“Brezi i humbur” i zërave të artë të muzikës së lehtë shqiptare

Heminguej është një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të atij që u quajt “Brezi i humbur” i shkrimtarëve. Janë quajtur “brezi i humbur” për shkak të kohëve të vështira në të cilat jetuan dhe zhvilluan veprat e tyre. Vepra që i njohu jo vetëm historia, por që mbetën në listën e kryeveprave botërore. Kohë të papërshtatshme, por talente të papërsëritshme. Nëse do të vlejë ta bëjmë këtë krahasim edhe për kohët e papërshtatshme të një brezi të artë këngëtarësh shqiptarë, mund të themi se edhe ata janë njëlloj si ky “brez i humbur” shkrimtarësh. Njëlloj edhe emrat e mëposhtëm jetuan mes dy kohëve, diktaturës së egër dhe demokracisë së rrëmujshme. Sistemi i ri duket se përmbysi gjithçka, deri edhe tek vlerat, zërat, talentet. Shqipëria nuk ofronte më asgjë për artin. Ngjarjet që pasuan u kushtuan shumë të gjithëve, por ndoshta jo aq shumë këtyre ikonave të muzikës së lehtë shqiptare. Dikush zgjodhi të largohej përfundimisht nga publiku dhe vendi i tyre. Shumë ikën me shpresën për t’u afirmuar jashtë shtetit, por që pak ose thuajse nuk ia dolën si këngëtarë. Të tjerë ndenjën në Shqipëri, por pa qenë më aktivë nëpër festivale. Sot janë shumë artistë të rinj në skenë, por emra si Parashqevi Simaku, Nertila Koka etj., mbeten të rrallë dhe zgjojnë një nostalgji të ëmbël. Nostalgjinë e një kohe, kur zërat e tyre dhe këngët që  këndonin ishin balsam për shpirtin e një populli të munduar dhe të shtypur nga e drejta për të qenë të lirë.

Liljana Kondakçi: Këngët e saj dëgjohen edhe sot e kësaj dite. Është një nga këngëtaret me një zë që spikat. Në karrierën e saj numërohen plot suksese, një sërë festivalesh e po ashtu një mori çmimesh. Liljana Kondakçi, si shumë artistë të tjerë pas viteve ‘90 nuk pati të njëjtin ritëm pjesëmarrjeje në festivale apo në jetën artistike të vendit. Si shumë të tjerë edhe ajo u detyrua të ikte larg Shqipërisë, në kërkim të një jete më të mirë dhe për një kohë të gjatë ka jetuar mes Greqisë dhe Shqipërisë. Po fati duket se i rezervoi surpriza të këqija e madje probleme të mëdha me drejtësinë. Tani ajo është rikthyer në Tiranë, pas dënimit me rreth 3 vite burg në Itali. Prezente javën e kaluar në emisionin e Arjan Çanit, ajo dëshmoi edhe njëherë se mbetet po aq e dashur dhe një këngëtare e madhe e skenës sonë, pavarësisht se vitet e fundit nuk kanë qenë të lehta, e as nuk kanë kaluar nëpër skena duke kënduar, gjënë që di të bëjë më mirë.

Parashqevi Simaku: Mbetet më e dashura e publikut shqiptar, jo vetëm atij të brezit të saj, por edhe e më të rinjve. Pas viteve ‘90 Parashqevia u largua drejt SHBA-s me plot ëndrra e shpresë për të vazhduar karrierën e saj. Por nuk ia doli edhe pse nuk u shkëput nga muzika dhe madje në vitin 2006 publikoi edhe një album të saj. Në një intervistë dhënë në gusht 2006, Simaku është shprehur për jetën e saj artistike dhe albumin e ri. “U largova  për ta çuar më tej artin tim dhe për të patur mundësinë që të këndoj këngët e mia në një skenë të botës. Largimi nga Shqipëria më shkaktoi një thellim edhe më tej në muzikën folk të vendit tim. New York-u për mua është si të ecësh mbi ylber”. Po vetëm pak muaj më parë këngëtarja është divorcuar nga bashkëshorti e njëherazi edhe menaxheri i saj dhe kjo ngjarje ka bërë që ajo të pësojë një paralizë faciale, duke mos qenë më kështu në gjendje të këndojë. Aktualisht ajo jeton në Amerikë me djalin e saj 10- vjeçar, Luka. Ndërkohë që një publik i tërë do të donte shumë ta shihte këngëtaren të këndonte jo vetëm këngë të reja, po mbi të gjitha ato këngë që ushqyen dashurinë dhe ëndrrën e lirisë.

Nertila Koka: Kur Nertila Koka këndonte, shumë prindër u vendosën emrin e saj foshnjave femra të lindura në ato vite. Një vajzë e bukur dhe me një zë të ëmbël ajo u bë shumë shpejt një nga këngëtaret më të dashura të publikut. Nertila e nisi karrierën e saj në moshën 17-vjeçare, moshë në të cilën arriti dhe suksesin e saj të parë. Debutimi i saj i parë në Koncertin e Pranverës, në vitin 1983 u kurorëzua me fitore duke marrë dhe çmimin e parë. Po atë vit, në Festivalin e Këngës në Radio-Televizionin shqiptar kënga që ajo këndoi me Gëzim Çelën “Çel si gonxhe dashuria” mori çmimin e parë . Një vit më pas nuk do t’i mungonte përsëri skenave të kompeticioneve muzikore duke marrë një çmim të dytë në festivalin e pranverës. Një nga këngët më të dashura është ajo që këndoi me David Tukiqin “Sagapo”, e cila edhe sot e kësaj dite ka mbetur si një refren i jetës së përditshme e që shumë njerëzve u zgjon nostalgjinë e asaj kohe. Nertila përveçse një këngëtare e talentuar dëshmoi se ishte edhe një aktore e zonja. Ajo ka luajtur në filma si “Duaje emrin tënd” apo “Telefoni i një mëngjesi”. Largimi i saj nga skena ndodhi pas viteve ’90, kur ajo për shkak të punës së bashkëshortit të saj u largua jashtë Shqipërisë, duke provuar një eksperiencë jete në vende të ndryshme, si Suedi e deri në Japoni. Aktualisht ajo është mësuese në Suedi dhe është nëna e dy vajzave. Për publikun shqiptar ajo do të mbetet e njëjta vajzë simpatike që i këndonte aq ëmbël dashurisë.

Anita Bitri: Një nga zërat më të mirë të skenës shqiptare, Anita Bitri, tashmë nuk jeton më. Një fund tragjik që i mori jetën jo vetëm asaj por edhe vajzës 7-vjeçare dhe nënës së këngëtares. “S’ka formulë në dashuri”, “Lulet e majit i çel në janar”, “Dashuria  e parë”, “Mos u nxito, mos u gabo” e shumë të tjera janë hite dhe këngë të pavdekshme, të cilat këndohen e dëgjohen ende sot. Jeta e saj u pre tragjikisht nga asfiksimi prej monoksidit të karbonit në moshën 38-vjeçare.  Para se të ikte nga kjo botë Anita kishte regjistruar një album të ri me titull “Çdo gjë është e mundur” dhe kishte në plan të bënte një turne në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni për ta promovuar atë. Ajo po punonte edhe për një album në anglisht. Madje këngëtarja kishte regjistruar edhe një këngë me vajzën e saj të vogël. Humbja e artistes trishtoi një publik të tërë,  shumë prej të cilëve derdhën edhe lot për fikjen e një ylli të skenës sonë si Bitri. Një artiste e madhe, pa fat, e cila nuk mundi të gëzojë një jetë siç do ta kishte merituar, me dashuri dhe duartrokitje të dala nga shpirti.

Lindita Theodhori:  Me shfaqjet e saj të fundit në skenë, Lindita ka treguar se ka mbetur një femër e bukur pavarësisht viteve që kanë ikur. Nuk e ka lënë shumë pas dore muzikën, por vitet e gjata në emigrim kanë bërë që ajo t’u mungojë skenave siç publiku do të donte. Gjithsesi askush nuk mund ta harrojë Linditën dhe këngën më popullore ndoshta në të gjithë vendin “Kafe Flora”. Këngëtarë që të gjithë do të donin t’i kishin parë më shpesh në festivale, në klipe, por që ata zgjodhën një rrugë tjetër. Lindita fillimisht emigroi në Greqi dhe Angli.  “Largimi ishte për arsye nga më të ndryshmet, por një prej tyre edhe meraku për dy djemtë. Para vitit 1997, djemtë ishin më të vegjël dhe familja jonë prej katër personash vendosi të largohet fillimisht drejt Greqisë”,-  ka thënë Lindita në një intervistë për mediat tona para disa vitesh.

Alida Hisku: Është një tjetër këngëtare shqiptare, e cila preferoi emigracionin pas dënimit 8- vjeçar në vendin e saj. Iku nga Shqipëria në vitin ‘90 me dy djemtë e saj ende të vegjël në kërkim të një jete më të mirë. Jeta atje i rezervoi shumë të papritura, siç ka thënë ajo në një intervistë. “Për pesë vjet kam punuar si pastruese hoteli, duke filluar punë që në 06:00 të mëngjesit, ku pastroja edhe kuzhinën e restorantit. Kam ndenjur me leckë dhe kovë në dorë sa për të mbajtur frymën gjallë dhe fëmijët e mi. Kisha dy djem me vete. Kujt i bëhej vonë në darkë për koncerte? Shyqyr që shtrihesha në krevat. Nuk m’u nda puna e krahut: tetë vjet në Shqipëri pas dënimit, pastaj edhe pesë vjet në Gjermani. Jeta ime ndryshoi atëherë kur njoha burrin tim, me të cilin jetoj edhe sot. Por me gjithë jetën e vështirë ndjehem krenare që jam shqiptare”.

Sigurisht në këtë listë mund të përfshihen edhe shumë artistë të tjerë, të cilët ndryshimi i sistemeve ua ndryshoi tërësisht jetën e pak vazhduan të jetojnë vetëm me këngën e artin. Po pavarësisht kësaj, rrjedhës që jeta mori për ata si dhe për shumë shqiptarë të tjerë, këta zëra do të mbeten ikona të arta të muzikës së lehtë shqiptare./ Përgatiti J.H/ botuar tek Gazeta Mapo, shkurt 2013

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *