Nga Fatmira NIKOLLI
Martesë e hapur? “Unë as këtë shpre hje nuk e njoh, sepse kur ika nga Shqipëria, nuk ekzistonte ky lloj fjalori. Në frëngjisht përdoret shprehja ‘union libre’. Duhet ta dini se në këtë botë maçiste nuk ka asnjë femër që mund të deklarojë gjëra të tilla, bile as në Francë, e jo më në Shqipëri”. A është kjo historia e një rrëfimi të paqenë? Ditë pasi një deklaratë që mbante emrin e saj u bë virale, Besa Myftiu, shkrimtarja shqiptare që jeton në Zvicër, vjen në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, ku rrëfen se nuk ka folur kurrë për një martesë të hapur me të shoqin, madje thotë se nuk ka folur kurrë për martesën. Duke mohuar të ketë folur për një marrëdhënie të natyrës Sartre-De Beauvoir, ajo falënderon ‘nga zemra të gjithë miqtë dhe dashamirësit e shumtë që e mbështetën përgënjeshtrimin e shpifjeve’. Myftiu thotë për ‘GSh’ se duke qenë se i ka vuajtur shumë thashethemet, nuk ka folur kurrë, me asnjë gazetar mbi jetën e saj private. “Kam dëgjuar kaq shpifje në rininë time të hershme dhe jam kaq e tmerruar nga thashethemet saqë nuk u flas kurrë mediave mbi jetën time private”, – shprehet Myftiu. E pyetur mbi nevojën për liri të një shkrimtari, Besa thotë: “Sa i përket lirisë, ajo është shumë e rëndësishme. Unë jetoj në një vend të lirë, kjo ndoshta është arsyeja që nuk kam nevojë të shprehem mbi të”. Intervista e marrë përmes e-mailit, nisi si një kërkesë e “GSH” për të qenë një bisedë mbi paragjykimin që u pa rreth saj (gruas) mbi një rrëfim për jetën personale dhe pyetje-përgjigjet janë si më poshtë.
– Një rrëfim i juaj për jetën tuaj personale është bërë viral në uebe. Si i keni parë reagimet? Po bashkëshorti juaj?
– Jam shumë e çuditur… Në fakt, vitin e kaluar një gazetar i ‘Living’ erdhi te restoranti ynë familjar ‘à la Santé’ për të bërë një artikull mbi pjatat e shëndetshme dhe të shijshme që ne shërbejmë. Dy ditë më parë i kisha dhënë një intervistë me këtë temë Blerina Goces, prandaj u tregova e gatshme dhe entuziaste të flisja mbi ushqimin, madje edhe ofrova pjatat më të mira të restorantit tonë: tabule me karkaleca krudo dhe kek me perime për njërin që ishte vegjetarian. Katër veta hëngrën e pinë qyl dhe unë që prisja të shkruhej diçka me titullin ‘Besa Myftiu flet për restorantin à la Santé’. Ndodhem në Zvicër ku marr vesh se ka dalë artikulli, por me një titull të paimagjinueshëm: ‘Besa Myftiu flet për martesën e hapur’. Unë as këtë shprehje nuk e njoh, sepse kur ika nga Shqipëria, nuk ekzistonte ky lloj fjalori. Në frëngjisht përdoret shprehja ‘union libre’. Duhet ta dini se në këtë botë maçiste nuk ka asnjë femër që mund të deklarojë gjëra të tilla, bile as në Francë, e jo më në Shqipëri. Unë kam bërë mbi 50 intervista në gazeta të ndryshme, radio e televizione. Kam folur për librat e mi, për punën në universitet, por kurrë mbi jetën time private. Te ‘Living’ fola për pjatat e restorantit, prandaj edhe fotot e mia janë bërë në restorant, duke ngrënë e duke pirë verë. Kërkova që të më dërgohej artikulli me e-mail para se të botohej, sigurisht që të shtoja ndonjë hollësi mbi pjatat apo të ndreqja ndonjë pasaktësi, por nuk mora gjë. Artikullin nuk e kam lexuar, sepse askush nga redaksia nuk ka guxuar të ma dërgojë me postë apo me e-mail (duke shkelur premtimin e dhënë), as fotot nuk i kam marrë. Një mikeshë e skandalizuar më tha vetëm titullin, por unë u mundova ta harroj dhe të mos i jap rëndësi… Tani marr vesh se ky artikull qenka ringjallur… Nuk i kam lexuar reagimet dhe nuk i kam folur bashkëshortit për këtë problem, sepse jam shumë e zënë me korrigjimet e provimeve të studentëve dhe nuk kam as kohë, as nerva të merrem me thashethemet…
– Besa, kam lexuar në rrjete sociale shumë reagime – disa ju çmojnë për sinqeritetin, shumë ju paragjykojnë. A ndjeheni e prekur, e trishtuar, a ju dhemb apo keni tanimë distancën e duhur me gjykimin shqiptar?
– Kam marrë shumë distancë me publikun shqiptar dhe këtë e shfaq edhe në tregimin tim “Kurva” të librit “Drejt të pamundurës”, fraza e fundit e të cilit është: ‘Sapo kam mbushur 16 vjeç dhe akoma nuk kam puthur asnjë djalë, tjetra ka lindur një fëmijë të paligjshëm dhe prapëseprapë… unë jam kurva’. Megjithatë, distanca nuk më pengon të ndihem e trishtuar dhe e prekur. Aq më tepër sepse jam njeri që punoj jashtëzakonisht dhe në një gjuhë të huaj! Jam përpjekur të jap një imazh tjetër për Shqipërinë përmes librave të mi. Në tetor do të jem e Ftuara e nderit në Agen, te aktiviteti ‘Moments d’Albanie’, ku do të jap tri konferenca. Mua më duken çmendurira që diskutohen çështje të tilla për njerëzit si unë: jam doktore në shkencat e edukimit, jap mësim në universitet dhe kam shkruar mbi dhjetë libra në frëngjisht, përveç artikujve shkencorë dhe novelave në përmbledhjet me autorë të tjerë. Jam gjithashtu nëna e një këngëtareje të famshme në të gjithë Evropën, për edukimin e së cilës jam përpjekur shumë, si dhe bija e një shkrimtari disident, veprën e të cilit e kam përkthyer. Këto janë të rëndësishme për mua. Kam dëgjuar kaq shpifje në rininë time të hershme dhe jam kaq e tmerruar nga thashethemet, saqë nuk u flas kurrë mediave mbi jetën time private.
– Kam lexuar që prej këtyre deklarat ave kanë nënçmuar formimin tuaj dhe kanë vënë në dyshim talentin tuaj letrar. Sa e rëndësishme është liria për një shkrimtar – liria për të bërë ç’do, për të thënë ç’do?
– Sa për talentin letrar, atë do ta tregojë koha. Por mendoj se romani im botuar te ‘Fayard’ flet më tepër se thashethemet e ‘FB’. Dhe përsa i përket lirisë, ajo është shumë e rëndësishme. Unë jetoj në një vend të lirë, kjo ndoshta është arsyeja që nuk kam nevojë të shprehem mbi të. Aq më tepër se gjithçka që kam botuar deri tani ka lidhje me Shqipërinë. Kam folur për mungesën e lirisë së dikurshme, liria e tanishme më duket e dyshimtë. Për shembull, më kujtohet se një artikull mbi romanin tim ‘Rrëfime nga vendet e harruara’ në të cilin nuk ka asnjë puthje, titullohej: “Besa Myftiu thyen tabutë seksuale”. Për të shitur produktet çfarë nuk sajohet!
– Nëse flasim për një çift në marrëdhënie të hapur, mua të parët që më vijnë në mendje, janë Sartre dhe De Beauvoir. Ka letra e rrëfime për jetën e tyre.
– Më pëlqen shumë vepra e Simone De Beauvoir. Marrëdhënia e saj me Sartre ishte revolucionare për kohën, sepse të dy i bindeshin një filozofie të re, që e kishin krijuar vetë. Në rrethanat e një France që po e dënonte pronën private dhe familjen, ata kishin një mision historik. Unë jam rritur në kushte të tjera, jam prodhim i epokës ku “kurvat qenë të virgjëra”. Në kapitullin e fundit të romanit “Rrëfime nga vendet e harruara”, heroina ime niset me idenë për të bërë dashuri dhe çdo gjë i del huq. Të gjithë personazhet e mi, edhe në romanin “Dashuri në kohën e komunizmit” përfaqësojnë një paradoks: tjetër duken dhe tjetër janë.
– Cili është raporti që kemi ne sot me të vërtetën, ia pranojmë vetes apo thjesht ua mohojmë të tjerëve dhe vetes?
– E kam shumë të vështirë të flas për të vërtetën. Kapitulli i fundit i doktoratës sime, që titullohet ‘Një lexim aktual i Niçes dhe Dostojevskit’ i kushtohet pikërisht marrëdhënies me të vërtetën. Mund të citoj me këtë rast dy autorët e mëdhenj me të cilët jem dakord: Niçe: ‘Bindjet janë armiq më të rrezikshëm të së vërtetës, se sa gënjeshtrat’ dhe ‘Besimi në të vërtetën fillon me dyshimin në të gjitha të vërtetat tek të cilat kemi besuar deri tani’. Dostojevski: ‘Një gabim origjinal vlen më tepër se sa një e vërtetë e rëndomtë’ dhe ‘Miku im, e vërteta është gjithmonë e pabesueshme, a nuk e dinit ju? Duhet t’i futësh pak gënjeshtër që njerëzit ta besojnë’. / gsh.al