Nisin të hënën, dt. 17 tetor 2016 në AQSHF, sesionet e punëtorive “Arkivat në Lëvizje” – AIM Workshops, me një ceremoni hapje me pjesëmarrjen e Ministres së Kulturës Znj. Mirela Kumbaro, Drejtoreshës së ACP-së, Regina Longo, Drejtoreshës së AQSHF-së Elvira Diamanti, Kryetarit të QKK-së, Ilir Butka, Rektorit të AFM Marubi, Kujtim Cashku dhe të gjithë ekspertëve të ACP-së dhe pjesëmarrësve të AIM-së
Projekti i Kinemasë Shqiptare (ACP) do të zhvillojë punëtori rajonale trajnimi në Ballkanin Perëndimor për profesionistët e arkivave audiovizive. Këto arkivistë punojnë përtej mundësive për të ruajtur një trashëgimi të rrezikuar audiovizive e që ka pasur shumë pak mundësi të shihet përtej kufijve të rajonit.
ACP po bashkëpunon me Federatën Ndërkombëtare të Arkivave të Filmit (FIAF), Muzeun George Eastman (GEM), AV Geeks, Arkivi i Medias në San Francisco (SFMA), Bibliotekën e Kongresit Amerikan (LOC) dhe Ministria e Kulturës Shqiptare për të nisur Punëtoritë Arkivat në Lëvizje (AIM Workshops).
Sesioni i parë intensiv 2 javor për prezervimin e koleksioneve audiovizive do të mbahet në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit (AQSHF) në Tiranë, nga 17-28 tetor 2016.
Punëtoritë praktike të tipit laborator për profesionistët e arkivave, do të drejtohen nga një grup ekspertësh ndërkombëtarë profesionistë të arkivave audiovizive, të cilët do të dhurojnë kohën dhe ekspertizën e tyre, sepse për ta është e rëndësishme të punojnë me arkivat në rrezik dhe t’i aftësojnë arkivistët në procesin e prezervimit të koleksioneve audiovizive. Qëllimi i AIM është të aftësojë pjesëmarrësit në mënyrë që ato të maksimizojnë burimet që kanë në dispozicion, të punojnë me buxhete të kufizuara dhe numër të pakët punonjësish, dhe në të njejtën kohë të tregojë se si një nismë e vogël e tipit bëje-vetë shkon shumë përtej kur kombinohet me ekspertizën dhe njohuritë bazë të punonjësve të arkivave.