“Zhos profesionisti” nuk mund të ikte nga kjo botë pa na emocionuar për herë të fundit. Pa derdhur edhe njëherë disa pika lot, nën tingujt e “Chi Mai” të Ennio Morricone-s, muzika që na ka drithëruar tek filmi “Profesionisti”.
Lot, dinjitet dhe shumë duartrokitje. Kështu e ka përcjellë Franca aktorin që i ka dhuruar botës karakterin e një kinemaje që sot duket se ka humbur.
Personalitete nga gjithë bota kanë nderuar për herë të fundit Jean-Paul Belmondo, në ceremoninë që u bë në vendin ku prehet Napoleon Bonapart një kombinim i madhështisë ushtarake dhe emocioneve të forta të fansave.
Rreth 1.000 persona u lejuan brenda oborrit të madh të monumentit “Les Invalides”, ndërsa mijëra njerëz të tjerë e panë ceremoninë në një ekran që ishte vendosur jashtë. Aktori që Franca e thërriste “Bebel”, u nda nga jeta në moshën 88-vjeçare. Ai arriti famën ndërkombëtare si ylli kinemasë “New Wave”në rolin e një gangsteri ekzistencial në “A bout de souffle” të Jean-Luc Godard në vitin 1959.
Romantiku i përjetshëm Belmondo do të mbetet pjesë thelbësore e historisë së kinemasë franceze, por edhe e vetë Francës./Revistawho.com