Artistët që vijnë nga deti

Fatmira Nikolli

Zgjedhja për t’u nisur nga Bari për në Shqipëri nënkupton kthimin. Përshkimi i Kanalit të Otrantos ekzaktësisht njëzet vjet pas përmbytjes së Katerit të Radës, duket sikur na jep kohë të mendojmë dhe të përpiqemi të kuptojmë, të matemi me historinë dhe me tragjizmin e ditëve që po jetojmë. Është një gjest i fuqishëm. Një gjest artistik dhe politik njëkohësisht. Një gjest që të vë përpara përgjegjësisë dhe të mallëngjen. Një gjest që do të ndikojë thelbësisht në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Puglia-s. E me këtë ndjesi u urojmë të gjithë artistëve të rinj që do të nisen nga Bari: U kthefshi shëndoshë e mirë në shtëpi”. Kjo frazë e Michele Emilianos, Presidenti i Rajonit të Puglia-s, mund të ishte një nga arsyet më të forta, se pse Bienalja e artistëve të rinj të Mesdheut dhe Europës “Mediterranea 18”, që këtë vit ka si temë “Shtëpinë”, niset në Bari për të ardhur drejt Tiranës e Durrësit, ku mbahet për herë të parë në datat 4-9 maj. Drejtor Artistik i Bienales është Driant Zeneli, ndërsa kuratorë të saj janë Jonida Turani, Maja Ciric, Maria Rosa Sossai, Eroll Bilibani, Ema Andrea dhe Tulla Center. Për një herë të vetme, arti shkon përtej kritikës dhe provokimeve, nuk kërkon alternativa të reja, por riciklon për të ripërcaktuar “shtëpinë” në gabimet gjatë procesit, në momentet e reflektimit përballë sfidave dhe kohës së pritjes për rindërtim.
ARTISTËT QË VIJNË NGA DETI
E quajtur para-Bienalja apo Vigjilja e Bienales, ajo shihet nga artistët si një rrugëtim metaforik. Si në imazhet e krijuara nga leximet biblike, deti “do të hapë rrugë” për rreth 120 artistë të rinj nga vende të ndryshme, që marrin anijen nga Bari në Durrës. Ky ‘kthim’ në brigjet shqiptare është shumë simbolik, nëse kemi parasysh se brigjet tona kanë parë veç anije që ikin, në shekuj, kanë përjetuar veçse braktisjen, ikjet e mallet. Tanimë, në të tretën dekadë të lirisë, të çliruar nga pushtimet e zot të vetes, një anije me artistë që mbërrin (e nuk ikën) në brigjet shqiptare, flet, së pari për kohë të reja.
120 artistët gjatë natës në bordin e anijes do të marrin pjesë në një bisedë-performancë rreth temës së Bienales së sivjetshme “Shtëpia”= Histori + Konflikt + Ëndërr + Dështim. Një bisedë krejt ndryshe dhe e veçantë në llojin e vet, një bisedë që bëhet mes brigjesh, mbi valë, në tokën e “askujt” e të të gjithëve, në detin që ndan e bashkon. E moderuar nga gazetarja dhe kritikja italiane Manuela Gandini, me praninë e drejtorit artistik të “Mediterranea 18”, Driant Zenelit, do të zhvillohet rreth veprës që mban firmën e Michelangelo Pistoletto-s dhe Juan Sandoval-it: “Deti Mesdhe – Karrige Dashuri Diferencë”, e kompozuar me gjashtëdhjetë karrige që vijëzojnë hartën e Mesdheut. Bashkë me artistët e rinj të Bienales do të ulen të ftuar të veçantë, mes të cilëve Cathryn Drake, Ettore Favini, Adrian Paci, Gilad Ratman, Said Murad, Alicia Knock, Gabi Scardi, Costas Varotsos, Alessandra Galletta, Roland Sejko, Stefano Rabolli Pansera, Daniele Capra, Anna Daneri e shumë të tjerë.
ÇFARË ËSHTË “SHTËPIA”
Prebienalja që mbahet në Bari dhe biseda në anije janë veçse dy hapat e parë drejt “portës së bienales”. Mëngjesin e 4 majit, artistët që vijnë nga deti mbërrijnë në Durrës, e mandej në Tiranë. Po atë ditë, në mbrëmje, në orën 18:00, bienalja “Mediterranea 18” hapet te Parku Rinia në Tiranë.
Koncepti i bienales së artistëve të rinj të Mesdheut dhe Europës “Mediterranea 18” është “Shtëpia”. Ajo bazohet në 4 elementë:
– Historia, duke u nisur nga historitë personale, qofshin këto të ngulitura në kujtesë ose të harruara gjatë kohës.
– Konflikti, si gjendje njerëzore ndaj hapësirës fizike ku ne bashkëjetojmë.
– Ëndrra, si projektim i shtëpisë, si e drejta themelore e njeriut për të qenë i lirë të zgjedhë dhe të dëshirojë shtëpinë e tij fizike apo imagjinare.
– Dështimi, elementi që qëndron mes përpjekjeve dhe pamundësisë duke u tjetërsuar gjatë rrugës në kërkim të shtëpisë së ëndrrave.
Vendet ku bienalja merr jetë janë Cirku Kombëtar, ish-Ambasada Jugosllave, Pazari i Ri, Teatri Metropol, Piramida, Universiteti Metropolitan, Muzeu Historik Kombëtar, Vila 31 (ish-rezidenca e Enver Hoxhës), Gallery 70, Zeta Art Center&Gallery, Discobox, Shtëpia e Gjetheve, Universiteti i Arteve, Turbina, Libra’Aria, Tulla Culture Center, shtëpia e Helidon Gjergjit, Qendra Rinore Tirana, Bunk’Art 2, Goethe Institut, REJA – The Cloud Installation, Teatri Kombëtar (pishina), Galeria Kombëtare e Arteve, Fab Gallery, Kulla e Sahatit, Parku Rinia, Teatri Kombëtar Eksperimental, Instituti Italian i Kulturës etj.
Bienalja, vë në diskutim funksionin e “shtëpisë” në kohët e zhvillimit të teknologjisë dhe rritjes së ndërlikimit të strukturave politike, sociale dhe ekonomike që kanë zbuluar kufijtë të cilët për një farë kohe kanë qenë të padukshëm nga bota. “Kjo periudhë post-humanizmi kulturor e ka vendosur artin përballë sfidës së re e të të ripërkufizuarit se çfarë vlere ka sot dhe ku gjendet ‘shtëpia jonë’, përse dhe si mund të kemi nevojë për të. Në këtë rast, arti e sheh ‘shtëpinë’ si proces më shumë sesa si mesazh, i përbërë nga miliona pjesë, ku asgjë nuk humbet dhe as nuk gjendet, por i nënshtrohet një tjetërsimi të vazhdueshëm”, citojmë nga njoftimi mbi bienalen. Bienalja e Mesdheut shërben si një platformë ku artistët dalin jashtë rutinës së tyre dhe i bashkohen një dialogu ndërkulturor mes “shtëpive”- qoftë ato fizike, virtuale, shpirtërore apo imagjinare.
“Mediterranea 18” e kthen shtëpinë në një “britmë” e cila zhytet në ujërat e Mesdheut dhe kërkon të sfidojë të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen.
Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i cilëson 230 artistët që do të mbërrijnë në Shqipëri si “23 ura dashurie për ‘Mediterranea 18’ që lidhin Evropën dhe Mesdheun me Tiranën dhe Durrësin, duke e kthyer në një shtëpi të madhe mikpritëse idesh, vizioni dhe emocioni”. “Jeta e ‘mesdhetarit’ pranë njëri-tjetrit, bashkëjetesa e popujve tanë, besimi, kultura, gjuhët e ndryshme kanë lënë një pasuri shpirtërore që duhet ta rrëfejmë. Tirana e Durrësi do të jenë jo vetëm qyteti mikpritës, por edhe kryeqyteti i kulturës”, – thotë ajo.
“Mediterranea 18 – Young Artists Biennale” vjen me pjesëmarrjen e 230 artistëve ndërkombëtarë (23 shtete), nga të cilët 32 artistë do të përfaqësojnë Shqipërinë; 6 ditë ekspozita, koncerte, performancë, lexime, filma e uorkshope; 26 hapësira në Tiranë e 3 në Durrës, 16 artistë të arteve të aplikuara, 13 producentë filmi, 13 artistë të letërsisë kreative, 15 grupe muzikore, 17 artistë performues, 52 artistë pamorë etj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *