të letërsisë shqipe bashkëkohore?
Përherë e më shumë. Por mendoj se letërsia shqipe meriton më shumë vëmendje dhe interesim nga botuesit e huaj.
Edhe përmes shqyrtimit të veprave dhe autorëve që janë në garë për Çmimin Kadare që jepet nga Instituti Europian Pashko pranë UET, mund të keni krijuar një ide ose perceptim tuajin rreth gjendjes së letërsisë shqipe bashkëkohore. Duke e parë në plan krahasues, si i shihni zhvillimet aktuale në letërsinë shqipe në raport me faza ose periudha të mëparshme?
E ritheksoj: talentet nuk mungojnë. Mungon ekosistemi, hapësira e komunikimit kulturor. Nën diktaturë, ekzistonte një ekosistem kulturor, vetëm se ishte burokratikisht i kontrolluar në përputhje me kriteret e një ideologjie totalitare. Ishte si ajo që thotë një personazh i dehur i Shekspirit lidhur me lëngun alkoolik, viktimë e të cilit kishte rënë: vera sillet si sofist në lidhje me epshin, ngaqë edhe ta nxit, edhe të heq mundësinë për ta kënaqur. Ndërsa pas shembjes së diktaturës lind mundësia që të krijohet një ekosistem kulturor i pavarur, po shoqëria ende nuk e ka krijuar dot.
Për kujtesën në Shqipëri flitet më dendur nga kënde politike, dokumentare ose publicistike, por më pak nga një kënd i lidhur me letërsinë. A mendoni se letërsia e kujtesës është në gjendje t’i flasë publikut në mënyrë rezonuese në Shqipëri për të shkuarën? Pra, a është ajo një medium efikas, duke iu referuar asaj me një term jo aq letrar, por objektivist?
Raporti i letërsisë me kujtesën kërkon një sërë sqarimesh. Që të themi se çfarë i lidh ato, duhet të jemi të ndërgjegjshëm për disa gracka që përmban brenda vetes ideja e lidhjes së tyre. Dhe kjo kërkon një shpjegim të gjatë dhe të ndërlikuar. Këtu po mjaftohem të vë në dukje kalimthi dy gjëra. Së pari, shpeshherë, kur flasim për kujtesën, ngatërrojmë kujtimet konkrete të individit me kujtesën kolektive si kujtesë historike. Së dyti, kemi prirjen që letërsinë ta vështrojmë të instrumentalizuar në funksion të shoqërisë apo të kombit apo të ndonjë idealiteti tjetër të këtij kallëpi apo të ndonjë kallë- pi tjetër. Dhe, kur është fjala për kujtesën, me një instrumentalizim të tillë, letërsia do të ishte në rastin më të mirë një farë zgjatimi i historiografisë, ndërsa në rastin më të keq do të ishte një farë bishti i sensacionalizmit mediatik.
Duke iu referuar veprave që keni shqyrtuar deri tani, kur afati për dorëzimin e dorëshkrimeve ka përfunduar, a keni përvijuar ndonjë trend apo kahje të re si edhe prurje cilësore (pa përmendur emra dhe tituj, sigurisht, për shkak të etikës profesionale)?
Dukuritë janë pak a shumë po ato që përmenda kur fola për letërsinë shqipe në përgjithësi, të karakterizuar nga larmia dhe kërkimi. Po edhe në juri ka një larmi opinionesh e shijesh, një larmi të madhe. Gjithsesi, përzgjedhja e finalistëve dhe pastaj e fituesit bëhen me shumicë votash, sipas parimit “një njeri, një votë”.
Çfarë lloj letërsie është paraqitur më tepër dhe meqenëse në këtë intervistë kemi qëndruar te marrëdhëniet e letërsisë me kujtesën, që është edhe tema e konferencës shkencore të Departamentit të Komunikimit gjatë Ditëve Letrare në Razëm, tematika e veprave është më tepër e lidhur me të kaluarën apo të tashmen?
Nuk jam në gjendje ta them. Nuk i kam parë me atë sy. Po letërsia, në çfarëdo kohe të jetë vendosur subjekti, gjithmonë flet për të shkuarën, madje për një të shkuar, si të thuash, jashtëkohore, për një të shkuar mitike, sepse gjithmonë ka brenda përralltarin e vjetër që e fillon me “na ishte një herë”, do apo nuk do autori. Puna e një autori të mirë është që ta zgjojë përrallëtarin e moçëm, që dremit në shpirtin e tij duke folur copa-copa në dremitje e sipër, dhe ta lërë të shprehet, të mos ia shuajë zërin me unin e vet të vockël dhe me unin po aq të vockël kolektiv që pretendon të përfaqësojë.
Një nga diskutimet publike të kohëve të fundit në lidhje me letërsinë në Shqipëri ka qenë ai mbi letërsinë e Dritëro Agollit. A i keni ndjekur këto debate dhe si e vlerësoni ju letërsinë e periudhës së realizmit socialist në tërësi, ashtu sikurse është lëvruar në Shqipëri?
Jo, nuk i kam ndjekur. Ndërsa në lidhje me realizmin socialist mendoj se duhet bërë dallimi ndërmjet realizmit socialist si doktrinë zyrtare dhe veprave që shkruheshin, madje edhe një pjese të veprave që botoheshin. Ka pasur vepra që s’kanë qenë të realizmit socialist, jo të shumta; ka pasur të tjera, më shumë, që nuk kanë qenë tërësisht të realizmit socialist; sikurse ka pasur plot që kanë qenë të tilla tërësisht, dhe këto të fundit nuk kanë asnjë vlerë. Dhe për veprat pa vlerë nuk ia vlen të flitet.
KANDIDATËT PËR ÇMIMIN “KADARE”
Musa Ramadani “Profeti nga Praga” (roman)
Virion Graçi “800 hapa larg Venerës” (roman)
Arben Kastrati “I dashuri unë”(roman)
Mimoza Ahmeti “Tutori”(roman)
Ardian Haxhaj “Vegim” (roman)
Brajan Sukaj “Viti i Elefantit”(roman)
/Belina Budini; Panorama