Nga Luan Rama
Centauri i skulptorit Cesar Baldaccini (1921-1998) ka vite që qëndron këtu, në kryqëzimin e Rue de Sevres me Rue du Cherche Midi. I rëndë, krenar, si i dalë drejt e nga legjenda, ai ka hedhur hapin me një lloj hezitimi si të dojë të mos ecë më tej, të mos marshojë më, pasi udha e tij ka qenë e gjatë, luftrat të zhurmshme, gjakderdhja e madhe, zemërimet e Zotërve të Olimpit të tmerrshme… Vallë ka dëgjuar zërat e Orakujve të Delfit për të mos vazhduar më tej ? Mbase, sidoqoftë ai ka ndalur.
Cesar e ka fiksuar atë këtu, të qëndrojë nën shi, në diell, nën rrufetë e qiejve dhe gjëmimet e rruzullit, pa pyetur për erërat dhe furtunat. Supet e tij të hekurta mbajnë veç histori, historitë e tij dhe të centaurëve të tjerë, të Chiron, Pholos, Eurytion, Homade Crotos, Nessus… Centaur që na kujtojnë dashuritë e centaurëve të Rubens, permendorët e mëdha përkushtuar në kohën e antikitetit grek apo ato që ndodhen në Romën antike. Na kujton gjithashtu historinë e Herakliut që me shokët e tij pikëtakoi një centaur në pyllin e tij dhe pa që kishte një qyp me verë. Ai i kërkoi të shuajë etjen, por centauri hezitoi sepse vera ishte e të gjithë centaurëve si-vëllezër të tij. Por Herakliu arriti ta bindë. Vera u derdh dhe aroma e saj i ndolli menjëherë centaurët e tjerë të cilët zbritën si furia duke vrarë gjithë zemëriatë disa nga shokët e Herakliut…
Ky centaur gjysmë kalë gjysmë njeri, i lartë pej 4m e 80 cm dhe i krijuar në vitet 1983-1985, është një replikë e Minotaurit të Picasso-s (me trup njerëzor dhe kokën shtazore, për çka dhe quhet Minotaur). Maska e Pablos qëndron mbi kokën e centaurit. Picasso kishte dhjetë vjet që kishte vdekur. Një pëllumb paqeje, si ata të Picasso-s, centauri e mban në dorë, një pëllumb gati për tu nisur në fluturim. Një statujë në miniaturë e lirisë fshihet në kraharorin e tij. Me këto simbole, skulptori duket se do t’i japë fund dualitetit të madh njerëzor që me krijimin e tij, atë të dashurisë për jetën dhe tjetrin si dhe instinktit të shkatërrimit në subkoshiencën e tij që mbjell veç tragjedi, çka e kemi parë me tragjeditë e mëdha botërore në të gjitha shekujt dhe kohërat e errta të Njerëzimit.
E megjithatë Centauri është njëkohësisht dhe forca, është ngadhnjimi. Dhe ky ngadhnjim duket se qëndron gjithë hire në këtë shesh që rastësisht quhet «Sheshi i kryqit të kuq». Shufra hekuri, copra metali, bullona… elemente këto të privilegjuara të Cesar me të cilat ai krijoi vepra që hynë në historinë e artit botëror. Emigranti italian i rritur në Marsejë, i përkushtuar ndaj artit dhe që shpesh e gjeje në hedhurinat e hekurishteve për të gjetur lëndën e tij materiale, i dashuruar me sekretaren e tij, një vajzë dyzeçare vjeç më të vogël (një poemë më vete pasioni e dhëmshurie), ky pinjoll i punës dhe një hero i dashurisë, në gjysmën e dytë të shekullit XX krijoi vepra impresionuese, duke e vendosur atë në rradhën e artistëve të mëdhenj.
Pa hezitim, mund të kalosh nga Rodin dhe Bourdelle dhe të qëndrosh para veprave të Cesar me ndjesinë e talentit, madhështisë dhe forcës që ka vepra e tij. Kur Cesar vdiq, në një replikë të veprës së Centaurit, ai tashmë vuri kokën e tij, dhe ky monument në varrin e tij, është padyshim diçka kuptimplote për atë çka ai përfaqësonte, për atë çka ai kishte krijuar dhe jetuar… Duhet të shkosh në varrin e tij për të ndjerë se ajo zemër e hekurt, rreh ende !