“Cannes” hapet me romancën e viteve ’30 nën masa të rrepta sigurie

 Shoqëruar me motin e stuhishëm, nën masa të larta sigurie, me premierën e filmit të ri të Woody Allenit dhe ringjalljen e kauzave për abuzim seksual kundër regjisorit 80-vjeçar, është hapur edicioni i 69-të i Festivalit të Filmit në Cannes, shkruan sot Koha Ditore.

Allen – që akuzohet lidhur me abuzimin e vajzës së tij të adoptuar Dylan- solli romancën e Hollywoodit të viteve ’30, “Café Society” përkrah me yjet Kristen Stewart dhe Jesse Eisenberg, për të hapur festivalin që mbahet në rivierën franceze. Por pak minua para se ata të dilnin në konferencë për medie, një kolumne e djalit të Allen, Ronan Farrow, në të cilën ai përsërit akuzat për abuzim seksual kundër babait të tij, u publikua online nga “The Hollywood Reporter”. Farrow në këtë kolumne shtron pyetje për përkrahjen e vazhdueshme të Cannes ndaj Allenit dhe kritikon shtypin që sipas tij nuk shtron “pyetje të vështira”.

“Kjo lloj heshtjeje nuk është thjesht e gabuar. Është e rrezikshme. Dërgon mesazh te viktimat se nuk ia vlen të ecin para. Dërgon mesazhe për atë se kush jemi ne si shoqëri, me çfarë merremi, kë e injorojmë, kush ka rëndësi e kush jo”, ka shkruar Farrow. E asnjë gazetar nuk e ka pyetur Allenin asgjë për kolumnen e Farrow gjatë konferencës për medie dhe publicisti i tij nuk ka kthyer përgjigje në pyetje me email.

Komedia e re, e profilit të lartë të Allenit si film që hapi festivalin e Cannes mbase ishte shumë e vërejtshme për t’u shpëtuar polemikave. Festivali i famshëm është hapur gjashtë muaj pas sulmeve terroriste në Paris që lanë të vdekur 130 njerëz dhe Franca ende mbetet vend i rrezikuar. Sipas medieve shërbimet inteligjente italiane kanë raportuar se Shteti Islamik është duke planifikuar të ketë në shënjestër edhe rivierën bregdetare. Sigurimi ka qenë shumë më i rreptë me rritjen e kontrolleve.
Presidenti i festivalit, Pierre Lescure, ka thënë se rreth 500 agjentë të trajnuar sigurimi do të ruajnë përreth hapësirës së mbuluar me tapetë të kuq, në “Palais des Festivales”.

Juria që do të vendosë për çmimin prestigjioz “Palme d’Or” po ashtu është prezantuar në ditën e hapjes. E udhëhequr nga regjisori i “Mad Max”, George Miller, juria përfshin Donald Sutherland, Kirsten Dunst dhe Mads Mikkelsen. Gjatë dhjetë ditëve të ardhshme, do të shfaqen filma të fortë në konkurrencë për çmimin kryesor, e që janë realizime të reja filmike nga filmbërësit
Pedro Almodovar, Jim Jarmusch, Asghar Farhadi, Andrea Arnold, Sean Penn dhe vëllezërit Dardenne.

Por, dita e mërkurë në mënyrë shumë efikase i ka takuar Wody Allenit, megjithëse “Café Society” ka marrë kritika të dobëta. Në këtë film, Eisenberg luan një burrë të padobishëm nga Bronxi që përpiqet të gjejë vend në Hollywood, ku axha i tij (që luhet nga Steve Carell) është agjent i fuqishëm. Ai tërhiqet nga asistentja e xhaxhait të tij, që luhet nga Kirsten Stewart.

Allen, i cili është duke u përgatitur për projekte tjera, ka thënë se nuk ndihet i vjetër. “Jam 80-vjeçar. S’mund ta besoj. Jam kaq i ri, i shkathtë, vigjilent – gjë që është e habitshme”, u ka thënë ai gazetarëve. “Café Society” që do të shfaqet nëpër kinema këtë verë është më i riu në listën e gjatë të filmave në të cilët Allen pasqyron një aferë dashurie midis një burri të vjetër (Carell) dhe një vajze të re (Stewart). © KOHA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *