Cikël me poezi nga Mercedes Gega

Sot

Sot mbush fiks një jetë që dje!

Toka ende rrotullohet…

Unë fle të mos ndiej turravrapin e saj…

Nën çarçafë nata numëron sa vende më kanë ngelur

pa kafshuar ende nga pyetja retorike:

“Përse duhet të dashurosh si fëmijë?…”

Fiks një lumë drite mes nesh nga dje!

Uji i ftohtë m’i bën bashkë copëzat e mëngjesit në sy!

Marramendem…

…rrjedhës së ujit i dorëzoj fytyrën…

ajo më kthen këngë zogjsh…

Zhurma makinash…

Përshëndetje formale…

Hapa të përgjumur…

Puthje të padhëna…

Një qytet zgjohet brenda meje…

Fiks një jetë nga dje…!

 

 

Shko…

 

Patjetër shko nëse kërkon

Një qiell diejsh pa kufi

Pa stinë, pa re, pa shi e borë

Ylber pa ngjyrat Unë dhe Ti!

 

Patjetër, zemër, ti shko atje

Ku erëra malli nuk të përshkojnë

Atje ku hënat pesëmbëdhjetëshe

Ëndrrat e tua nuk i bekojnë!

 

Ti shko, po shko dhe ji i lirë

I lumtur ji në mundsh po aq

Nga fryma jote une lind çdo ditë

Ndonëse çdo mbrëmje  vdes pak nga pak…

 

Provo mos të më duash

 

Gjithë rrezet e buzëqeshjeve të tua

Kurorë në iris të syrit ruaj

Kur shirat e vjeshtës përse-ve të na strukin

Ti shihmë në sy

Pastaj…

provo mos të më duash…

2 comments

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *