Presidenti i Federatës Europiane të Via Francigena, Massimo Tedeschi ka zhvilluar një vizitë pune në ambientet e Agjencisë Kombëtare te Bregdetit.
Në takim është folur për mundësitë e zhvillimit të pelegrinazhit në rrugën “Egnatia”.
“Ky ishte një takim për mundësi bashkëpunimi midis Via Egnatias dhe Via Francigena në zhvillimin e turizmit kulturor”, bënë të ditur Drejtori i AKB-së Auron Tare, sipas ATA.
“Do të jetë projekt mjaft i rëndësishëm i cili këtë vit do të jetë prioritet për Agjencinë e Bregdetit. Në bazë të këtij projekti do të bëhet e mundur tërheqja e sa më shumë turistëve që të vizitojnë dhe të përshkojnë rrugën Egnatia në sezonin e ardhshëm turistik veror”, shton më tej Auron Tare.
Via Francigena është emri i përbashkët i një rruge të lashtë pelegrinazhi me drejtimin nga Franca në Romë, edhe pse vlerësohet se ajo e ka pikënisjen shumë më larg, në qytetin e katedrales angleze të Canterbury. Si e tillë, rruga kalon nëpër Angli , Francë, Zvicër dhe Itali . Rruga ishte i njohur në Itali si ” Via Francigena ” (Rruga që vjen nga Franca ” ose ” Via Romea Francigena. Në kohët mesjetare ajo ishte një rrugë e rëndësishme pelegrinazhi për ata që dëshironin të vizitonin Selinë e Shenjtë dhe varrezat e apostujve Shën Pjetër dhe Shën Pali.