Filmi i regjisorit nga Kosova Visar Morina, «Babai», që është një bashkëprodhim gjermano-kosovar është nominuar në mesin e 44 filmave gjermanë për çmimin më të lartë të Gjermanisë për film «Lolo». Ky çmim është njëherësh më i larti edhe në kuptimin e shumës së parave që tërheq me vete, në konkurrencë me të gjitha çmimet për kulturë që ndahen në Gjermani.
Shuma e parave të çmimeve për të gjitha kategoritë e filmave, aktorët, etj. është 2 milionë e 955 mijë euro, thuhet në njoftimin e publikuar nga Akademia Gjermane e Filmit.
Ndërsa çmimi i parë ose i artë për film artistik (të luajtur) në të cilën kategori garon dhe «Babai» është 500 mijë euro. Jepen po ashtu edhe çmimi i dytë ose i argjendtë me 425 mijë euro dhe i treti i bronztë) 375 mijë euro, transmeton albinfo.ch. Sigurisht, në këto shuma përfshihen edhe premitë që filmat i kanë fituar me vet nominimin e tyre për çmim.
Çmimi jepet nga e ngarkuara për kulturën dhe median e Qeverisë Federale, ministrja shtetërore, Prof. Monika Grütters.
Vlerësimin për nominim e kanë bërë tri komisione me 35 anëtarë: 30 anëtarë të Akademisë Gjermane të Filmit, një anëtar ekstern me eksperiencë nga fusha e filmit dhe katër përfaqësues të komisionit të Bundestagut për kulturë dhe medie, përcjell albinfo.ch.
Filmi «Babai» që nga shfaqja e parë e tij ka bërë një rrugë të suksesshme nëpër festivale të ndryshme dhe është vlerësuar lartë nga njohësit e filmit. Regjinë dhe skenarin e ka bërë Visar Morina, producente e filmit është Nicole Gerhards, kompania që ka bërë produksionin është NiKo Film.