Askush nuk mund ta ndreqë një ëndërr

TREGIM nga Ervin NEZHA
Një burrë i quajtur Aziz pa një ëndërr, sikur pas një zënke vrau gruan. Për ta fshehur krimin, e mbështolli kufomën me një kapotë meshini dhe, për të mos e pikasur fqinjët, priti mbrëmjen për ta varrosur. Pastaj e hodhi në bagazhin e makinës dhe e groposi në një pyll të vogël, disa kilometra larg shtëpisë. Ishte i bindur se askush nuk e kishte parë, kur u kthye në shtëpi.
Për të fshirë ndonjë gjurmë sado të vogël, hodhi rrobat në makinën larëse, ndërsa vetë shkoi të bëjë dush.
Teksa uji i ngrohtë i rrihte shpatullat, kishte ndjesinë e hidhët se diçka e kishte bërë keq, në veprimet e tij. U përpoq të kthjellohej, por ishte e pamundur. Ndjesia e ligë se diçka kishte bërë keq, nuk i shqitej nga mendja. Po qëndronte i shtrirë mbi shtrat, kur iu kujtua kapota e meshinit, me të cilën kishte mbledhur trupin e gruas. Në xhepin e saj të brendshëm kishte harruar pasaportën. Ishte i sigurt për këtë, mbasi aty e mbante gjithmonë. Nëse trupi i gruas zbulohej nga policia, atëherë kjo provë do ta rrënonte përfundimisht në hetuesi. Kështu që i hipi makinës dhe u nis për te vendi ku kishte groposur gruan. Me një lopatë të vogël e zbuloi trupin shpejt. Kishte të drejtë. Pasaportën e gjeti në xhep. I hodhi një vështrim kufomës para se ta mbulonte sërish dhe vuri re se, nga vendi ku e kishte goditur me një shufër hekuri, akoma rridhte gjak. Këtu burri u zgjua nga gjumi me frymëmarrje të rënduar. Pranë pa gruan që po flinte e patrazuar. Azizi ishte besëtytë. Në kokë filluan t’i vërtiten mendime të mbrapshta. Një pyetje iu ngul gozhdë: Nëse ëndrra paralajmëronte diçka, cila ishte arsyeja që mund ta çonte atë drejt këtij makabriteti?
Këtë pyetje e peshoi gjatë në mendje. U mundua ta shihte në shumë këndvështrime problemin. Dhe u bind se një gjë të tillë mund ta bënte vetëm nëse ato fjalë që qarkullonin prej muajsh, se ajo na paska lidhje me një tregtar lulesh të quajtur Ahmet, qenkëshin të vërteta. Tani historia e tyre po i kthjellohej në mendje si një film i parë në televizor. Mori kuptim prania e atyre buqetave me lule të freskëta që gjente në shtëpi sa herë kthehej nga puna, të cilat e shoqja nuk i kishte mohuar kurrë se i kishte blerë te dyqani i Ahmetit.
“Maskarenjtë, ma kanë hedhur bukur,” pëshpëriti me zë të ulët dhe sytë i shkuan te shufra e hekurit, e cila shërbente për të ulur grilën e dritares.
U ngrit më këmbë dhe u nis drejt saj. U mendua një copë herë dhe e kuptoi që ishte i nervozuar. Pasojat e këtij veprimi mund të ishin fatale. Shto këtu, që edhe historia e gruas me tregtarin vetëm përflitej, por nuk qe provuar. Atëherë u vesh pa bërë zhurmë dhe për ta shmangur këtë vrasje të paralajmëruar, mendoi të largohej përgjithmonë nga shtëpia. Vendosi të nisej drejt një qyteti të largët. Kur kishte bërë disa kilometra pati ndjesinë e hidhët, se kishte harruar diçka. Hapi krahun, ndaloi makinën, mbështeti kokën mbi timon dhe zuri të mendohej. Iu kujtua pasaporta. U turbullua pak. E dinte se ajo ndodhej në xhepin e palltos së meshinit. Pa të nuk mund të vazhdonte udhën.
Mendoi të kthehej. Me siguri gruaja do ishte zgjuar tani, por kjo nuk përbënte problem, se ajo nuk dinte gjë as për ëndrrën e as për udhëtimin, kështu që tani me siguri mendonte se burri kishte shkuar në punë, si zakonisht.
Dita kishte zbardhur kur burri mbërriti. Ndaloi makinën para shtëpisë dhe ngjiti shkallët. Sapo hapi portën u ndesh me sytë e tromaksur të së shoqes, që nuk e priste ardhjen e beftë në shtëpi. Azizi deshi të fliste, por ndjeu një goditje të thatë pas koke, që e plandosi përtokë. Mbeti ashtu me vështrimin e fiksuar lart, me sy të pikëlluar, që dukej sikur kërkonin shkakun e kësaj poshtërsie, derisa pa fytyrën kërcënuese të tregtarit të luleve që shante ndyrë nëpër dhëmbë, me shufrën e grilës në dorë. Goditja kish qenë fatale.
Vështrimi iu errësua dhe nuk po lëvizte dot. Ndonëse trupi po i rrëshqiste në gjumin më të ëmbël, në kufirin e mbramë mes jetës e vdekjes, burri shpresoi të ishte sërish në ëndërr.
U përpoq të zgjohej, të ndreqte këtë ëndërr të llahtarshme, por nuk mundi dot. Po vdiste me ndjesinë e hidhur se kishte harruar diçka, por tanimë nuk kishte kohë të kthehej pas…


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *