Bujar Lako, aktori i madh i skenës dhe i kinemasë shqiptare që ndërroi jetë, ka qenë njeri diskret dhe pothuajse nuk la shenja në publik tej jetës artistike, veç të qënit një vit deputet i PD-së (‘96-’97), së bashku me Ndriçim Xhepën dhe Robert Ndrenikën.
Ai do të mbahet mend vetëm për personazhet e tij, ndër më brilantet e kinemasë së socrealizmit, ku veçohet Ndrioja tek “Udha e Shkronjave”, Komandant Bermemo tek “Ballë për Ballë”, Martin Kreka tek “Përballimi”, Spahiu tek “Dora e ngrohtë”, gjenerali italian tek “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”, Luigj Gurakuqi tek “Nëntori i Dytë”, dhe padyshim Halit Berati tek “Gjeneral Gramafoni”.
Madje për këtë të fundi, sipas rrëfimeve të Edi Ramës, ai është ndeshur dhe me një situatë gati qesharake, sigurisht të panjohur për publikun, kur një polic dogane në Kakavijë i ka kërkuar të dijë mbi misterin e lojës së tij në klarinetë.
Në një shkrim publicistik të stilit rrëfimtar, aty nga viti `96, me titull “Lule shqipo, lule djalë”, Rama ka dhe një pjesëz ku tregon për një udhëtim të tij drejt Greqisë i shoqëruar nga Bujar Lako dhe një deputet. Në fakt, asnjë prej tyre nuk e përmend me emër, por në rastin e Lakos është lehtësisht e kuptueshme që bëhet fjalë për të. Dhe interesant në këtë copëz rrëfimi është reagimi i policit doganor kur ka parë Bujar Lakon, duke iu drejtuar aktorit pikërisht për rolin e tij të Halit Beratit, me kuriozitetin naiv për të ditur se kush në të vërtetë i bie klarinetës tek filmi.
“….Kësisoj, ishin vetëm dy bashkëatdhetarët e mi dhe unë që u paraqitëm sipas “rregullit”: Unë më pasaportë të rëndomtë, tjetri, aktor i njohur me psaportë shërbimi e i treti, deputet, me pasaportë diplomatike; erdhi pak më pas dhe një shofer i vjetër, të cilin polici e shtyu pa e lënë të futej në atë farë zyre duke i thënë me arrogancë të mbante rradhën. Dhoma ku kryeheshin formalitetet qe një frigorifer natyral ku bënte më ftohtë brenda se jashtë, ndoshta për shkak të xhamave të thyer që krijonin korent. Pisllëku të merrte sytë, poçi i elektrikut dukej sikur kishte varur veten, mbi një regjistër nga ata të kohës së pordhës një polic i ulur në të vetmen karrige shkruante me një rezervë kauçuku të kafshuar keq në majë numrat e pasaportave, kurse pranë tij një polic i tretë ngrohte këmbët mbi një furnellë të improvizuar duke lexuar gazetën “Zëri i Popullit”. Po të besoje se nuk qe ëndërr, siç dhe në të vërtetë ëndërr nuk qe, atëherë i binte të mos ishim në doganën e një shtetit anëtar të Këshillit të Europës po në zyrën e formaliteteve për të hyrë në ferr. Kur e pa aktorin e njohur, polici që shkruante luajti vendit, “Aman more”, i tha i emocionuar, “kam kaq vite që ëndërroj të të takoj e të të pyes: Vetë i bie klarinetës tij tek ai filmi me atë italianin që shiste pllaka gramafoni apo i bie ndonjë tjetër kurse ti bën sikur i bie?!…”
Më tej nuk dihet se c’raport shoqëror pati mes të dyve, por erdhi puna që politika t’i vinte për një çast të dy përballë. Pasi konsumoi pra një mandat 1-vjeçar deputeti në radhët e PD-së, kjo parti e përzgjodhi Bujar Lakon si kandidat të një prej njësive bashkiake të Tiranës në kuadër të zgjedhjeve lokale të vitit 2000, atëherë pra kur Rama vendosi t’i hyjë politikës duke kandiduar për kreun e Bashkisë së Tiranës. Vetëm në një takim elektoral ndodhi që Rama ta atakonte Lakon duke e ftuar si mik që mos përzihej me partinë e Berishës.
Por ndërkohë, mes tyre ka patur gjithsesi një miqësi, edhe fluide, pasi i takojnë një brezi artistësh me shumë fije të lidhura shoqërore me njëri-tjetrin. Kujtojmë që Rama ishte mik i ngushtë dhe me të vëllanë, Adhurim Lakon, i cili humbi jetën në një aksident në gusht të vitit 2006. /tesheshi.com