Një lajm i mirë për botën e artit bashkëkohor mbase me ndikim për artistët shqiptarë. Christine Macel, kryekuratore e Muzeut Kombëtar të Artit Modern -Centre Pompidou në Paris, e që kryesoi vitin e kaluar jurinë ndërkombëtare në Tiranë e cila, shqyrtoi dhe përzgjodhi artistët shqiptarë që morën pjesë në ACAS – Albanian Contemporary Artist Salon në muajin nëntor të vitit 2015 është zgjedhur si “drejtuese” e Bienales së Venecias për vitin 2017. Praktikisht, bordi i Bienales së Venecias e ka emëruar atë Kuratore të edicionit të 57-të të Ekspozitës Ndërkombëtare të Artit 2017. Ka qenë sajti i bienales që ka bërë njoftimin duke sqaruar se nominimi i saj është bërë nga presidenti Paolo Baratta. Se sa do të ndikojë njohja e saj me artistët e rinj shqiptarë në promovimin e tyre, kjo mbetet për tu parë.
Puna e kuratores në Tiranë
Ministria e Kulturës dhe Ambasada Franceze në Tiranë organizuan Sallonin e Artit Bashkëkohor, ACAS, me qëllim promovimin e punës përzgjedhëse për artistët e rinj shqiptarë, profesionistë dhe kuratorëve të artit bashkëkohor në Shqipëri, në Francë dhe shkallë ndërkombëtare. Procesi i përzgjedhjes së artistëve pjesëmarrës u krye në Tiranë nga një juri e përbërë nga profesionistë të artit, mes tyre edhe Zonja Christine Macel, kryekuratorja e Qendrës Pompidou dhe artisti ndërkombëtar Sâadane Afif.
Salloni i Artit Bashkëkohor u çel me pjesëmarrjen e këtyre artistëve shqiptarë: Endri Dani, Klodian Deda, Arbër Elezi, Yllka Gjollesha, Ilir Kaso, Greta Pllana, Leonard Qylafi, Gentian Shkurti, Marina Sula, Ermela Teli, Driant Zeneli, Fani Zguro, Enkelejd Zonja.