Fatmira Nikolli
Monument për dështimin. Në datën 26 shtator të vitit 2013 Gjykata e Lartë e Shqipërisë e cilësoi shpërthimin në fabrikën e demontimit të armëve në fshatin Gërdec një aksident teknologjik. Për 26 personat që humbën jetën gjatë shpërthimit nuk pati të dënuar”. Artisti Pleurad Xhaha i ka shkruar këto fjali në një pllakë që u ngjan atyre ku shkruhet “Monument kulture. Mbrohet nga shteti”. Pllaka e Xhafës mban emrin “Monument për dështimin” dhe u kushtohet 26 viktimave që humbën jetën në shpërthimin e Gërdecit.
Aksidenti u cilësua teknologjik, edhe pse gra, burra e fëmijë punonin aty jashtë kushteve të nevojshme dhe të pakualifikuar. Asnjë i dënuar për ngjarjen. Tetë vite pas ngjarjes tragjike dhe tri vite pas vendimit të Gjykatës, një artist i ngre një monument dështimit të shoqërisë, drejtësisë dhe politikës. Ironikisht, monumenti është në bulevardin e ngjarjeve madhore, në trungun e një peme të prerë. Ai e sjell kujtesën nga Gërdeci, 15 kilometra larg tij, në qendër të Tiranës, aty ku janë vendosur institucionet më të rëndësishme të shtetit shqiptar.
Pllaka-monument mund të mos duket nga larg, e mund të mos jeni të përgatitur për ta parë aty: por as ajo që ndodhi në Gërdec, sot nuk shihet më nga larg, dhe viktimat nuk qenë përgatitur të vdisnin, ashtu siç familjarët nuk qenë përgatitur për vendimin ‘teknologjik’ të Gjykatës së Lartë. Vetë Xhafa, tregon për “Gazeta Shqiptare” domethënien e veprës, kontekstin e saj si edhe protestën artistike. Më tej, ai kujton se “Arti është hapësira e fundit që i ka mbetur lirisë, – thotë artisti kilian Alfredo Jaar. Nëse edhe kjo hapësirë instrumentalizohet për qëllime të ndryshme nga pushtetet politike, atëherë unë mendoj se duhet të bëhemi vërtet merak”.
– “Monument për dështimin” sjell në vëmendje Gërdecin, shpërthimin dhe 26 jetë të humbura. A është kjo një protestë artistike për vendimin e Gjykatës së Lartë?
Më shumë sesa një protestë, unë e shoh si një zë të munguar, i cili sjell në kujtesë këtë ngjarje që në gjykimin tim nuk pati një fund të drejtë. Le të mos harrojmë që në fabrikën e demontimit të armëve në fshatin Gërdec, vetëm 14 km larg qytetit të Tiranës, punonin jashtë çdo kushti teknik dhe me mjete rrethanore, fëmijë dhe gra krejtësisht të pakualifikuar për kryerjen e këtij procesi kaq delikat.
– Dështimi nënkupton dështimin e drejtësisë, politikës apo shoqërisë? Pse Gërdeci? Pse tani? Çfarë ju nxiti të bënit këtë vepër këto ditë?
Patjetër që dështimi, së pari nënkupton dramën e shoqërisë shqiptare të këtyre 25 viteve të fundit. Në këndvështrimin tim njerëzit kanë braktisur shpresën. Por jo në kuptimin pozitiv të fjalës, kur braktisja e shpresës është ajo ndjenjë e cila tenton të rrisë vetëdijen. Dëshira gjithnjë e në rritje për t’u larguar përgjithmonë nga Shqipëria është një tregues i trishtë i situatës në të cilën ndodhemi.
Prej disa kohësh, së bashku me Stefano Romanon dhe Eri Çobon, themeluesit e MAPS (Museum of Art in Public Space) po punonim për realizimin e një vepre e cila kishte për qëllim ndërhyrjen në hapësirën publike. Ajo që më nxiti te ky projekt ishte të gjeja rrugën e duhur për ta kthyer dështimin si koncept në një vepër publike. Mendoj se çështja ‘Gërdeci’ e mishëron dështimin në të gjitha dimensionet e saja, si nga pikëpamja politike, duke e nënvizuar edhe njëherë atë çka thashë më lart në lidhje me kushtet në të cilat çmontoheshin armatimet, por edhe nga pikëpamja juridike, me cilësimin e gjykimit “Aksident Teknologjik” nga Gjykata e lartë e Shqipërisë.
– Me ç’qëllim e vendosët monumentin para presidencës?
Kur veprat e artit vendosen në hapësira publike, ato kontekstualizohen me ambientin dhe ndërveprojnë me të duke dhënë nga identiteti i tyre. Kur u përballa me pemën e prerë, mendova se ai trung po më priste aty prej kohësh. I gjendur në kontekst, priste vetëm të komunikonte përmes pllakës së bronzit.
– “Pllaka” juaj zë vend në një trung të prerë, trungu i një peme të mbjellë dhjetëra vite më parë. Çfarë simbolizon trungu, të shkuarën, shkatërrimin?
Mendoj se trungu i prerë simbolizon qartë gjykimin e çështjes ‘Gërdeci’. Si një ajsberg i cili nxjerr vetëm majën e tij në sipërfaqen e ujit, ashtu edhe kjo pemë e prerë ngrihet vetëm pak centimetra nga toka, duke fshehur rrënjët e saja të gjata dhjetëravjeçare nën pllakat e bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, aty ku gjenden institucionet më të rëndësishme të vendit.
– Bulevardi ka qenë gjithherë një skenë zhvillimesh. Pllaka juaj, është në një vend publik, si ngjarjet. A ju është dashur të merrni leje?
Këtë vepër unë e kam menduar si një dhuratë. Si një monument të munguar për qytetin e Tiranës. Mendoj se ngelet te banorët e qytetit nëse duan ta pranojnë si të tillë ose jo.
– Kjo vepër e juaja gjeti vend në një hapësirë publike, sikundër është gjetur vend edhe për veprat pranë Kryeministrisë apo “Reja” para galerisë. Duket se mungojnë politikat për artin në hapësira publike, nëse nuk kemi parasysh ‘vendimet’ e çastit, që u morën për Parrenon, Carsten Holler apo instalacionin “Reja” të Sou Fujimoto. Cili është opinioni juaj për këtë çështje?
Shqetësimi im kryesor si qytetar dhe artist që jetoj dhe punoj në Shqipëri, është mungesa e strukturave të pavarura artistike. Si mund të pretendojmë për një shoqëri të lirë ku hapësirat e pavarura janë pothuajse inekzistente?! “Arti është hapësira e fundit që i ka mbetur lirisë” thotë artisti kilian Alfredo Jaar. Nëse edhe kjo hapësirë instrumentalizohet për qëllime të ndryshme nga pushtetet politike, atëherë unë mendoj se duhet të bëhemi vërtet merak.
– Ju jeni marrë edhe më herët me fenomenet social-politike. Kujtojmë këtu “Trickle down. Crime scene”. A keni marrë një ‘feedback’?
Ende jo. Por më erdhi mirë kur pashë që familjarët e viktimave të Gërdecit e kishin përkrahur këtë projekt, duke e shpërndarë publikimin e monumentit në faqet e tyre të “Facebook”-ut.
(Gazeta Shqiptare)