Baltasar Porcel: Në fillim të revolucionit, njerëzia përqafoheshin e pinin; tani shahen dhe pushkatohen

B.-Porcel

Entela Hoxha

Sot, një shpurë e zymtë kalorësish të veshur me redingota zbriti tatëpjetë shkallëve, tatëpjetë “Rue du Bac”, mes dridhmës së verdheme prej gjuhësh flake, arkivolin solemn të viskontit Fransua Rëne dë Shatobrian. Dhe po e shpien në një ishullth të Bretanjës, në Gran-Be, i vetmuar në mes të baticave pa anë të një oqeani të madh, vendi që ai kishte zgjedhur për varrin e vet.

“Perandori ose syri i erërave” i Baltasar Porcel është një roman që lexohet aq shpejt sa një titull i madh, të mbetet në mendje sa dashuria e parë, të mëson si një mësues i urtë e të godet si një çekan mbi kokë. I përkthyer nga Bashkim Shehu, ai tingëllon po aq bukur sa shqipja të ishte gjuha e parë e tij. Autori katalanas ka pasur fatin e mirë të gjente një rrugë të drejtë e ndritshme për në Shqipëri.

Jemi në Kabrerën e vitit 1809, një ishull i shkretë ku zbarkojnë nëntë mijë ushtarëve të ushtrisë perandorake, ose kjo është pikëmbërritja e rrëfimeve, të një veterani të këtyre trupave napoleoniane i cili më 1850, zbërthen botët e strukura në kujtime, teksa rërfen tragjedi jetësh të shuara tashmë. “Ky revolucion po mbaron, ashtu si të gjithë: larg qëllimeve të tij dhe me ndërtimin e një piramide të re pushteti. Në fillim të revolucionit, njerëzia këndonin, përqafoheshin, pinin; tani shahen dhe pushkatohen. Në krye, jeta u dukej e hapur; tani besojnë te shtrëngimi. Paçka se flamurët e dikurshëm dhe të tanishmit, dhe ata që tundin, njëra palë, dhe tjetra janë po ata” thotë diku personazhi mbasi ka kuptuar se pakogjë në mos hiç ka vlejtur e gjitha.

Romani hapet me letrën e Alodias për Magdalenën: një letër që mbërrin dekada më vonë, për të zbardhur të vërteta të mëdha që vënë paqe mes dy motrave. “Nëse do ta marrësh këtë letër, kam frikë se do të jetë fryma e fundit e asaj motre që kam qenë për ty, e asaj vajze të re që kam qenë për veten time. Frymë dashurie, gjithsesi: vetëm në dashuri do të më gjesh, Magdalena, në dashurinë tënde, nëse do të mundem të ta zgjoj sërishmi. Por, nëse ajo që të përftohet ndaj meje është urrejtja, nuk do më gjesh. Nuk do ta gjesh as veten tënde. Tek urrejtja nuk është askush”.

Letra e pambërritur, e mbetur brenda një libri, futet brenda një trupi, e brenda një bote, për të nxjerrë prej aty, më të mirën e saj, e të keqen e burgosur: “Ishte, përnjëmend, njëlloj sikur po më merrnin arabët. Sepse Kalorësi i Heshtës dhe i Trëndafilit kurrsesi nuk ishte aty: ishte bërë një lodër e kapërcyer tashmë, fëmijëria e shuar. Dhe atëherë më kaploi frika, jo nga vendi ku po shkoja, për këtë as që doja t’ia dija, unë isha një sërë faktesh, e jo një sërë mendimesh, po kisha frikë nga çfarë kish mbetur pas, nga shtëpia jonë, nga Majorka: tamam atëherë kuptova se për mua s’kishte më kthim prapa”.

Letra e shkruar në Kabrera, në dimrin e viti 1812, e nis Honore Grapen më 1848 në një udhëtim në kërkim të së vërtetës dhe mbase të rikthimit të copës së humbur. Botimet Toena shrkuajnë se nga e kaluara, si nga një pus pa fund, kujtesa nxjerr në sipërfaqe vuajtjet e këtyre ushtarëve, marioneta të thjeshta, kukulla të mjera të shpërfytyruara, pre të instinktit më kafshëror të mbijetesës; imazhi enigmatik i një togeri të ekzaltuar, hije shpirthumbur e perandorit e brejtur nga ambicia; dy motra të dashuruara me të njëjtin burrë, duke ia sakrifikuar ëndrrat e tyre etjes së tij për pushtet.

Autori
Baltasar Poercel lindi më 1937 në Andrax, Barcelonë. Ai mbetet një nga figurat më të famshme të letërsisë katalane. Autor kronikash dhe romancier, Baltasar Porcel ka lënë një vepër të konsiderueshme, të vlerësuar me çmime prestigjioze, si: çmimi “Sant Jordi”, çmimi “Josef Pla” dhe Çmimi i Kritikës Letrare spanjolle për librin “Caballos hacia la noche”. Porcel u vlerësua, në vitin 1999, me çmimin letrar “Boçaçio Europa” në Toskanë për të gjithë veprën e tij. Ndërsa në qershor të vitit 2003, libri “Perandori ose syri i erërave” u nderua me Çmimin Mesdhetar për romanin e huaj. Ky roman është një ndërthurje e romanit historik, policor dhe ekzistencialist. Ai bazohet mbi një fakt historik: mijëra robër të ushtrisë së Napoleonit burgosen në ishullin e Kabrerës.
libri

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *