Durrësi mbetet një nga qytetet më të rëndësishëm sa i takon trashëgimisë kulturore, i cili tërheq vazhdimisht interesin e turistëve vendas e të huaj.
Ministria e Kulturës ka bërë të ditur se gjatë periudhës ,1 janar 31 korrik, Amfiteatrin Romak të Durrësit, Muzeun Arkeologjik e kanë vizituar 12,453 vizitorë.
Sipas kësaj ministrie ndër pikat tjera që shfaqin kërshërinë te vizitorët, është dhe banesa e ikonës së aktrimit shqiptar, Aleksandër Moisiut, e ndërtuar në shekullin XIX.
“Banesa e Aleksandër Moisiut në qytetin e Durrësit, ndërtuar në shekullin XIX, shfaq një interes të madh për vizitorët, pasi është banesa e vetme e tipit me çardak në qytet. Në këtë banesë ka kaluar një pjesë të jetës Aleksandër Mosiu, aktori i madh me famë ndërkombëtare”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë.
Ministria e Kulturës u rekomandon turistëve vendës dhe të huaj, që gjatë qëndrimit në Durrës, të mos e humbasin rastin për ta vizituar Muzeun Arkeologjik, që bashkon programin muzeal, me ate artistik dhe edukues.
Po ashtu, Termat Romake, të hapura pas 25 vjetësh, jane sot arena e artistëve ne koncerte e performanca.