Arkeologu italian: Në Butrint nuk duhet gërmuar më!

Arkeologu Sandro de Maria nga Universiteti i Bolonjës vjen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare” mbi Butrintin. Ai flet për projektin që ka ndërmend të vërë në jetë atje, një projekt që më herët e ka bërë në Pompei si edhe tezat e tij mbi tempullin e Asklepios po në Butrint. Mandej, prof. Sandro De Maria vlerëson mirëmbajtjen e Butrintit, duke vënë në dukje edhe atë që sipas tij bën problem, ujin te teatri. Më tej ai ndalet edhe te tempulli i Asklepios mbi teatrin e Butrintit, duke i kushtuar rëndësi idesë se atje nuk ka pasur vetëm teatër e ndërtesa publike, por edhe një tempull për zotin e mjekësisë.

– Cili është projekti që keni ju për Butrintin?

Universiteti i Bolonjës ka qenë pjesë e projektit që po bëhet në Pompei. Jemi marrë me fazën e parë të një ndërhyrjeje madhore, planin e njohjes së Pompeit. Jemi marrë me dokumentimin, paret për paret të çdo objekti, të çdo shtëpie, dokumentim të pikturave në dysheme dhe monitorim të degradimit, kjo do të thotë të vësh bazat për programin e restaurimit dhe vendosjes së përparësive. Përmes kësaj, sheh se ku është më e rrezikshme situata dhe vendos se edhe ku duhet ndërhyrë urgjentisht dhe ku gjendja pret edhe për pak kohë. Dhe të gjitha këto janë bërë me instrumente mjaft moderne. Ky është një projekt që vazhdon edhe në vitet e ardhshme, sepse Pompei është një sit i rëndësishëm për Europën dhe Ministria jonë e Kulturës po merret shumë me të. Grupi im ka punuar në atë projekt dhe ka një përvojë të madhe, ndaj kam menduar ta transferoj këtë teknologji edhe në Butrint.

– Praktikisht, çfarë do të bëni në Butrint?

Duke nisur nga gërmimet e vjetra të Ugolinit dhe mandej duke kaluar edhe në zonën e teatrit, do të bëjmë edhe këtu pikërisht të njëjtën gjë që kemi bërë edhe në Pompei. Kjo do të thotë: të dokumentojmë, por dokumentim modern, relievet, statigrafitë murale, fazat e ndryshme që kanë muret e Butrintit dhe më pas do të “analizojmë” si janë këto mure, cila është gjendja e tyre, nëse një monitorim. E kemi filluar vitin e kaluar me një monument të vogël, që është një tempull i vogël sipër teatrit, një prej gjërave të fundit të gërmuara nga Ugolini. Ai nuk është publikuar e studiuar sa duhet. Ne do ta publikojmë tashmë si një kontribut të parë. Më pas kemi një projekt tjetër, që merret me tërë kompleksin monumental të Faltores së Asklepios, pra e gjithë zona e gërmuar nga Luigi Ugolini deri më 1935. Kjo do i prezantohet Ministrisë së Kulturës dhe Institutit të Arkeologjisë.

– Me aq sa e njihni Butrintin, ç’problematika ka?

Unë jam i mendimit se në Butrint nuk duhet gërmuar më.

-Pse? Sepse siti ka nevojë të studiohet, të dokumentohet, të monitorohet. Është ajo që propozojmë ne. Nuk duhet gërmuar më për të mos krijuar probleme të reja konservimi. Dalin në dritë struktura të reja, por ka probleme me ndërhyrjet e konservimit. Ndaj për mua është më mirë që më parë të studiojmë ato që janë gërmuar tashmë, të shihet se çfarë duhet restauruar e më pas mbase të bëhen kërkime të reja.

– Cilat janë problemet e Butrintit?

Për t’u përgjigjur siç duhet, tashmë duhet ta kisha bërë punën që po propozoj se do të bëj, por mendimi im është se ka disa situata; sidomos uji te teatri që sjell probleme. Kjo do një lloj sigurie për strukturat se i vë në rrezik. Ka disa mure që kanë probleme qëndrueshmërie, ka pasur edhe disa rënie (muresh) së fundmi, në muret mesjetare, në strukturat mesjetare. Situata nuk është e rëndë për mendimin tim, sepse është bërë një punë e mirë them në mirëmbajtje. Në Butrint gjërat funksionojnë, ka personel që ndërhyn, ka arkeologë që punojnë, ndaj situata është e mirë për Shqipërinë.

– E mirë, për Shqipërinë?

Po, për Shqipërinë, sepse ka edhe situata të braktisjes, janë manastiret mesjetare, janë kishat bizantine të shpërndara në territor që janë të braktisura, ato përballen me rreziqe të mëdha konservimi. Butrinti nuk është në këtë gjendje, por sipas meje, duhet ndërhyrë para se të ketë probleme. Ndaj projekti që unë propozoj, krijon një njohje të përgjithshme të gjendjes së strukturave.

– Çfarë ka me interes nga tempulli sipër teatrit?

Ka një rrugë të vogël që të çon te tempulli, i cili është më pak i njohur. Në fakt, ai mund të futet në “qarkullim” (të bëhet më i njohur) siç është teatri. Është i rëndësishëm tempulli, sepse lidhet me vlerën e shenjtë të të gjithë kompleksit. Ne kemi parë se Instituti i Monumenteve në vitet 1980 i ka hequr një pjesë të dyshemesë, një pjesë të mozaikut, nga aty e ka sjellë në Tiranë për ta ruajtur që të mos shkatërrohej. Ky është një mozaik helenistik, me një gjarpër. Gjarpri është një kafshë e Asklepios, ndaj mendohet se ky tempull i Asklepios është në dy faza: në fillim një faltore e vogël e më pas një tempull më i madh më lart. Kjo është ideja që kemi krijuar. Rëndësia qëndron në faktin se ky nuk është vetëm një teatër me ndërtesa publike, siç është menduar gjithnjë, por në fakt është një faltore e madhe e Asklepios.

One comment

  • Z. DeMaria shume mire qe vini te jepni kontributin tuaj ne Butrint por me pare duhet te njiheni cfare kane bere arkeologet dhe restauratoret shqiptare per studimin e Butrintit . Ju vini si Ugolini, qe me te vertete meriton respect se ai e zbuloi dhe shkruajti i pari per zbulimet e mahniteshme ne kete qytet te lashte, por juve jeni shume vone dhe mos u mundini te thoni gjera qe nuk ju nderojne. Ju jepni intervista sikur ne Butrint ndofta nuk kemi te bejme me nje teater por nje kompleks te Asklepit!!!. Per Santuarin e Asklepit ne Butrint jane bere studime me shume se 15 vjet me pare dhe botimet mund ti gjeni ne Institutin e Monumenteve te Kultures ose ne Biblioteken Kombetare. Uroj te keni sukses te studimet tuaja ne Butrint por duhet me pare te respektoni punen qe kane bete specialistet shqiptare nqse me te vetrete keni ardhur per te ndihmuar shkencen shqiptare te arkeologjise. N.q.se ju kane afruar disa para dhe beni lojen e ndonje politikani qe mund tu shfrytezoje juve per te haritur qellimet e veta , si vite me pare qe u bene perpjekje per privatizimin e Butrintit, me mire kthehuni ne studimet tuaja per Pompeun dhe dilni ne pension me nder.

    Reply

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *