Biblioteka Kombëtare, homazh për Willy Kamsin

Në homazh e nderim kushtuar personalitetit të shquar të bibliografisë shqiptare Willy Kamsit, i cili u nda nga jeta në moshën 91-vjeçare, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë, çeli më datë 25 janar, ekspozitën përkujtimore “Vili Kamsi (1926-2017)”, me veprat dhe kontributet e tij kryesore në kulturën e librit, në filologjinë dhe botimet shqiptare.

Kontributi i W. Kamsit në fushën e arsimit, etnografisë, diplomacisë, albanologjisë, bibliografisë, përkthimit, redaktimit shkencor etj prezantohet me “Shejtnorja e Zojës së Shkodrës (Zoja e Këshillit të Mirë): shenjime historike” (1997); “Albania : 1897-1909: bibliografi kronologjike” (2008); “Hylli i Dritës: 1913-1944- bibliografi kronologjike” (2008); “LEKA: 1929 -1944- bibliografi kronologjike” (2008); “Shkëndija”: 1940-1943; “Shejzat”: 1957-1978 – bibliografi kronologjike” (2009) etj. Willy Kamsi lindi në Bari të Italisë në dhjetor të vitit 1926, ku ndoqi edhe shkollën fillore dhe të mesme në “Istituto di Cagno Abbrescia” drejtuar prej Etënve Jezuitë.

Pas kthimit në Shqipëri, më 1944, punoi në Bibliotekën e Institutit të Studimeve Shqiptare në Tiranë dhe në vitin 1963 emërohet përgjegjës i Bibliotekës së Institutit të Lartë Pedagogjik në Shkodër, ku punoi deri në vitin 1990. Në vitin 1993, ai u emërua Ambasador i Jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë. Studimet e tij shkencore janë botuar në revista të shumta shkencore si “Studime gjuhësore”, “Monumentet”, “Buletini shkencor”, Kumtari i Muzeut”, “Phoenix”, “Shkodra në shekuj”, etj.

Willy Kamsi është nderuar në vitin 1987 me Medalja “Naim Frashëri” për merita pune në fushën bibliotekare; në vitin 1995 Papa Gjon Pali II i akordoi titullin “Kalorës i Kryqit të Madh të Urdhërit Shën Gregori i Madh dhe në vitin 2005, prej Presidentit të Republikës së Italisë, Carlo Azeglio Ciampi, me titullin “Kalorës i Urdhërit Të Hyllit të Solidaritetit Italian”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *