Nga Julia Vrapi
“Familja Tot” riktheu në skenën e Teatrit Kombëtar aktorin Bujar Asqeriu dhe këtë herë si kryefamiljari Tot. Vepra që mban emrin e autorit Orkeny Istvan në skenë erdhi me regji nga Andia Xhunga. Në intervistën e tij aktori i njohur Bujar Asqeriu, i cili këto kohë po shijon suksesin me rolin e radhës në skenën e teatrit flet për punën që është bërë për realizimin e tragjikomedisë premierë dhe personazhin e tij. Tregon se është befasuar nga ajo që ka gjetur në këtë vepër, që i takon dramaturgjisë hungareze dhe vlerëson punën e regjisore Xhunga, që ka mbledhur për shfaqjen e saj një kastë aktorësh të vlerësuar në teatër. Me shumë rëndësi në vepër janë dhe mesazhet që përcjell, sipas aktorit Bujar Asqeriu i cili këtë herë është në rolin e kryefamiljarit kjo vepër troket fuqishëm në ndërgjegjen e çdo shoqërie, për të mos humbur askush personalitetin, dinjitetin dhe lirinë aq të çmuar për këdo. Familja Tot jeton në ankth për fatin e djalit të tyre, që ndodhet ushtar në luftë. Ditën që ata i viziton komandanti i djalit, nis një kalvar nënshtrimesh përballë kërkesave të pazakonta të Majorit. Autori i veprës Orkeny Istvan vlerësohet si një ndër përfaqësuesit më të njohur të dramës absurde hungareze. Tragjeditë e tij kthehen në komedi dhe situata groteske duke u bërë të njohura në të gjithë botën. Deri sa është në gjendje të durojë njeriu, për të mos shkelur mbi dinjitetin e tij? Kjo është pyetja që ngre tragjikomedia “Familja Tot”, që dhe këto ditë gjatë fundjavës publiku e gjen në Teatrin Kombëtar. Nderuar me titullin për aktivitetin e tij artistik “Mjeshtër i Madh” këtë herë publikun e gjen aktorin Bujar Asqeriu në një vepër që siç shprehet dhe vetë përcjell mesazhe të fuqishme.
-Tragjikomedia “Familja Tot” ju riktheu në skenën e Teatrit Kombëtar. Këtë herë jeni kryefamiljari Tot. Çfarë ju ngacmoi për këtë rol, i cili vjen në vijim të personazheve në skenën e teatrit?
Unë erdha tek figura e Tot, pasi kisha realizuar një prej figurave të mia më të dashura të jetës artistike në veprën “Tre motrat” të Çehov me regji nga Hervin Çuli, personazhin e doktor Çibutkinit, që ishte vërtetë një realizim dinjitoz i Teatrit Kombëtar, dhe vetë frekuentimi dhe pjesëmarrja e publikut tregoi vlerat e këtij spektakli. Figura e Çibutkinit është nga më të dashurat dhe vështira të miat, që kam luajtur në jetën artistike. Aktori në jetën e tij ka kulminacione, ka mesatare dhe role të dobëta. Nuk është e thënë që në gjitha rolet të godasë apo të ketë të njëjtin sukses dhe pas Çibutkinit unë shpesh mendoja, që duhet të bëj një rol i cili në mos të jetë më i mirë nga ai të paktën të ruajë kuotat e Çibutkinit sa i përket realizimit skenik. Ky ka qenë shqetësimi im artistik. Nuk doja që pas Çibutkinit të vija me një figurë që të zhgënjeja publikun. Kur regjisorja Andia Xhunga më propozoi rolin dhe më dha veprën për ta lexuar, pas e lexova unë u befasove sepse ne nuk e njohim dramaturgjinë hungareze dhe ishte autor i panjohur për ne. U befasova sepse ky autor ishte i shkollës Çehoviane, i ndërtonte bukur situatat dhe karakteret. Në atë thjeshtësinë që ka dhe Çehovi kur ndërton dialogjet apo karakteret, mendova që jam në këtë dhe më pëlqeu shumë vepra “Familja Tot” dhe e mora me shumë dëshirë rolin.
-Ishte hera e parë që ju bashkëpunonit me regjisoren Andia Xhunga, në punën e saj çfarë gjetët tek kjo regjisore e re?
Hera e parë që bashkëpunoja me Andian. Një regjisore me pasion të veçantë për teatrin. Ne kemi disa vajza të zonja të talentuara në teatër, si Andia, Driada Dervishi, Elma Doresi, të cilat paraqesin talent dhe mua kjo më emocionon shumë. Dihet që tradicionalisht përgjithësisht tek ne regjisorët kanë qenë meshkuj. Regjisorja e parë femër tek ne është Drita Agolli, që unë e kujtoj me një respekt të veçantë, ku një nga pjesët më sugjestionuese të saj në skenë ka qenë “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxës në Teatrin Kombëtar. Unë kam pasur fatin të luaj nën drejtimin e saj tek pjesa e Pirandello-s “Njeriu, kafsha dhe virtyti”, dhe e kujtoj me shumë respekt profesoreshë Dritën, për kulturën dhe mençurinë. Kur shikoj këto të reja sot në teatër më vete mendja tek profesoreshë Drita. Këto vajza të talentuara, me një mendje të hapur dhe kjo ishte dhe një arsye tjetër pse unë kisha dëshirë të luaja rol në veprën e Andias, përmend këtu dhe miqësinë që kam me kolegun tim Indrit Çobanin bashkëshortin e saj që e respektoj. Andias që në fillim i kam thënë mos u druaj, sepse regjisorët e rinj druhen tu bëjnë vërejtje kur kanë të bëjnë me aktorë me eksperiencë të madhe në skenë. Gjëja e parë që i kam thënë, një këshillë nga unë që nuk duhet të druhesh kur të bësh vërejtje kujtdo aktori me të cilin punon, sepse ti drejton punën në shfaqje. Puna me Andian ka qenë një komoditet, reflektonte një respekt dhe siguri.
-Deri sa është në gjendje të durojë njeriu, për të mos shkelur mbi dinjitetin e tij? Kjo është pyetja që ngre tragjikomedia “Familja Tot” e autorit Orkeny Istvan. Në gjykimin tuaj, çfarë mund na thoni për atë që përcjell shfaqja?
Mesazhi është i drejtpërdrejtë, i fuqishëm, shumë i rëndësishëm për këdo lloj shoqërie, që ata që kanë në dorë fatet e njerëzve, ata që kanë në dorë jetët e njerëzve, flas nga drejtimi më i vogël deri tek ato më të mëdha të vendeve apo shteteve duhet të respektojnë personalitetin e njeriut. “Familja Tot” flet për depersonalizimin e njeriut, që është kanceri i çdo shoqërie njerëzore. Dihet që shumë njerëz kanë probleme nga më të ndryshmet. Po e konkretizojmë edhe me jetën reale shqiptare; njerëzit, të rinjtë, vajzat apo djemtë kanë hallet e punësimit, të shkollimit, të jetesës, dhe nevoja i shtyn të trokasin në një derë apo në një derë tjetër për të realizuar jo vetëm dëshirat, por dhe nevojat e tyre imediate të jetesës apo të mbijetesës, dhe është një maskaradë e madhe që një njeri të ketë në dorë të fusë një vajzë në punë dhe ti kërkojë raporte seksuale, është maskaradë e madhe që ai që ka në dorë të çojë një djalë në shkollë apo punë ti kërkojë para prindërve apo favore nga më të ndyrat. Kjo vepër troket fuqishëm në ndërgjegjen e çdo shoqërie, për të mos humbur askush personalitetin, dinjitetin dhe lirinë aq të çmuar për këdo. Në vepër majori që vjen nga fronti i luftës, ku kjo familje ka të birin e saj menjëherë të shkon mendja të familjet shqiptare që kanë djemtë e tyre si paqeruajtës në fronte lufte dhe presin me ankth tu kthehen fëmijët shëndoshë e mirë. Kjo tregon se çfarë traume shkakton lufta. Familja në vepër humbet djalin në luftë dhe ndërkohë nuk e di. Familja Tot duron, por finalja pasi e përcjellin majorin dhe ai kthehet për të qëndruar dhe tre ditë të tjera, kryefamiljari e merr majorin dhe e ndan në katër copa, sepse arrin pikun çdo gjë dhe bëhet e padurueshme. Një fund tragjik në vepër, sepse thotë populli dhe durimi ka një kufi.
-Në këtë shfaqje që erdhi premierë janë emra të njohur në kastin e aktorëve. Çfarë mund të na thoni për këtë përzgjedhje të regjisores në role?
Këtu është mençuria e regjisores Andia Xhunga, e cila për këtë vepër zgjodhi këtë staf dhe mendoj se gjërat i ka vendosur bukur. Është meritë e regjisores, që familja Tot përbëhej nga unë, gruaja, vajza, dhe duhet të vlerësoj dy artistet e reja të mrekullueshme Olta Daku dhe Adelina Muça. Përmend këtu dhe bashkëpunimin e saj me skenografin Genc Shkodrani, një profesionist i zoti, dhe kostumografen Berina Kokona, dhe duke mbledhur bashkëpunëtorë të zotë sigurisht që do të kemi produkt të mirë në vepër. Një falenderim i veçantë shkon dhe për publikun tonë shumë të dashur, i cili nuk i mungon sallave tona kur luan bukur dhe bën një shfaqje të bukur dhe thua mesazhe të fuqishme, të cilat ndikojnë në mendje dhe zemrën e publikut.
-Publiku nuk mungon edhe pse godina e teatrit tashmë dihet që ka probleme?
Për godinën kemi folur shumë. Tani është duke u ndërtuar një sallë e re, projekt që u prezantua më herët. Problemi është që më herët ne e kundërshtuam prishjen e teatrit jo thjesht për nostalgji, por sepse teatri nuk bëhet në rrugë, dhe po të pyesësh një njeri ku doni të rrini në këtë kasolle apo t’ju bëjmë një vilë, kush është ai që nuk do vilën. Ndaj teatri nuk bëhet në rrugë, tani ka një alternativë për teatrin e ri dhe përkohësisht do të vazhdojë jeta artistike në sallën e re, që po ndërtohet. Por nëse në ambientet ku është sot Teatri Kombëtar bëhet një godinë dinjitoze për të nderuar jo vetëm publikun por dhe kombin, i jep nder dhe krenari kombit. Për hapësirat që është shtrirë gjithë Tirana mendoj se duhen të paktën 5-6 godina teatri për të pasur alternativa sa më të ndryshme teatrale.
-Jemi në ditët e para të nëntorit, si do të vijojnë projektet tuaja artistike?
Kam disa plane, por të shikojmë se kush do të jetë më i afërti.
Agjensia e Lajmeve Sot News