Videoja ku tregohet në mënyrë hipotetike(publikuar mbrëmë nga Pasqyre.al) se si ka qenë teatri i Butrintit(e gjeni tek rubrika Histori& Trashëgimi) ka marrë kritika të shumta nga specialistët. Pas Lida Mirajt dhe Ilir Parangoni ka qenë Artan Shkreli dhe Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë që e kanë cilësuar atë amatore. Video është realizuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës.
“Instituti i Monumenteve të Kulturës bën palaçollëqe me paratë e UNESCO-s. Një render në trajtë video përpiqet të krijojë idenë se si ka qenë Teatri Butrintit. Nuk do të kish asnjë të keqe sikur kjo të ishte realizuar nga amatorë që për hobi merren me këto rikonstruksione hipotetike, por të përvetësohen mijëra euro për imazhe të tilla fëminore pa rilevim të frizave reale të strukturës, me kollona arta (!), me stile e ordera të çoroditur, me shkallare simetrike imagjinare ndërkohë që fotot tregojnë të kundërtën, me shtrimin e dyshemesë së orkestrës me kalldrëm, apo me morfologji të shfytyruar të mjedisit përreth, kjo është vërtetë një injorim për arsyen e shëndoshë dhe punën njëshekullore në atë teatër. Ja çdo të thotë kur drejtimi i një institucioni shtetëror sundohet nga injoranca dhe arroganca, por ndofta edhe nga papërgjegjshmëria në rreze më të gjerë”. Forumi e ka cilësuar si video që del nga filmat vizatimorë të Herkulit ala Walt Disney me muzikë… britane (?!)
Ndërsa Artan Shkreli ka shkruar: “ç’trishtim ky rikonstruksion virtual i Teatrit në Butrint realizuar nga inekspertë!!! Për më tepër hedhur si “arritje” në sajte që përndryshe do duhej të ishin seriozë”