I gjithë vendi është përfshirë nga epidemia e gripit. Pranë Institutit të Shëndetit Publik raportohen çdo javë mbi 19 mijë raste të prekur, shifër kjo që kalon pragun epidemik.
Ekspertët thonë se ka një rritje të rasteve të prekur me virusin B dhe virusin Ah1N1. Këto janë dy viruse të gripit që qarkullojnë në vendin tonë ashtu sikurse në të gjithë Europën. Krahas dy viruseve të gripit janë duke qarkulluar dhe një sërë virozash të cilat krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, qarkullojnë 30% më shumë.
Edhe në hartën e Organizatës Botërore të Shëndetësisë ku raportohet për situatën gripale nga të gjitha vendet, Shqipëria renditet ndër vendet me intensitet të lartë të të prekurve nga virusi i gripit.
Në të njëjtin nivel paraqitet Italia, Bullgaria dhe Zvicra. Mjekët specialistë vijojnë të këshillojnë popullatën të bëjnë kujdes për të evituar ambientet e mbyllura, të konsumojnë sa më shumë lëngje. Karakteristikë e virusit të gripit këtë vit, sipas specialistëve është zgjatja në kohë por gjithësesi nuk ka shkaktuar raste të rënda, ashtu sikurse ndodhi një vit më parë ku 16 pacientë që vuanin nga sëmundje kronike, të prekur edhe nga gripi patën pasoja fatale për jetën.
Të prekurit nga virusi i gripit manifestojnë simptoma si temperaturë të lartë, kollë, gjendje dobësie e të tjera. Këtë vit gripi sezonal ka nisur më vonë ndaj pritet që të zgjasë edhe pas muajit shkurt.
Burimi: Top Channel