Largimi i dy shefa redaksish, Armando Shkullaku dhe Alfred Lela, njëri nga AbcNews e tjetri nga Mapo; si dhe pasuria milionëshe e një tjetër ish-shefi të madh mediash, sot deputet, Alfred Peza, ishin dy zhvillime që provokuan një debat të madh në media mbi familjen e medias dhe personazhet e saj.
Në rastin e parë, në emër të lirisë së shprehjes u shenjtëruan dy emra, teksa u paraqitën si viktima kryeministrore për penën e tyre të hidhët. Por tej debatit të përqëndruar tek “liria e shprehjes”, pothuajse askush nuk u ndal tek kualiteti i tyre individual në protagonizmin e tyre mediatik.
Si rregull, që të dy, si Shkullaku e si Lela nuk kishin fare pse prononcoheshin për diçka që në fakt është tërësisht problem tregu. Ne jetojmë në një shoqëri tregu dhe media është pjesë e saj, ku vepron po me ligje tregu. Dhe ky treg, ndodh që e pranon ose nuk e pranon një marrëdhënie punëmarrës-punëdhënës për gjithë arsyet e mundshme, pragmatike apo ideale qofshin, që jo domosdoshmërisht duhet të bëhen publike.
Ndërkohë, dyshja Shkullaku-Lela e shfrytëzoi bukur rastin, falë dhe intervistimit nga Zëri i Amerikës, për t’ia rritur kuotat e rëndësisë vetes, për t’u rifryrë pak me silikonin e famës në këtë kohë deliresh të mëdha. Ndërkaq, po të shohësh CV-në e tyre profesionale, ajo është e ngërthyer më tepër tek shefi që shkruan opinione, urdhëron vartës dhe merr pagë me dy zero më tepër ndaj këtyre të fundit, sesa tek gazetari i mirëfilltë që së paku përfundon shef pasi i ka ra bretku terrenit duke ofruar produkte historike raportimi në kuptimin e aftësisë profesionale.
Nëse do kërkoni prej tyre ndonjë kryevepër gazetareske, veç opinioneve shkruar nën kondicioner, vështirë se do të gjeni. E megjithatë, ata kanë një vend nderi në panelet e debatit publik, të përzgjedhur nga shoqnia, ku arrogancën e Ramës e denoncojnë pa pikën e modestisë, ku së paku t’i thonë vetes: po pse duhet të jem unë me patjetër këtu?
Ndërsa në rastin e dytë është Peza, një kalë pune si pakkush në media, ku të paktën ne gazetarët që kemi punuar me të e dijmë që ai nuk të falte për lek, por që ia bënte hyzmetin si askush. Që Fredi ka bërë pasuri me gazetari, duke zgjedhur një formë origjinale marketingu të vetvetes, një dhunti që ai e ka zotëruar për bukuri, këtë e di jo vetëm familja e madhe mediatike, por dhe një pjesë e politikës. Madje dhuntinë më të madhe, Peza nuk e ka patur në profesion, por në amballazhimin dhe servirjen e profesionit duke e shitur atë shtrenjtë me çmimin e punës, gjithnjë si kalë.
Dhe tani vijmë tek dikush që nuk i përket asnjë prej të sipërpërmendurve. Është në media që në agimet e saj. Themelues mediash e shef, por që e urrente zyrën, duke mbetur njëherësh dashnor i flaktë i terrenit, për ta prekur me dorë njeriun, jetën, botën e tij. Nuk u fut nga hiç në media, por sakrifikoi një karrierë akademike për t’iu qasur gazetarisë së re shqiptare në shpërgënj. Nuk bëri lek e nuk rendi kurrë pas rrogave të larta. Ndërtoi një karrierë ku profesioni përkthehej si dashuri e sakrificë e jo para e pordhë, shprehur në markat e veshjeve. Nuk iu afrua kurrë studiove të vanitetit (që ironikisht quhen të debatit) dhe nuk u rrek të bëjë të gjithëditurin për çdo çështje, për aq pak sa ka folur në publik.
Mbajtës gjallë i gjinisë së reportazhit që e urrente të quhej analist, emri i tij sot mungon në media, duke qenë në fakt një histori simpatike e saj, mbrujtur me talent, profesionalizëm, përkushtim e thjeshtësi. Ky ishte Fatos Baxhaku. /tesheshi.com/