Në edicionin e 65-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, 2 vite më parë, Shqipëria garoi për çmimin “Ariu i Artë” me filmin “Burrneshat”, i cili ishte një nga 10 filmat që u prit me kuriozitet nga kritika dhe publiku gjerman.
Sot pas 2 vitesh emigranti shqiptar, Enko Vejzollari që jeton e punon si regjisor në Greqi së bashku me një grup aktorësh kanë udhëtuar drejt Shkodrës. Pas një takimi me Bruno Shllakun një prej protagonistëve kryesorë të filmit, ata shpalosin edhe misionin e tyre, që këtë film ta përshtasin në dramë.
“Është jo vetëm tradita jonë por është shumë interesant pasi kemi pjesë nga Kanuni i Lek Dukagjinit”, ka thënë ai për gazetarin e Ora News Bepin Kolvataj, Enko Vejzollari. Ndërsa Bruno Shllaku është shprehur se “do të jetë një bashkëpunim i mirë, tema është interesante. Temat shqiptare gjithmonë kanë goditje të forta, gjë që u tregua me “Burrneshat” në festivalin botëror kur ishim në Berlin, që u mirëprit.”
Roli i burrneshws do t’i besohet aktores se njohur, Parthenopi Buzuri.
Parthenopi Buzuri: “Për mua është një çast shumë i madh në karrierën time të zbuloj traditat e një vendi tjetër. Udhëtimi im në Shqipëri, që është edhe i pari, është një udhëtim brenda meje, që të takoj këtë grua, burrneshën, që nuk është vetëm në vendin e vet por edhe në kohën e vet. Është një çast që tregon shumë për historinë e gruas. Këtu më pëlqen koha, vendi, njerëzit. Kam origjinën nga Greqia e Veriut dhe kjo zonë më kujton fëmijërinë time ndaj dua të vij përsëri. Por një këshillë e kam: Kujdes me udhëtimin me makina se janë shumë të rrezikshme!”
“Virgjëreshat e betuara” pritet të shënojë sukses në skenën greke, pasi përshtatja për teatër e bën këtë pjesë më të veçantë.