Altin Basha: “Portokallia”, opozita më e mirë ndaj qeverisjes

Regjisori dhe skenaristi i spektaklit të famshëm të humorit në një rrëfim para studentëve dhe pedagogëve të UET-it si u themelua “Portokallia”,a është i angazhuar si emision, marrëdhënia me politikën, etj..

Ishte viti 2003 kur themeluesi i televizionit Top-Channel, Dritan Hoxha, po kërkonte të sillte një risi në televizionin shqiptar, një lloj varieteje me të cilën ishim mësuar në mbrëmjet e fundvitit në TVSH, por më moderne dhe të përjavshme. Ai e kishte syrin tek spektaklet e ngjashme italiane që shqiptarët i ndiqnin prej vitesh në mungesë të programacioneve në shqip. Për ta realizuar këtë ide ai kontaktoi shumë pak veta, Altin Bashën, regjisor i ri që kishte rënë në sy në atë kohë me disa shfaqje që kishte vënë në skenë, aktorin e humorit Agron Llakaj, e dy skenaristë.

Altin Basha mori në një farë mënyre frenat e këtij spektakli në të cilin vijon të jetë edhe sot e kësaj dite si regjisor.

“Tani kërkonte një lloj bashkimi midis traditës së humorit, sepse ai si biznesmen thoshte, varieteja sot e kësaj dite shikohet edhe pse ka kaluar koha edhe pse është bardh e zi, njerëzit kënaqen me Tano Banushin, do të thotë që shqiptarët  e duan komedinë, e duan humorin.  A ka mundësi që ne t’ja japim në mënyrë moderne sepse TCH nuk është në versionin e TVSH-së,  por është në një version më perëndimor siç është Zeling. Ne angazhuam disa aktorë të traditës po themi, ka qenë Mariana Kondi, disa aktorë të njohur dhe i propozuam këta studentët tanë me të cilët bënim shfaqje teatrore. Dhe hapëm një audicion, pjesa më e madhe ishin ish-studentë të mij dhe të kolegëve të tjerë.  Kështu ka filluar historia, ishin dy skenaristët unë dhe Agron Llakaj”– tregoi Basha gjatë Forumeve UET të martën në mbrëmje.

Humori si opozitë e qeverisjes

Përveçse të qeshim me batutat e personazheve të Portokallisë a mund të perceptojmë dhe si një fenomen të majtë kulturor, të angazhuar në zhbirilimin e fenomeneve politike dhe sociale?  Themeluesi i spektaklit beson se po dhe madje ky është një qëllim në vetvete i humorit që ai tenton të sjellë çdo të dielë mbrëmë në shtëpitë e shqiptarëve.  Ai beson se spektakli nuk është thjesht argëtues për publikun por me satirën politike luan dhe një lloj opozite të vërtetë duke vënë në shënjestër fenomenet negative, problemet e qeverisjes dhe politikës, etj..

“Që është i angazhuar kjo nuk diskutohet dhe unë nuk mendoj që ka diçka të keqe në këtë pikë,  humori nuk mund të jetë humor si një vlerë në vetvete. Nuk do të kishte patur impaktin e duhur, ne jemi në kërkim të impaktit mbi publikun në fakt. Jo vetëm të krijimit të artit kështu që në këtë pikëpamje atje ku ne kapin një ndjeshmëri, shohim interes, ne padyshim thellohemi. Kjo është e para. E dyta, ne në kuptimin të angazhuar, e shohim veten si shoqëri civile, nuk e shohim veten si aktivistë politikë, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, si palë politike. Çështja është sa ti je i barazlarguar, në kuptimin e asaj që ti konsideron barazlargim. Padyshim që ka tendenca për të mbajtur krahun e një partie politike apo të një tjetre, por në thelb unë mendoj që fokusi është qeversisja, qeverisja i ka në dorë gjërat, opozita ka fjalën, ka qëndrimin publik, por nuk ka mekanizma. Në këtë pikëpamje ne kemi qenë të angazhuar, jo vetëm për sa kohë ka qenë e majta në qeverisje, por edhe në kohë kur ka qenë e djathta. Nuk është problemi tek e majta apo tek e djathta, është çështja tek qeverisja, ata i kanë në dorë mekanizmat e përmirësimit të jetës së njerëzve”- u shpreh ai.

Por duket se me opozitën nuk i ka aq të mira marrëdhëniet pasi kreu i PD-së Lulzim Basha ka refuzuar ftesën e përsëritur të tij për të qenë pjesë e këtij spektakli, si një traditë ku ftohen vetë politikanët. “Nuk e di pse na ka inat, pse nuk pranon të vijë, le të vijë të bëjmë opozitë bashkë”- tha Basha.

“Nga ana tjetër kemi vënë re që publiku e sheh Portokallinë si një mjet hakmarrje ndaj pamundësisë për t’i qëndruar kundër fenomeneve të ndryshme negative që prodhon politika. Gati-gati na konsiderojnë si një lloj opozite dhe kjo gjë sigurisht na nxit ne për të qenë më të vëmendshëm për numrat politikë. Pjesa tjetër e angazhimit të humorit politik nuk është një gjë e re, nuk e kemi shpikur ne, në të gjithë botën ka patur, në të gjithë botën ka. Është e mirëpranuar, ka audiencë dhe i  vlen shoqërisë. Kështu që në këtë pikëpamje e shoh shumë të shëndetshme”, theksoi Basha.

Portokallia si shkollë e talenteve

Regjisori Basha dhe spektakli që ai drejton që prej vitit 2003 ka nxjerrë shumë aktorë të rinj që janë dashur nga publiku dhe më pas janë larguar për të vijuar karrierat individuale

Nga ana tjetër ai ka shumë kritika për atë që po bëjnë ose që duhet në fakt të bëjnë institucionet kulturore në vend.

“Kam 4 vjet jam në një betejë të hapur publike me qeverinë për politikat kulturore.  Mendoj që kurrë  më keq, Shqipëria nuk është udhëhequr për politikat kulturore sesa tani, edhe pse ka fatin komuniteti i  artistëve që  të ketë një kryeministër një artist, por që për fat të keq kur të ikë nuk do të lërë asnjë gjurmë  në zhvillimin e artit dhe kulturës shqiptare”, theksoi ai duke kritikuar ministrinë e Kulturës dhe Teatrin Kombëtar.  Sipas tij këto institucione kanë mbetur si para vitit 1990.

I pyetur për rivalitetin që i bën spektaklit një ish-aktor i tij si Ermal Mamaqi, Basha ceku dhe debatet e kohëve të fundit për ikjen e aktorëve. 

Ermali u largua nga Portokallia për fustanet e nuseve,  i pëlqeu më mirë biznesi, nuk pati asnjë problem. E ka maksimizuar veten në atë emision, emisionin e ka mirë, e ka interesant. Në Portokalli i është dukur sikur është në mes të buqetës, ndoshta më i eklipsuar. Por nuk ka probleme në këtë pikë, se ka shumë diskutime që unë kam përzënë shumë njerëz nga Portokallia, në fakt ikin njerëzit që nuk mbajnë presionin, kjo është gjithë ideja, dhe kur ulet performanca. Unë s’jam një person i interesuar që të heq aktorët  e mirë nga emisioni se nuk kam asnjë interes. Unë kam interes t’i kem aty”- tha ai.

Po megjithëse drejton një prej spektalet më të ndjekura në vend a ka ndonjë peng Altin Basha për karrierën e tij, ndoshta si regjisor jashtë Portokallisë?

Në një farë mënyre ai thotë se ndihet i plotësuar me angazhimin si pedagog duke kërkuar dhe një lloj balance për pasionin e tij për teatrin me anë të punës në spektaklin e humorit ose siç ai e perifrazon ;  “Portokallia është një lloj ure mes asaj që do doja të bëja në teatër dhe asaj që të “detyron” realiteti të bësh”.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *