Camilio Jose Cela, “fëmija i tmerrshëm” i letërsisë spanjolle

Disa e konsideronin hero kombëtar, ndërsa të tjerë si një “fëmijë të tmerrshëm” të letërsisë spanjolle dhe atij i pëlqente ky paradoks. Shkrimtari spanjoll fitues i çmimit Nobel, Camilo Jose Cela (Kamilo Hoze Sela) i cili vdiq më 17 janar 2002 në moshën 85 vjeçare, ishte një provokator i lindur dhe e tregoi këtë tipar jo vetëm në veprat që shkroi, por edhe në jetën plot aventura që kaloi.
Cela lindi në maj të vitit 1916 në Iria Flavia, në rajonin jugperëndimor Galicia. Djali i një shkrimtari amator dhe i një britanikeje, ai  e kishte përshkruar fëmijërinë e tij si një “kohë të artë”, gjatë së cilës prindërit e kishin llastuar. I përjashtuar nga katër shkolla, ku ai thoshte se “mërzitej për vdekje”, Cela studioi më pas në Madrid për mjekësi, filozofi dhe juridik.
Ai mori pjesë në Luftën Civile të Spanjës si vullnetar në trupat e gjeneralit Francisko Franko. Gjatë kësaj lufte, ai u plagos dhe shkroi poemën e tij të parë surrealiste. Nga ajo kohë, Cela nuk hoqi dorë kurrë nga letërsia, megjithëse punoi në vende të ndryshme si gazetar, nëpunës publik, piktor, aktor dhe profesor letërsie.
“Dëshiroja gjithmonë të bëhesha poet dhe jo shkrimtar”, ankohej ai, megjithëse fama e tij vjen nga romanet që krijoi, duke bërë emër në vitin 1942 me “Familia de Pascual Duarte” (Familja e Paskual Duartes). Ky roman kritik realist u ndalua nga regjimi i Frankos, por, megjithatë, ai ndihmoi krijimin e një rryme të re letrare të njohur si “tremendismo”, duke e çliruar letërsinë spanjolle nga shijet konvencionale dhe duke e futur atë në një botë krimesh dhe dhune.
Cela punoi për llogari të regjimit të Frankos dhe për ironi të fatit, u bë një nga viktimat e tij. Edhe libri i tij “La Colmena” (Kosherja) i vitit 1951, ku përshkruheshin tri ditë nga jeta e 300 personave, të cilët përpiqeshin të mbijetonin nën diktaturën e Frankos, u ndalua. Disa nga veprat e tij më të mira, të përkthyera edhe në anglisht, janë “Journey në Alcarria” (Udhëtim në Alcarria), më 1948, dhe “Mazurka for Two Dead Men” (Mazurkë për dy burra të vdekur), më 1983.
Cela kërkonte të ngjallte provokime, duke përdorur një gjuhë vulgare në veprat e tij dhe duke hartuar madje edhe një fjalor sekret “Diccionario Secreto”, i cili përmbante fjalët e ndaluara në gjuhën spanjolle.
I palodhshëm në eksperimentimet e tij me gjuhën dhe teknikat letrare, Cela shkroi rreth 70 vepra, përfshi romane, histori të shkurtra, përshtypje nga udhëtimet, ese dhe poezi. Romani i tij i fundit, “Madera de boy”, u botua në vitin 1999. Megjithëse e fitoi çmimin Nobel në vitin 1989, Cela e mori çmimin “Cervantes”, nderimi më i madh në letërsinë spanjolle, vetëm në vitin 1995./ATA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *