Arti dhe Pushteti/ Pse duhet sjellë në shqip libri i Julian Barnes për Shostakovichin!

Kërkesë për sjelljen e librit të fundit të Julian Barnes-it në shqip

Nga Edon Qesari

Ca ditë më parë munda të përfundoj së lexuari librin e fundit të shkrimtarit britanik Julian Barnes, romanin “The noise of time”, i cili është në tërësi dhe libri i tij i parë i rëndësishëm që pata ndër duar (ende s’kam mundur të lexoj “The sense of an ending”, përkthyer nga Ilir Baçi si “Fundi i një enigme”). I mbështjellë në më pak se 200 faqe dhe i ngritur mbi themelet e tre makrokapitujve – in lieu të po tre monologë rrëfyestoreje – që më pas copëzohen nëpër fragmente të shkurtra paragrafësh, romani merr përsipër të trajtojë marrëdhënien e njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj mbarë botërorë të shek. XX, Dimitri Shostakoviç (në foto), me pushtetin sovjetik në hapin e ecurisë kohore të jetës së tij, që nga përballja e parë përgjatë thertores staliniane të viteve ’30 deri kur regjimi moskovit merr tiparet senile të rrjedhjes brezhneviane andej nga mesi i viteve ’70.
Rreth tij mund të shkruaj gjatë, sidomos nëse do të ndalesha së paku tek vijueshmëria e pandërprerë e ngarkesës tingullore në të (mbi krye, përgjatë leximit, të qëndron gjithmonë një ndajshtesë muzikore, afërmendsh e diktuar nga qenësia e personazhit kryesor – kush njeh muzikën e Shostakoviçit, në të vërtetë, rrok ngjashmëri në vazhdimësinë e rrëfimit), si dhe hulumtimi i imët që romani kryen nëpër skutat e ndërsjelljes politike mes skeptrit dhe disidencës, teksa përsiatjet e vazhdueshme nuk ndalen vetëm në Rusinë sovjetike por çapiten më tej në kohë e hapësirë.
Në këtë kuptim, e gjej krejt të pavend që ky libër, i posaçëm për vëmendjen e lexuesit të këtij vendi – ku prej dy dekadash konsumohet një debat, në më të shumtën shterp, përreth marrëdhënieve fron – oborr (sidomos kur bëhet fjalë për kalemxhinjtë e këtij të fundit) – kjo kryevepër pra, ende nuk është përkthyer dhe botuar në Shqipëri, teksa libri i Barnes-it ka thuajse një vit (që nga janari 2016) që ka marrë vëmendjen e letrave botërore (paçka se renditjet e çmimit Nobel ende luajnë kukamçefti me suspense-e të mundshme reklamore). Gjej rastin pra që të shtyj të gjithë miqtë e mi të fushës së botimeve dhe përkthimeve (nga gjuha anglishte), meqë besoj se do ta ushqejnë ndopak besimin tek një lexues i regjur, të mos humbasin më kohë e ta përcjellin në shqip këtë roman – do të guxoja ta cilësoja – të përkryer në të gjitha trajtat e tij, që nga qasja hulumtuese e deri tek rrjedhja e shtjellimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *