Ambasada e SHBA në Tiranë dhe Trashëgimi Kulturore pa Kufij, kanë mundësuar projektin “Make it Yours” (“Bëje tënden”) për ndërgjegjësimin mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore ndërmjet të rinjve dhe komunitetit në tërësi.
Nëpërmjet një postimi në faqen e ambasadës së SHBA pasditen e të martës, thuhet: “Përgjatë muajit maj, nxënës të shkollave të ndryshme të Tiranës morën pjesë në “Make it Yours” (“Bëje tënden”), një projekt që synoi nxitjen e ndërgjegjësimit mbi ruajtjen e trashëgimisë kulturore ndërmjet të rinjve dhe komunitetit në tërësi. Për tri javë, nxënës nga shkollat 9-vjeçare “Dora D’Istria”, “Edith Durham” dhe “Emin Duraku,” të udhëhequr nga një guidë profesioniste, vizituan hapësira të ndryshme kulturore në Tiranë”.
“Ata mësuan më shumë për historinë, kulturën dhe rëndësinë e “të bërit për vete të qytetit” duke ruajtur trashëgiminë e tij. Projekti u mbyll me një pyetësor argëtues tek Këndi Amerikan në Tiranë i cili testoi të gjitha njohuritë dhe faktet e mësuara gjatë vizitës së nxënësve në vende të ndryshme. Projekti “Make it Yours” (“Bëje tënden”) u mundësua nga ambasada amerikane në Tiranë dhe Trashëgimi Kulturore pa Kufij.”, shkruhet në faqen e ambasadës amerikane në Tiranë./ATA